E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Estonisë Andrus Ansip

- Kryeministri estonez Ansip u shpreh se Estonia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë. "Estonia është mbështetës i fortë i zgjerimit të mëtejshëm Bashkimit Evropian. Do të duhet pak kohë, por shpresoj që ne të jemi së bashku në BE."

-Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë estoneze, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt nga reformat e suksesshme që qeveria estoneze ka ndërmarrë për modernizimin e Estonisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, Kryeministrin e Estonisë, zotin Andrus Ansip dhe delegacionin që e shoqëronte. Pas takimit kokë më kokë të zhvilluar midis dy kryeministrave, si dhe bisedimeve zyrtare mes delegacioneve, u firmos marrëveshja dypalëshe për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal, në lidhje me tatimin mbi të ardhurat.

Pas firmosjes, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri estonez Ansip dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Berisha: "Sapo përfunduam bisedimet dhe firmosëm marrëveshjet me Kryeministrin e Estonisë, zotin Andrus Ansip, i cili vjen sot në një vizitë historike, në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe kombeve tona, në vizitën e parë zyrtarë te Kryeministrit të Estonisë në Shqipëri.

Në diskutimet që patëm me kryeministrin Ansip spikat qartë një vullnet i të dy qeverive tona, për të intensifikuar marrëdhëniet, në të gjitha fushat. Marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe këto marrëdhënie krijojnë një hapësirë të madhe për zhvillimin intensiv të marrëdhënieve ekonomike, kulturore , ushtarake dhe të gjithanshme.

Estonia është një shembull suksesi, në zhvillimin e saj të shpejtë dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Estonia ka shkallën e penetrimit më të lartë të IT në shoqërinë e saj, më të lartë se çdo vend tjetër. Estonia ia ka dalë të krijojë një klimë biznesi, ndër më të favorshmet në Evropë. Shqipëria është thellësisht e interesuar të ketë mbështetjen e këtij vendi në përpjekjen e qeverisë për realizimin e projektit “ Shqipëria digjitale”.

Me Kryeministrin Andrus Ansip ramë dakord për firmosjen e të gjitha marrëveshjeve të domosdoshme, të cilat krijojnë kuadrin më të mirë ligjor për bashkëpunim ekonomik, për investimet estoneze në Shqipëri dhe inkurajimin e tyre. Gjatë këtij takimi ne diskutuam mbi përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE dhe heqjen e vizave. E informova kolegun tim për reformat e ndërmarra dhe konceptin tim që këto duhet të jenë procese të bazuara mbi performancën, si interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.

Kryeministri Ansip më garantoi se Estonia do të jetë një avokat i përpjekjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në procesin e integrimit, sikundër qeveria e tij është plotësisht e gatshme, të na japë të gjithë ndihmën e mundshme në procesin e integrimit në BE, mbi bazën e eksperiencës së vet si dhe në procesin e heqjes e vizave. Unë dua ti uroj edhe njëherë mirëseardhjen në këtë vizitë shumë të rëndësishme dhe ti siguroj se qeveria shqiptare do të punojë me përkushtim për intensifikimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Estoninë, do të punojë ngushtë me qeverinë estoneze , në mënyrë që qytetarët shqiptarë të përfitojnë sa më shpejt nga reformat e suksesshme që qeveria juaj ka ndërmarrë për modernizimin e Estonisë dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Ansip:

“Përshëndetje!

është kënaqësi e madhe për mua të jem sot në Shqipëri. është kënaqësi e madhe të jem këtu në Shqipëri, sepse marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Estonisë janë në rrugën e duhur. Siç tha dhe kolegu dhe miku im i mirë, zoti Sali Berisha, kjo është një vizitë historike sepse është e para e vizitë e këtij lloji që zhvilloj në Shqipëri. Që të jem plotësisht i ndershëm, kjo nuk është vizita ime e parë në Shqipëri. Vitin që shkoi kam qenë së bashku me familjen time, erdhëm nga Korfuzi dhe vizituam Butrintin dhe Sarandën. Dhe mund të them me të vërtetë se Shqipëria është një vend me të vërtetë i bukur.

