Delegatët e ish-Kuvendit të Kosovës ende pa status

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë asgjë sa i përket statusit të delegatëve të ‘90-ës. Për t’u rregulluar statusi i tyre, është paraparë të bëhet një ligj i veçantë.
Neni 23, pika dy e Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, e parashihte që statusi i deputetit të legjislaturës 1990-2000 të rregullohej me ligj të veçantë, por ky ligj u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ngase disa prej neneve i pati cilësuar si antikushtetuese.
Por, si duket njëjtë po trajtohet edhe në draft-ligjin, i cili po punohet nga nënkomisioni për mandate e imunitete i Kuvendit të Kosovës.
Në këtë draft- ligj, të siguruar nga KTV-ja, shihet se sa i përket statusit të delegatëve të ‘90-ës nuk ka ndryshuar asgjë, megjithëse ende është duke u përpunuar.
Edhe aty thuhet se statusi i tyre duhet të rregullohet me ligj të veçantë. E, pikërisht ky emërtim i nenit nuk u ka pëlqyer delegatëve të ’90-s.
Iljaz Ramajli, kryetar i Kuvendit të atëhershëm, thotë se do të ishte mirë që edhe delegatët e asaj kohe të futeshin në po të njëjtin ligj, i cili do të rregullonte të drejtat e përgjegjësitë e deputetit, e jo me një ligj të veçantë, siç planifikohet të jetë.
Ramajli është i bindur se privilegjet e tyre nuk do të mbingarkonin buxhetin e Kosovës. Ndërsa, Halit Muharremi, sekretar i Kuvendit në atë kohë, mendon se do të ishte jokorrekte nëse në Ligjin për deputetë nuk do të përfshiheshin edhe delegatët e para 22 vjetëve.
Muharremi, madje, bën një thirrje publike që me ligj të rregullohet edhe e drejta për qeverinë e asaj kohe.
Të vetmen mirënjohje që ata e morën ishte ajo kur në 2010-n presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, iu kishte dorëzuar “Dekoratën e artë të Pavarësisë” 114 delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990 patën shpallur Deklaratën Kushtetuese të Kosovës, kurse më 2 shtator të po atij viti miratuan edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Vendimi për dekorimin e tyre ishte marrë në vitin 2004 nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, por u realizua vetëm gjashtë vjet më vonë./Indeksonline/