E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab z.Abdulahab Al-Bader, si dhe me përfaqësuesin e Autoritetit Kuvajtjan për Investimet, z.Bader Mohammad Al-Saad

- Zoti Abdulahab Al-Bader u shpreh se Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik është shumë i interesuar që të jetë pjesëmarrës në financimin e projekteve madhore për Shqipërinë, siç është projekti infrastrukturor i Boshtit të Jugut.

- Përfaqësuesi i Autoritetit Kuvajtian për investimet, zoti Bader Mohammad Al-Saad, mirëpriti ftesën e Kryeministrit Berisha për të investuar në Shqipëri, në projekte të rëndesishme, në sektorin energjitik, infrastrukturë, ndërtim, turizëm, në impiantet e përpunimit të ujrave minerale natyrale,etj.

Gjatë vizitës zyrtare në Kuvajt, Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një sërë takimesh në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Kryeministri Berisha u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik Arab zotin Abdulahab Al-Bader.

Duke shfrytëzuar rastin, Kryeministri Berisha falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën dhe mbështetjen e madhe financiare që Fondi Kuvajtian ka dhënë gjatë këtyre viteve për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet implementimit të një sërë projekteve të rëndësishme ekonomike, si në rrjetin e ujësjellsave, në sistemin e vaditjes, në infrastrukturë, në ndërtim dhe në projekte të tjera.

Gjithashtu kryeministri Berisha falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm zotin Abdulahab Al-Bader për fondin e akorduar nga ky Fond dhe nga qeveria e Kuvajtit, për qendrën e Tiranës. “Ky projekt, u shpreh kryeministri Berisha është një projekt i madh dhe i rëndësishëm si për Tiranën, zemrën e Shqipërisë, ashtu edhe për mbarë kombin.”

Nga ana e tij, Drejtori i përgjigjëm i Fondit Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik, zoti Abdulahab Al-Bader vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, veçanërisht në vitet e fundit. Në këtë kontekst, zoti Abdulahab Al-Bader tha se së shpejti do të vizitonte Shqipërinë për të parë më nga afër këtë progres.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit Kuvajtian shprehu kënaqësinë për implementimin me sukses të mjaft projekteve të financuara nga Fondi i Kuvajtit në Shqipëri. Gjithashtu zoti Abdulahab Al-Bader theksoi se Fondi i Kuvajtit ka dëshirën e madhe dhe besimin e thellë për vazhdimësinë e financimit të projekteve të mëdha dhe të rëndësishme për Shqipërinë, edhe në të ardhmen. “ Do të keni gjithmonë mbështetjen e Fondit të Kuvajtit për zhvillimin dhe modernizimin e vendit tuaj”, tha zoti Abdulahab Al-Bader.

Gjatë këtij takimi, u diskutua veçanërisht në projektet me rëndësi dhe interes të përbashkët për të dy vendet, siç janë prioritetet e qeverisë shqiptare, projektet e mëdha të infrastrukturës. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha nëvizoi se do të ishte me interes të madh për Shqipërinë, mbështetja nga ky Fond e financimit për Boshtit të Jugut, një rrugë kyçe për Shqipërinë, që shkurton ndjeshëm distancën me pikat kryesore turistike të vendit, si me Sarandën, etj. Lidhur me këtë projekt, zoti Al-Bader u shpreh se Fondi i Kuvajtit është shumë i interesuar që të jetë pjesëmarrës në financimin e kësaj rruge, së bashku me institucione të tjera të rëndësishme financiare, të rajonit ku bën pjesë Kuvajti. Zoti Al-bader u shpreh gjithashtu se për zbatimin e këtij projekti madhor duhet të ketë një shkëmbim dhe një bashkëpunim të shpeshtë mes stafeve teknike dhe ekspertëve për implementimin sa më të suksesshëm të tij.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Autoritetin Kuvajtjan për Investimet, zotin Bader Mohammad Al-Saad.

Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha e njohu zotin Bader Mohammad Al-Saad me projektet prioritet, të qeverisë shqiptare, të cilat ngjallin interesin e investitorëve kuvajtianë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin energjitik, infrastrukturë, ndërtim, turizëm, në impiantet e përpunimit të ujrave minerale natyrale ,etj

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se do të ishte me mjaft interes për qeverinë shqiptare, pjesëmarrja e Autoritetit Kuvajtian për Investime, në projekte të mëdha energjetike, sic është projekti mbi kaskadat më të mëdha të vendit, si dhe në resortet turistike, duke qenë se bregdeti shqiptar është ende i pashfrytëzuar, në pjesën më të madhe të tij.

Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të krijojë çdo lehtësi, për të gjithë investitorët kuvajtianë që do të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në projektet e mëdha energjetike dhe ato portuale.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Autoritetin Kuvajtian për Investimet, zotin Bader Mohammad Al-Saad, duke mirëpritur propozimet e Kryeministrit Berisha u shpreh se ato do të shihen me përparësi nga Autoriteti Kuvajtian për Investimet dhe siguroi për interesin që Shqipëria ngjall për investimet kuvajtiane, në rajonin e Ballkanit.


04/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›