Marrëdhëniet tona politike janë shumë të mira. Dy vendet tona janë në NATO. Por, ka mjaft hapësirë për përmirësime në sektorin e biznesit. Siç përmendi ndërkohë kolegu im, ne në Estoni kemi mjaft të zhvilluar teknologjinë e informacionit elektronik.

Sikurse Kryeministri i tyre që erdhi në Shqipëri vitin që shkoi edhe estonezët kanë dëshirë ta zbulojnë Shqipërinë. Pres që të keni një bashkëpunim të frytshëm mes sipërmarrësve tanë. Në Estoni ne dëshirojmë që të futemi në zonën e EURO-s në janar të vitit 2011. E di që për Shqipërinë është me shumë rëndësi të futet në Bashkimin Evropian. Ne në Estoni kemi përvojë në përgatitjen e njerëzve dhe të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sigurisht, ne duam që këtë përvojë që kemi ta ndajmë me Shqipërinë.

Ka rëndësi që të vë në dukje se Estonia është mbështetës i fortë i zgjerimit të mëtejshëm Bashkimit Evropian. Do të duhet pak kohë, por shpresoj që ne të jemi së bashku në BE. Siç përmendi kolegu im, Estonia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë.

Mbaj mend sa e vështirë ishte për estonezët të shkonin në vendet fqinje, në Finlandë apo Britaninë e Madhe. Por, për të arritur deri këtu Estonisë iu desh të ndërmerrte disa reforma. Madje, reforma edhe më të mëdha iu desh të ndërmerrte për t’u futur në Bashkimin Evropian. Në Estoni këto reforma strukturore ne i realizuam me shpejtësi.

Gjithçka që bëmë ne në Estoni e bëmë për vete, nuk e bëmë për Brukselin. Mund të themi se të gjitha këto reforma strukturore që ne i realizuam në Estoni i bëmë për veten tonë. Ato ishin në të mirën tonë.

Shqipëria ka bërë përpjekje të lavdërueshme gjatë 20 viteve të fundit.

Por është e qartë që ne të gjithë duhet të vazhdojmë me ato reforma, me zhvillimet demokratike, ne në Estoni, ju në Shqipëri dhe sigurisht ne mund të mbështesim njëri tjetrin.

Pyetje: Zoti Kryeministër Ansip, si e shikoni mundësinë e heqjes së vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. A do të bazohet ky proces në meritën e secilit vend, sepse ka një tendencë, pavarësisht se udhërrëfyesit kanë qenë të ndarë, që vlerësimi të bëhet në bllok?

Kryeministri Ansip: Liberalizimi i vizave është një fushë ku blloqet nuk janë të rëndësishme se sa mënyra e kryerjes së punës. E di që në Shqipëri keni bërë përpjekje të lavdërueshme për sa i përket plotësimit të disa kushteve si janë pasaportat biometrike, kartat e identitetit dhe me siguri që do arrini aty. Liberalizimi i vizave nuk do të bëhet nga mënyra se si do e bëjnë këtë punë vendet e tjera.

Pyetje: Zoti Ansip, a keni identifikuar fusha të caktuara, ku ka interes Estonia për të investuar në Shqipëri, duke pasur parasysh se ju i konsideruat marrëdhëniet politike të shkëlqyera, por mesa duket ato çalojnë te çështje ekonomike?

