Delenda Carthago
Titulli në latinisht i këtij shkrimi mund të përkthehet në: “Të shkatërrohet Kartagjena”. Është një thirrje e senatorit romak, Katoni i Vjetër, në revanshin kundër Kartagjenës. Siç dihet, Hanibali i Kartagjenës ia kalli tmerrin Romës antike, duke e dyndur ushtrinë e tij para portës së romakëve (Hanibal ante portas). Tanimë i kishte ardhur radha romakëve, me atë thirrjen e famshme, për të shkatërruar Kartagjenën.
Por nëse jemi tepër larg kohës së sotme, 146 vjet para Krishtit, dhe s’e kemi hallin tek ai konflikt i thershëm historik, megjithatë na duhet të sjellim në kujtesë atë kanosje të tmerrshme shkatërrimtare. Në qoftë se më tepër se 2000 vite më parë një vend kërkonte të shkatërronte vendin tjetër fqinj (Kartagjena gjendej afër Tnizisë së sotme), historia ka regjistruar, në analet e saj të kohës së re, mjaft individë të përdhosur, narcizë dhe egocentrikë, që nuk duan t’ia dinë fare për fatet e vendit të tyre. E kemi përmendur edhe në origjinal thënien e Luigjit XVII, “pas meje kiameti le të bëhet”. Kemi folur, po ashtu, për Grigor Rasputinin (1864-1916), djallin me brirë ose shenjtorin e rremë, që e përshpejtoi rrokullimën e Perandorisë së Nikollës II, për ta çuar Rusinë nga shiu në breshër. Tani i erdhi radha Shqipërisë që të ketë një keqbërës tiranik i cili, nga një hiç ekscentrik, nga një antikomunist i tërbuar dhe i pabesuar, t’ia mbathë nga sytë këmbët si mërgimtar në Francë, për t’u marrë me kashaisje kuajsh dhe me ndonjë ekspozitë për të tërhequr vëmendjen e disa ekstravagantëve dhe mitomanëve. Kishte marrë me qira një bunker, nga mbeturinat e Luftës I Botërore, të cilin e kishte llagavitur me penelata zifti dhe me varjen e disa të brendshmeve të grave, për të zbavitur ata dhe ato që në Francë përbëjnë një grupim mikroskopik trushkulurish që quhen “populace” (popull merre –merre: “bas peuple”, në fjalorët francezë). Si gojëlëshuar, ky individ kishte ikur me tërsëllëmë, duke i lëshuar edhe një sharje atdheut të vet: “Shqipëri, të kam dh...-rë”.
Këtë farë personi, një kryetar partie e tërhoqi nga stallat e Parisit, “me thonj të paprerë” (shprehje autentike e bamirësit) dhe e pruri në Tiranë, drejtpërdrejt e në postin e ministrit të Kulturës. I pari ministër që, përulësisht, bëri lutje kryetarit për të qenë anëtar i thjeshtë partie!
Është e tepërt që të themi se e kemi fjalën për Edi Kristaq Ramën.
Historia e këtij individi si ministër është e zymtë. “Përulësisht”, thamë pak rreshta më sipër. Por shpejt i ngriti pimzat dhe i bëri të gjithë artistët, piktorë, skulptorë, tenorë, basë, soprano, mexosoprano, balerina, balerinë, që të flasin me vete. Kaq i bënte parvënysë. Me zë shungullues, i batërdisi të gjithë të panënshtruarit. Ajo periudhë mbahet mend si një kohë obskurantizmi për artin shqiptar. Ikën të shkretët artistë si mundën, me gjysmadokumentesh identifikimi, me rrezikun mbi kokë. Por, si të talentuar, bënë emër në vendet ku vajtën. Dhe secili shtet e pati për nder që t’i bënte qytetarë të tij. Po pjesa që mbeti? Ajo u fut e tëra në grevë, e tëra! Si njeri që s’i duronte grevat (!), Edi i nxori në mënyrë brutale, me shkopinj gome, duke i tërhequr zvarrë nga vendet e ngujimit!
Ata që lindën në atë vit të zymtë për artin shqiptar, sot janë 13-vjeçarë. Nuk mbajnë mend se në ç’gjendje ishte muzika shqiptare, sa për të marrë në shqyrtim një pjesë të aktiviteteve artistike. Sa aktivitete artistike kishte? Sa konkurse këngëtarësh kishte? Sa promovime talentesh, që sot hyjnë në kategorinë e gjeniut të vogël, kishte? Asfiksi e plotë! Nëse e teproj, le të pyesin më të mëdhenjtë.
