8 Dhjetori, Berisha: Jemi 21 vite drite larg Topi: Politika s’ndoqi të njëjtat ideale
Berisha nga Marseja: “Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra europiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Europës u bë realitet”. Topi: “Demokracia do të kishte qenë edhe më e fortë nëse politika e tranzicionit do të ishte udhëhequr nga të njëjtat ideale”
TIRANË Në 21-vjetorin e Lëvizjes Studentore, Ditës Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë uruar përmes deklaratave zyrtare. Kryeministri Berisha ndodhet në Marsejë të Francës, ku po merr pjesë në punimet e Kongresit të PPE-së dhe prej andej ka përcjellë një mesazh urimi për Ditën Kombëtare të Rinisë: “Shqipëria 21 vjet më pas është 21 vite drite larg asaj që ishte në dhjetorin e vitit ‘90. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Ëndrra europiane e të rinjve të vendit më të izoluar të Europës u bë realitet. Gjaku i atyre dhjetëra e dhjetëra në mos qindra të rinjve dhe të rejave që u ekzekutuan barbarisht në kufijtë e vendit në vitin ’90, u bë dritë dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Europën”. Kryeministri përshëndeti rininë shqiptare, duke e konsideruar atë si forcën kryesore të demokracisë së vendit. “Ju përcaktuat fitoren e qendrës së djathtë në vitin 2009, përcaktuat fitoren me votën tuaj, fitoren e vitit 2009, fitoren e këtyre parimeve në vitin 2011 dhe kam bindjen më të plotë se ju, me energjitë, me mençuritë, me vizionin, me përkushtimin, me idealet e larta fisnike të dhjetorit të viteve ‘90 do të përcaktoni fitoren më të thellë të qershorit të vitit 2013”, - shtoi ai. Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi e sheh këtë 21 dhjetor në një tjetër prizëm. Përmes një njoftimi për shtyp, Topi thekson se Lëvizja Studentore e Dhjetorit ’90, është dhe mbetet një nga ngjarjet më kulmore në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare. “Gjatë këtyre viteve është bërë përparim i dukshëm, demokracia dhe shteti i së drejtës kanë shënuar arritje, Shqipëria është vend anëtar në NATO dhe me perspektivë të qartë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kam bindjen e thellë se ky bilanc do të kishte qenë edhe më pozitiv, se demokracia në Shqipëri do të kishte qenë edhe më e fortë dhe integrimi euroatlantik edhe më i shpejtë dhe i plotë, nëse klasa politike shqiptare e tranzicionit do të ishte udhëhequr në veprimet e saj nga të njëjtat parime idealiste dhe qytetare të Lëvizjes Studentore të vitit ‘90”, - thekson Topi. Presidenti i Republikës veçon se asnjëherë më parë nuk ka pasur një lëvizje kaq elitare, përfaqësuese dhe idealiste, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe përgjegjësie ndaj vendit dhe fateve të tij. “Ai brez pati kurajën t’i kundërvihej njërit prej regjimeve më staliniste në Europë, pati mençurinë të shpaloste një program kërkesash politike thellësisht demokratike dhe europiane, si dhe pati aftësinë të administrojë kontributet më të çmuara të mendimit liberal dhe intelektual të kohës. Nderimi ynë shkon sot tek të gjithë ata të rinj studentë, që me 8 dhjetor ’90 ndryshuan njëherë e mirë historinë e vetes, familjes dhe të mbarë Shqipërisë. Një nderimi i veçantë shkon për Azem Hajdarin, studentin udhëheqës të Lëvizjes Studentore, për Arben Brocin dhe emra të tjerë përfaqësues të kësaj lëvizjeje, që u ndanë nga jeta në përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar parimet politike për të cilat u ngritën në Dhjetor ’90”, - shprehet Topi.