Reforma zgjedhore, sot mblidhet Komisioni
TIRANE- Komisioni i Reformës Zgjedhore mblidhet sot ne takimin e pare, tri javë pasi u miratua ngritja e tij në Parlament. Mbledhja pritet te nise ne mesdite, njoftuar nga bashkëkryetarët e këtij komisioni, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Ilir Rusmali nga Partia Demokratike dhe me synim plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga OSBE/ ODIHR-i pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 dhe 8 majit 2011.
Burime pranë Komisionit bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se në mbledhjen e sotme do të caktohen ekspertët e forcave politike që do të punojnë në nivel teknik me ndryshimet e Kodit si dhe do të përcaktohet plani i punës për një periudhë tremujore.
Javën e kaluar, në një mbledhje të partive të vogla, u kërkua me ngulm ndryshimi i sistemit nga proporcional rajonal në proporcional me korrektim kombëtar. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se ne jemi kundër listave të mbyllura, sepse lisat e mbyllura dëmtojnë parlamentarizmin. Të gjendet rruga edhe për tu dhënë mundësi votuesve që të zgjedhin jo vetëm partinë, por dhe kandidatët brenda forcave politike. Ka shumë hapësirë për të eliminuar të gjitha ato marifetet e të ashtuquajturit sistem spanjoll, i cili cenon barazinë e votës, kur këtë e garanton vetë Kushtetuta.
Ndërkohë, opozita ka shprehur qëndrimin e saj kundërshtues ndaj kërkesave të të vegjëlve sa u takon listave. Kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi në Kosovë, është shprehur indirekt kundër listave të hapura. Në selinë e LDK-së folëm për cilësinë e procesit zgjedhor. Miqtë e LDK-së i vlerësojnë të dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin elektronik, shprehet Rama në Twitter, pas një takimi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.
Gjatë mbledhjes së sotme pritet të shihet edhe qëndrimi i demokratëve sa i takon sistemit zgjedhor dhe listave.