Delahant: Qeveria e re e Kosovës të jetë e panjollosur

Ish-kongresisti amerikan, Bill Delahant, tha se politikanët në Kosovë nuk duhet ta shikojnë procesin e formimit të qeverisë së re si diçka ku i bëjnë favore njëri-tjetrit por duhet të venë në krye të përparësive popullin e Kosovës.
Zoti Delahant, ish-kongresist demokrat nga Bostoni, ka qenë kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën.
“Mendoj se ka rëndësi që ata të kuptojnë se bota po i vëzhgon dhe ky proces po ndiqet me vemendje. Shumë vende e kanë njohur Kosovën, por në të njëjtën kohë kjo sjell përgjegjësi. Si ish kryetar i nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën, unë e di se kjo ndiqet me shumë vemendje këtu në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj se ky proces duhet të përmbyllet me një qeveri e cila e kupton se korrupsioni nuk mund të tolerohet, se populli i Kosovës duhet të jetë përparësia e qeveritarëve, se politikanët nuk duhet ta shikojnë procesin si diçka ku i bëjnë favore njëri-tjetrit por për të vënë në plan të parë interesat e popullit të Kosovës. Ata duhet të kuptojnë gjithashtu se bisedimet e pritshme me Beogradin janë të rëndësishme”, ka deklaruar ai për Zërin e Amerikës.
Delahunt tha se qeveria e re është e nevojshme që, jo vetëm të jetë kompetente dhe e pastruar nga korrupsioni, por njerëzit e saj duhet të respektohen nga ato vende të cilat kanë shpenzuar kapital politik të konsiderueshëm për ta mbështetur Kosovën në shpalljen e pavarësisë.
“Nuk mund të mohohet se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Obama kanë investuar një kapital të konsiderueshëm politik në Kosovë. Pavarësia e Kosovës ka qenë një çështje mjaft delikate në marrëdhëniet tona me vendet në rajon, sidomos me Rusinë. Pra, kërkoi guxim nga ana e administratës dhe e anëtarëve të Kongresit, si Eliot Engel, që të flisnin hapur në favor të pavarësisë.Tani, i takon klasës politike në Kosovë të tregojë se do të jetë në gjendje të qeverisë në një mënyrë të tillë që të jetë e pandikuar nga ndonjë formë korrupsioni dhe që e vendos popullin e Kosovës në krye të përparësive të saj”, shtoi ai.