Aksidentet shkaktojnë tre të vdekur
Qarkullimi/ Përplasjet e 9 automjeteve kanë rritur numrin e viktimave të aksidenteve në gjithë vendin
Shkeljet e rregullave janë cilësuar si shkak për fatkeqësitë e ndodhura në katër qytete të ndryshme të vendit
Tre të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci i ditës së diel në tre aksidente të ndodhura në Shkodër, Durrës dhe Fushë-Krujë. Ndërkohë, në dy aksidente të tjera në qytetin e Fierit janë përplasur gjashtë makina, ndërsa tre vetë kanë mbetur të plagosur. Shkak për aksidentet e ndodhura mësohet që të jenë pikërisht shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve.
Fushë-Krujë
Një 48-vjeçar humbi jetën rreth orës 16:30 të së dielës në një aksident të ndodhur në afërsi të fshatit Luz të Fushë-Krujës. Automjeti i drejtuar nga Luan Elezi ka dalë jashtë kontrollit dhe si rrjedhojë ka përfunduar jashtë rrugës duke shkaktuar vdekjen e shoferit, si dhe plagosjen e së fejuarës së tij 30-vjeçare.
Kjo e fundit është transportuar në spitalin ushtarak në kryeqytet dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia bënë të ditur se automjeti me targa CE 730 NP ishte nisur drejt Tiranës dhe është përplasur me kovën e një fadrome që ndodhej në anë të rrugës. Ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte që nuk i ka dhënë mundësi Elezit të frenonte.
Shkodër
Një i vdekur dhe një i plagosur janë bilanci i një aksidenti automobilistik të ndodhur në mesnatë në aksin rrugor Kryebushat -Mjedë në rrethin e Shkodrës. Ka qenë ora 01:30 e së dielës kur automjeti tip "Benz" me targë SH 7265 E ka dalë nga rruga dhe ka rënë në kanal.
Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit dhe është plagosur 49-vjeçari Muhamet Ymeri, lindur e banues në lagjen "Manush Alimani" të Shkodrës, i cili ndodhej në mjet si pasagjer.
Të dy personat mësohet se kanë qenë punonjës në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe ishin në turnin e natës. Ata kishin dalë për të blerë cigare dhe rrugës mjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanal. I plagosuri Ymeri është jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërsa policia po heton për shkaqet e aksidentit ku paraprakisht mendohet se ai ka ndodhur për shkak të një defekti teknik në mjet.
Durrës
Kanë qenë orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 07:00, kur Hekuran Metaj, 50 vjeç, ka gjetur vdekjen nga përplasja me një makinë me targa DR 2347 D që udhëtonte me shpejtësi në rrugën e re pranë unazës, në lagjen 17 të qytetit të Durrësit.
Policia e mbërritur në vendngjarje bëri shoqërimin e drejtuesit të mjetit. Pasi është bërë kontrolli i personit të aksidentuar u konstatua se ai nuk kishte asnjë dokument me vete dhe banorët përreth nuk e kishin parë ndonjëherë.
Policia ka filluar punën për identifikimin e viktimës, ndërsa në orët e pasdites u arrit të verifikohej se bëhej fjalë për 50-vjeçarin Hekuran Metaj, i lindur në Gramsh dhe banues në zonën e ish-kënetës në Durrës. Policia ka bërë shoqërimin e shoferit të mjetit A.D. i cili ishte banues në lagjen 15 të qytetit të Durrësit.
Fier
E diela në qytetin e Fierit ka shënuar dy aksidente ku janë përfshirë gjashtë automjete. Aksidenti i parë ndodhi në lagjen "16 Prilli" rreth orës 13:00 pranë një pike karburanti. Tre mjete u përplasën me njëra - tjetrën e përkatësisht një "Volksvagen Pasat" me targa FR 1254 C, një "Benz" me targa FR 0242 D dhe një mjet tjetër me targa të huaja.
Mësohet se ishte njëri prej mjeteve që në kohën kur po merrte kthesën për të dalë në rrugë kryesore ka shkaktuar përplasjen me dy mjetet e tjera.
Një gjë e tillë ka bërë që hyrja e qytetit të bllokohet deri në mbërritjen e policisë rrugore dhe largimin e mjeteve. Si pasojë e aksidentit janë plagosur tre persona, mes tyre një grua që është në gjendje të rëndë. Ndërsa vetëm pak minuta më pas ka ndodhur një tjetër aksident. Një automjet i cili ka shkelur rregullat është përplasur me dy të tjerë në lagjen "Afrim i Ri", ndërsa kanë mbetur të plagosur personat që ndodheshin në to, por pa plagë të rënda për jetën.