Mustafa: Qeverinë e bëjmë edhe pa AKR-në
Nëse AKR-ja vendos të qëndrojë në opozitë, kjo nuk do ta pengojë PDK-në që ta formojë qeverinë e ardhshme. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, nga të cilët PDK-ja do t`i gjejë votat për ta formuar qeverinë. Kështu ka deklaruar nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa, i cili ka arsyetuar vendimin e partisë më të madhe në vend që postet e dy institucioneve kryesore në vend, kryeministrin dhe presidentin, t`i mbajë për vete.
Sipas Mustafës, numrat janë brenda mandatarëve që kanë fituar për Kuvendin e Kosovës, janë njëqind e njëzet.
“Brenda këtyre numrave PDK-ja duhet t`i gjejë numrat, edhe secili që dëshiron të bëjë qeverinë duhet të sillet brenda këtyre numrave. Unë po besoj që PDK-ja ka një instrument të fortë në dorë dhe mund të zgjedhë se me kënd do të jetë në qeverinë e ardhshme”, tha Mustafa.
Por, ai nuk bie dakort se PDK-ja është fajtore për vonesat në krijimin e qeverisë, faj ky të cilin ai thotë se e kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike.
Ndërsa liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, ai e sheh si personin e vetëm që do ta drejtojë qeverinë e ardhshme, për të përfolurin për këtë post, ministrin Ahmet Shala, ai ka krejtësisht qëndrim tjetër. “Është humor të thuash që Ahmet Shala ose dikush tjetër të jetë kryeministër”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, PDK-ja e ka nominuar për kryeministër Thaçin dhe vazhdon ka ketë këtë qëndrim.
“Asnjë ndryshim, asnjë vendim tjetër nuk është marrë në PDK, prandaj nuk flas për mundësi tjera”, ka thënë nënkryetari i PDK-së.