Kryeministri Ansip: Faleminderit shumë për pyetjen tuaj. Siç thashë më parë, fusha e teknologjisë, e informacionit, është një fushë ku ne mund të bashkëpunojmë shumë mirë me Shqipërinë. Në Estoni është diçka mjaft e zakonshme për ne, që të përdorim zgjidhje të shumëllojshme elektronike, në të gjitha fushat. Pra në Estoni, kur ne filluam, me sistemin tonë të bankave tregtare, të përdorim sistemin elektronik të veprimeve bankare, u lanë mënjanë metodat tradicionale dhe të gjithë filluan të përdorin këto metoda. Pothuajse 99 për qind e veprimeve bankare në Estoni kryhen nëpërmjet sistemit elektronik. Kaq është e vërtetë, sa të gjithë, përfshirë edhe të moshuarit ndjehen shumë rehat në përdorimin e kompjuterit. Siç thashë të gjithë i kryejnë këto veprime elektronike, madje edhe pagesën e taksave e bëjnë nëpërmjet sistemit elektronik. Eshtë shumë e thjeshtë, edhe kur plotëson deklaratën e taksave. Siç mund ta merrnin me mend, mjafton të futesh në internet, e ke gati formularin, plotëson fushat ku duhet të fusësh informacion dhe brenda 5 ditësh paratë i ke në bankë. Në Estoni, madje edhe zgjedhjet i kryejmë në mënyrë elektronike. Në vitin 2005 bëjmë zgjedhjet lokale, të cilat i realizuam nëpërmjet votimit elektronik. Edhe vitin e kaluar patëm dy zgjedhje, për Parlamentin Evropian dhe sërish zgjedhje të tjera lokale. Vitin që shkoi, rreth 15 për qind të votave i numëruam nëpërmjet internetit. Në Estoni njerëzit i besojnë shumë sistemit elektronik të votimit, askush te ne nuk kërkon rinumërim. Kur ne i besojmë paratë tona, që lëvizin nëpërmjet internetit, atëherë përse të mos kemi besim edhe te vota e hedhur nëpërmjet internetit! Dua të siguroj mundësi më të mëdha për të gjithë njerëzit për marrë pjesë në jetën publike, që jetojnë me internetin. Ne në Estoni kemi edhe kadastrën e tokave elektronike dhe të gjithë njerëzit i besojnë këtij sistemi që kemi në fuqi. Pra siç thashë, është diçka mjaft e zakonshme që njerëzit në Estoni t’i besojnë të gjitha llojeve të zgjidhjeve elektronike. Edhe ne, sikurse ju këtu në Shqipëri, kemi baza të ndryshme të dhënash, nuk kemi një bazë të vetme të madhe për të dhënat. Por neve mund t’i shfrytëzojmë të gjitha këto baza të dhënash, të kalojmë nga njëra te tjetra. Këto lloj zgjidhjesh që kemi, ne mund t’ia ofrojmë edhe Shqipërisë. Shteti te ne, ka të drejtë t’i kërkojë qytetarëve një lloj informacioni të caktuar, vetëm një herë. Nuk lejohet që qytetarëve tanë të njëjtën pyetje t’ia bëjmë dy herë. Ne kemi edhe polici elektronike, mjekësi dixhitale dhe jemi të gatshëm që këto eksperienca t’i ndajmë me Shqipërinë.

Pyetje: Zoti kryeministër, ju në fakt e keni hedhur edhe më parë idenë e votës elektronike, mesa duket do ta merrni këtë eksperiencë nga Estonia pasi aty nuk ka kontestime për sa i përket rinumërimit të votimeve?

Kryeministri Berisha: Lidhur me votimin elektronik unë jam plotësisht në favor të tij. Ajo çka unë do të propozoja është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike. Unë personalisht kam besim të plotë, nuk kam as më të voglin dyshim, se thashethemet dhe frika në zgjedhje ndaj sistemeve elektronike, janë provuar tërësisht të pabazuara. E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira, më transparente.

Pyetje: Si e shikoni situatën politike në Shqipëri, duke pasur parasysh që ka një skenar protestash të miratuar nga opozita të cilat kulmojnë më 30 prill dhe nuk ka një marrëveshje politike për zgjidhjen e këtij ngërçi?

Kryeministri Berisha: Për sa i përket qëndrimit të opozitës unë mund të theksoj se vendimi i parlamentit për komisionin parlamentar, për transparencë të plotë për çdo gjë tjetër përveç çështjeve, për të cilat ka vendime gjykatash, është i parefuzueshëm për të gjithë ata që dëshirojnë transparencë. Protesta janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë, e garantuar me Kushtetutë, me të gjitha rregullat.


05/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›