E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioi i KE-se, Topalli shkel rregulloren e Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit në shkelje të rregullores ka dërguar emrat përfaqësuesve shqiptar, vetëm 1 vend PS-së

Anashkalohet Konferenca e kryetarëve dhe seanca. Islami nuk ka bërë betimin përfshihet si zëvendësues

Shqipëria bëhet sërish problem në Këshillin e Evropës, ku dhe është anëtare me të drejta të plota. Dhe sërish shkak bëhet krye parlamentarja Jozefina Topalli, e cila ashtu si edhe një vit më parë kur largoi Aleksandër Biberaj pa një vendim të Kuvendit nga delegacioni ynë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka bërë të njëjtën shkelje por kësaj here me përmasa edhe më të mëdha. Kështu, në prag të startimit të seancës së parë të sesionit të ri kësaj Asambleje, Jozefina Topalli i ka nisur ditët e fundit një letër kredencialesh këtij institucioni, ku në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit i dërgon emrat e anëtarëve dhe zëvendësuesve të delegacionit shqiptar në të, duke mos respektuar së pari balancat e përfaqësimit politikë dhe së dyti duke mos ndjekur procedurat për ti miratuar fillimisht në Konferencën e Kryetarëve dhe më pas në seancë plenare.
Delegacioni
Në vigjilje të seancës së parë plenare të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që pritet ti mbaj punimet në datat 25-29 janar, Kuvendi i Shqipërisë duke marrë shkas edhe nga projektrezoluta e këtij organizimi ndërkombëtar për situatën politike në vendin tonë, ka nxituar së fundmi të plotësojë detyrimet e tija për sa i përket përfaqësimit në të. Për këtë arsye kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka nisur kreut të asamblesë Lluís Maria De Puig listën e parlamentarëve shqiptar që do përfaqësojnë vendin tonë në jetën parlamentare të Këshillit të Evropës. Një fakt i tillë bëhet i ditur nga vet faqja zyrtare e Këshillit të Evropës në internet ku është afishuar nder të tjera dhe lista e plotë e deputetëve që propozohen si anëtarë dhe zëvendësuesve të tyre. Si përfaqësues të PD-së janë sërish Ilir Rusmajli, i cili do të mbajë edhe postin e kreut të këtij delegacioni dhe Lajla Përnaska. Gjithashtu si pjesë e kësaj liste është edhe deputeti çam i PDU-së Shpëtim Idrizi, ndërsa opozitës i është lënë vetëm një vend i paplotësuar. Në listën e zëvendësuesve sërish Topalli ka përfshirë dy përfaqësues të djathtë, deputetet Arenca Trashani dhe Mesila Doda. Kësaj liste i është bashkangjitur edhe deputeti socialistë, Kastriot Islamin, i cili siç evidentohet në njoftimin e KE-së, nuk përcaktohet se kujt partie i përket. Ndërsa opozitës sërish i është lënë një vend si zëvendësues i paplotësuar, për shkak të refuzimit që PS i ka bërë Kuvendit. Tashmë në bazë të rregullores së funksionimit të Asamblesë, pritet që kredencialet të shqyrtohen dhe miratohen në mënyrë krejt formale nga një komision i posaçëm i tij, për të parë rregullsinë e tyre, si dhe të diskutohen në rast se ndonjë palë do të ketë objeksione. Me pas ky komision do të thiret që të shpeh vendimin në Asamble për përfaqsuesit e sesionit të ri 2010.
Shkelja
Por duket se lista e mësipërme i është dërguar Këshillit të Evropës nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në kundërshtim me normat që përcakton vet Rregullorja e këtij institucioni. Kështu, së pari emrat e përzgjedhur nga Topalli nuk kanë kaluar në procedurat normale, pasi nuk janë diskutuar dhe miratuar as në Konferencën e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare dhe ajo që është më e rëndësishme nuk janë miratuar as në seancë plenare. Shkelja e kësaj procedure përbënë një rast të përsëritur të krye parlamentares Topalli, pasi edhe një vit më parë ajo shkarkoi dhe zëvendësoi në këtë delegacion Aleksander Biberajn pa marrë një vendim më parë në seancë plenare, çka u detyrua ta bënte më pas si rrjedhojë e presionit të medias. Shkelja e dytë ka të bëj pikërisht mosrespektimin e balancimit politikë sipas raporteve që palët kanë në Kuvend. Kështu, ndonëse dy grupimet e mëdha politike kanë thuajse të njëjtin përfaqësim (PD 70 dhe PS 64) në Kuvend, në këtë delegacion ato gjenden në raportet 3 mazhoranca dhe 1 opozita. Një tjetër moment i diskutueshëm është edhe ai që ka të bëj me përfshirjen në këtë listë të emrit të deputetit Kastriot Islami, të cilin nuk dihet se kush e ka propozuar, ndërsa rregullorja përcakton se një gjë të tillë duhet ta bëj kryetari i grupit parlamentar përkatës. Për të anashkaluar këtë problem, krye parlamentarja Topalli ndërsa emrat e tjerë i paraqet si përfaqësues të partive konkrete, Islamin e prezanton si socialistë. Rasti i Islamit përbënë njëkohësisht dhe një shkelje tjetër rregullores dhe legjislacionit shqiptar pasi ai ashtu si edhe deputetët e tjerë socialistë nuk i kanë dhënë fuqi ligjore mandatit të tyre pasi nuk janë betuar. Për të gjitha këto parregullsi mësohet se Asambleja Kombëtare ka kërkuar Kuvendi i Shqipërisë dhe një informacion shtesë. E vetmja rrugë për të korrigjuar tashmë këto probleme mbetet ankimi dhe sinjalizimi nga e ana e Partisë Socialiste të strukturave drejtuese të KE-së si dhe grupit parlamentar socialistë në Asamble.

Delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës

Anëtarë

Shpëtim Idrizi (PDU)
Lajla Përnaska (PD)
Ilir Rusmajli (PD)
? (PS)

Zëvendësues

Mesila Doda (PD)
Arenca Trashani (PD)
Kastriot Islami (Socialistë)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›