E Diel, 1 Nëntor 2026

Delegacioni i PE-së takim përgatitor për Shqipërinë

Misioni diplomatik shqiptar pranë BE-së dhe Komisioni Evropian, vlerësuan angazhimin e forcave kryesore politike për reformën zgjedhore, atë parlamentare, emërimin e avokatit të popullit dhe në miratimin e ligjeve  me shumicë të cilësuar.

Duke iu referuar angazhimit të dhënë nga autoritetet shqiptare për rezultate konkrete përpara Marsit 2012, përfaqësuesit e Komisionit insistuan që plani i aksionit për 12 prioritetet kyce të finalizohet, mundësisht, brenda kësaj jave.

Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë Integrimi në KE:

"Është ekstremisht e rëndësishme që plani i aksionit të finalizohet sa më shpejt, të freskohet sa më shpejt me përcaktime dhe afate kohore realiste, në mënyrë të tillë që Shqipëria të ketë më pas mundësisht një periudhe më të gjatë kohe për zbatimin e tij. Për mua, nëse do të ishte e mundshme, ky plan aksioni do të ishte mirë që të rifreskohej dhe finalizohej këtë javë. Në ditët në vijim do të ishte më mirë sesa më vonë, por sigurisht ata mund të marrin kohën fizike të nevojshme për rifreskimin dhe për t'u siguruar së ky plan është gjithëpërfshirës".  

Mimoza Halimi, Ambasadore e Misionit të Shqipërisë pranë BE:

"Ne presim që Këshilli i Dhjetorit të reflektojë realitetet e reja në terren, të mbështesë dhe inkurajojë më tej Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur 12 prioritetet kyçe, të identifikuara në Opinion. Për ne, është e qartë si kristal se përmbushja e këtyre prioriteteve është e vetmja rrugë që vendi të marre statusin kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim".

Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë në KE:

"Sfida kyçe për forcat dhe institucionet shqiptare është që të dëshmojnë në realitet se ata mund të zbatojnë këtë marrëveshje të arritur, në të gjithë elementët e saj: kalimi i ligjeve me shumicë të cilësuar; më shumë domethënës është ndryshimi i rregullave të procedurës parlamentare, ku mendoj se Parlamenti Europian mund të japë ndihmë, si dhe në përfundimin e reformës elektorale, e për këtë mendojmë se ekziston mundësia që puna të mbyllet në kohë, në mënyrë që të ketë rezultate përpara Marsit 2012.

Tashmë që ekziston një kuadër më i favorshëm politik për të përcaktuar dhe zbatuar reformat, ne besojmë se puna duhet fokusuar dhe në prioritetet e tjera që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe të drejtën e pronës, çfarë është element kyç si për krijimin e kushteve të duhura tek sundimi i ligjit dhe për zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë këshilla, por këto si pjesë shoqëruese ndaj planit shqiptar të aksionit".

Victor Bostinaru, ZV/KR delegacioni i PE për Ballkanin, S&D:

"Është i rëndësishëm të arrihet angazhimi në dy gjëra: jo vetëm që të kemi afate të përcaktuara kohore, por dhe garanci nga të dy palët se përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që së shpejti do të na shfaqen si çështja kyçe e jetës politike në Tiranë, të kemi garanci se dy blloqet politike do të punojnë dhe do të zbatojnë, siç duhet, me bindjen se ata po i shërbejnë Shqipërisë, dhe jo të vënë në rrezik, apo të dëmtojnë, agjendën evropiane të Shqipërisë, sic kanë vepruar së fundmi."   

Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE, PPE:

"Unë dhe zoti Svoboda kemi vendosur t'i shkruajmë një letër të hapur për t'ia dërguar zotit Berisha dhe Zotit Rama, në të cilën mirëpresim disa lajme pozitive të kohëve të fundit, por bëjmë apel ndaj tyre që të vijojnë dhe të kultivojnë këtë kulturë ndryshimesh, në mënyrë që të shohim tek ata sa më shumë qëndrueshmëri".

Për ekonominë, Komisioni këshilloi që të tregohej "kujdes", e po kështu dhe për sa i takon respektimit të detyrimeve nga procesi liberalizues i vizave, ku, megjithëse vlerësohet rënie në numrin e azilkërkuesve, ekziston "rreziku" sipas zotit Maragos.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit u vlerësua nga të dy palët se po zbatohet pa pengesa në përgjithësi. Ndërkohë që për lirinë e medias, çështje e ngritur në takim nga Eurodeputetja Fajon, ambasadorja shqiptare tha se kjo mbetet një çështje kyçe sic përmendet dhe në raportin e fundit të  progresit,  ndërsa zyrtari i Komisionit tregoi se për ndryshimet e duhura ligjore,  Komisioni dhe Këshilli i Evropës kanë nisur procesin e konsultimeve me autoritetet vendase.

Vassilis Maragos, Zv/shef i Njësisë për Shqipërinë në KE:

"Vijojnë bisedimet në nivel ekspertesh. Në mes të dhjetorit do të ketë një takim me ekspertë nga Këshilli i Evropës, që së bashku me atë të Komisionit do të bisedojnë mbi cfarë theksohet në raport si pavarësia e linjës editoriale, pavarësia e çdo gazetari, të paturit të standardeve në këtë fushë dhe të sigurohemi se mjedisi pluralist ekziston, sepse është e rëndësishme për të gjitha vendet, e jo vetëm për Shqipërinë, ndaj do të fokusohemi tek kjo pjesë gjatë periudhës në vijim".
 
Takimi i 4-t ndërparlamentar PE-Shqipëri kësaj radhe do të zgjasë vetëm 1 ditë dhe kreu i delegacionit, Kukan shpreson që të arrihet marrëveshje për një deklaratë të përbashkët përfundimtare me rekomandimet përkatëse.

Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE, PPE:

"Ne jemi gati që të sillemi me mjaft përgjegjshmëri dhe ne presim të njëjtën gjë nga partnerët shqiptare."
 
Gjatë vizitës dy-ditore në Tiranë, 7 eurodeputetët, që kanë pranuar të vizitojnë vendin, do të zhvillojnë takime me drejtuesit e partive politike, institucioneve shtetërore, përfaqësuesit e shoqërisë civile si dhe do të bisedojnë me studentët e përzgjedhur të një universiteti privat. /TCH/Start/

                                                                                             2011-11-30 08:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›