Delia: TEDA Tiranë, projekt strategjik për nxitjen e investimeve në teknologji dhe industri

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ TEDA Tiranë është një projekt strategjik për të nxitur investimet në teknologji dhe industri, duke ofruar lehtësira për investitorët në sektorë si teknologjia, automotive, inovacioni dhe prodhimi.
I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes mes “TEDA Tiranë”, Zona e Lirë Ekonomike e Bashkisë së Tiranës, dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, që u zhvillua sot në Tiranë, Dritan Delia administrator i TEDA Tiranë, vlerësoi marrëveshjen si gur themeli në krijimin e një ekosistemi, për thithjen e investimeve, rritjen e punësimit dhe forcimin e pozitave të Tiranës, si një qendër inovative të teknologjisë.
Sipas tij, në vetëm pak kohë nga nisja e punimeve në “TEDA Tiranë” po zhvillohet faza e dytë e punimeve ku po ndërtohen objektet e administratës, Doganës, Tatimeve dhe një pjesë e Bashkisë Tiranë.
“Jemi angazhuar për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, kushte të favorshme për të gjitha bizneset dhe promovuar TEDA-n si zonë strategjike për investimet e huaja”, tha Delia.
Ai e konsideroi zgjedhjen e Tiranës nga “H.A.P.I Advanced Technologies LTD” dëshmi të besimit që po krijohet te investitorët e huaj.
“Investimi për krijimin e një Data Center moderne është hap i rëndësishëm për vendosjen e Tiranës qendër kryesore për ruajtjen e të dhënave në rajon dhe kjo marrëveshje është fillimi i një zinxhiri investimesh dhe partneritetesh strategjike, që synojmë të realizojmë, si në industrinë automotive, prodhimin e avancuar dhe teknologjitë digjitale”, u shpreh Delia.
Delia tha se, punimet në kantierin e ndërtimit po ecin me shpejtësi për të sjellë një model bashkëkohor për bizneset dhe sipërmarrjet.
Përmes TEDA Tirana, qeveria dhe bashkia kanë krijuar një stacion duke i dhënë një status ligjor kësaj zone të lirë ekonomike, ku një kompani mjafton vetëm të paraqitet tek enti zbatues, për t’u akomoduar në të. /j.p/