E Diel, 1 Nëntor 2026

Treni përplas furgonin pa pasagjerë, shpëton shoferi

TIRANË- Një furgon pasagjerësh është marrë zvarrë për 50 metra nga treni i linjës Tiranë- Durrës dje në orët e mbrëmjes, pa shkaktuar dëme në njerëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19 e 30 të së shtunës, në rrugën "Jordan Misja", pranë uzinës "Dinamo e re", kur furgoni me targa TR 0965 S është përplasur, kur në të nuk ndodhej asnjë person dhe është marrë përpara për më shumë se 50 metra duke sjellë dëmtimin e furgonit dhe të trenit që po lëvizte në drejtimin Durrës- Tiranë. Nga të dhënat e policisë së kryeqytetit mësohet se furgoni drejtohej nga Luan Çikaj, 40 vjeç, i cili e ka braktisur automjetin e tij në momentet që nuk ka arritur të kalojë shinat e trenit, ndërsa po afronte pranë tij. Shoferi është larguar pa ndodhur përplasja dhe nuk ka pësuar dëmtime, por mësohet se treni i linjës Tiranë- Durrës është dëmtuar. Drejtuesi i furgonit po shkonte për në shtëpi, pasi kishte zbritur pasagjerët e linjës Tiranë-Paskuqan, por pakujdesia ka bërë që të ndodhë përplasja dhe dëmtimi i makinës dhe trenit. Drejtuesi i furgonit është marrë në pyetje nga policia, ndërkohë ndaj tij është marrë masë administrative për mosrespektimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Ngjarja ka krijuar panik mes banorëve ku ndodhi përplasja, por nuk ka pasur asnjë të lënduar. Drejtuesi i makinës është larguar, pasi nuk ka nxjerrë makinat në rrugë, jashtë shinave të trenit dhe përplasja ka qenë e pashmangshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›