Nuk vonoi dhe ky i dështuar si ministër i Kulturës, na u bë kryebashkiak. Autoritarizmi i tij u bë i pafrenueshëm. Në vitin 2005, në nënvetëdijën e tij, shpërtheu nga një gëzim i fshehur keqazi, për humbjen që socialistët pësuan në atë vit . “E kemi me hak humbjen”, - u tha këpëdarëve apo, siç quheshin ndryshe me shpotí, kongresmenëve të tij, të zgjedhur kokërr më kokërr. Duhej që t’i zinte vendin bamirësit të tij, që e kishte prurë nga Parisi, për të keqen e vet (dhe të popullit shqiptar). Dhe uturiu: - Ai tetëvjeçar ka qenë i mallkuar, i korruptuar sa më s’ka, me skafe ilegale, me trafiqe droge e prostitucioni, me milionerë të korruptuar... Zgjedhjet e vitit 2009, më të mira se ato të 2005-s, u quajtën të vjedhura, të manipuluara, të falsifikuara! Tani neni 28 i statusit të PS-së, i rrinte në kokë, si çekan, që të pësonte edhe ai fatin e paraardhësit. Elita e kësaj partie, nën siglën LMN, nxori në shesh se zgjedhjet paskëshin qenë të tilla, se ai nuk pranonte të jepte dorëheqjen. Por këtë Lëvizje për Mendimin Ndryshe ai ai e vuri nën thundër, me grusht të hekurt. Ai slogani për transparencë, u shndërrua në një grotesk. Sepse mbledhjet për t’i dhënë colpo di grazia-n LMN-së u bënë në salla të mbyllura, pa gazetarë, pa kamera, madje edhe me kuaj të Trojës përbrenda! Tani një pjesë e madhe e kësaj lëvizjeje është shndërruar në një grupim memec, madje vasal. Mjafton të përmendim se disa prej atyre që i quajtën të dëmshme veprimtaritë bojkotuese të parlamentit, grevat e urisë në mes të bulevardit, me çadra haxhiqamiliste përpara kryeministrisë, bllokimet në parlament të vendimeve që kërkonin votë të cilësuar, në përfitim të të dy palëve, mjaft prej tyre, - duam të themi , përfunduan vetë si grevistë!
***
Tani, në zgjedhjet administrative të 8 majit të këtij viti, E. Rama po e tregon me bollëk prepotencën e tij. Së pari, deshi t’i bllokonte fare këto zgjedhje. Pastaj, kur koha po skadonte në rënien e gongut, “pranoi” të merrte pjesë në këto zgjedhje, por duke paralajmëruar se ai do të ishte fituesi. Nuk kuptonte se njerëzit e kuptonin domethënien: të pranueshme për të do të ishin ato zgjedhje në të cilat të fitonte ai! I shndërroi zgjedhjet administrative në zgjedhje politike, në mënyrë që të mos ballafaqohej me kandidatin e fortë, Lulzim Basha. Në vend të emrit të politikanit që e sfidoi me sukses, Edi përmendte Berishën. Edit i doli blof ajo hapja e kutive që mëtonte. Se tani po kërkon mbylljen e tyre! Nga ana tjetër këto zgjedhje, treguan përparimin e sigurt të L. Bashës, jo në kuptimin që E.Rama të ishte fitues (“historik!”) me + 10 vota(!), por në kuptimin që votat e Bashës të numëroheshin një për një. Parulla e populistëve rrëmujaxhinj “duam të shohim votat tona”, u shndërua në një bumerang: “Basha mos t’i shohë votat e tij!”.
Rama e shpalli veten fitues, por dardha e kishte bishtin prapa. Ai nuk e ka tagrin e shpallësit të fituesit. Por ai nuk do t’ia dijë për ligjet. Po ashtu ai e kishte të ndaluar që të bënte propagandë zgjedhore më datën 9 maj, ditën e shtunë. Por ai s’e pati për gjë të vërë derë më derë, një si revistë me propagandë gënjeshtrash e mashtrimesh. Ai s’do t’ia dijë për ligjet. Ai kërkon ta paraqesë shtetin e tij si një vend antiligjor!
Tani vijmë te numërimi i votave: Në cilin nen të Kodit Zgjedhor thuhet se vota është e pavlefshme, në kutinë e gabuar? A është vota ajo që shpreh vullnetin e votuesit, apo kutia? Kutia nuk është veçse një mjet lehtësimi për numëruesit. Ata që thonë se kutia shpreh vullnetin e votuesit, janë të djallëzuar dhe bien ndesh me Kushtetutën.
Juristi Gjata na ka shpjeguar: Meqë nuk kemi një nen të saktësuar në Kodin Zgjedhor, atëherë do të shohim edhe Kushtetutën. Gjata tregon nenin e kushtetutës që thotë se “votimi duhet të jetë i lirë, i fshehtë dhe i barabartë”. Nuk mund të veprohet nëse cenohet njëra nga këto klauzola. Sipas arsyetimit të të djallëzuarve, barazia cenohet. Tani Lulzim Basha është 80 vota para asaj “dhjetëshes historike” të Edi Ramës. Por e thamë: Edvini nuk e pranon humbjen. Dhe tani, bëhen thirrje nga ai dhe nga vasalët e tij për revoltë popullore, “paqësore”! Sesa paqësore janë, e pamë sesi iu vërsulën KQZ-së. Të shfytyruarit agresivë, iu ngjitën edhe sipër kangjellave, për të dalë përtej. Do të sabotohet KQZ-ja në vendimmarrjet e saj? Punë e madhe! – për Ramën. Anarkistët ngriheshin në havà nga zhurmaxhinjtë e tjerë dhe policët te kangjellat duhej të kishin kujdes që t’i mbanin edhe ata me terezí hopa, që të mos mbeteshin harakiri në heshtat e kangjellave! Përndryshe do të quhej policia vrastare! Ç’provokatorë! Eugen Volfart tha: “Duhet të vë në dukje punën e mirë të policisë”. Kreu i delegacionit evropian, Kugan, e quajti zhgënjyese këtë gjendje. Kuptohet: jo për përkushtimin e policisë, por për ata që mësynë mbi policinë! Baronesha Ashton u shpreh se populli shqiptar e meritonte, si Mali i Zi, hyrjen në BE. (Kjo do të na sillte të ardhura të jashtëzakonshme, me një votim në 2/3-t në parlament. Rama i hodhi në erë këto të ardhura, në shërbim të të dy palëve. Sigurisht me këtë gjendje, në të cilën gomat e ndezura flakë mbulojnë rrugët dhe autostradat, dëmtohet thellësisht edhe turizmi. Por shkatërrimtarit do të vijë koha që t’i vihet gishti: “Delenda Albania”!