E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shqipëria po performon dukshëm më mirë se vendet e rajonit, borxhi publik ra me 16% në 10-vjeçarin e fundit

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Shqipëria ka arritur të ulë nivelin e borxhit publik përgjatë dekadës së fundit me rreth 16%, duke shkuar në fund të vitit 2024 në nivelin 54,7% nga mbi 70% që ishte në vitin 2013.

Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se rritja ekonomike dhe ruajtja e një balance primare janë faktorët kryesorë që ndikuan.

“Në uljen e borxhit një indikator i rëndësishëm që ndikon është rritja ekonomike dhe miradministrimi i shpenzimeve buxhetore, duke ruajtur në të njëjtën kohë edhe një balancë primare pozitive”, tha Malaj, në një intervistë në medie.

Sipas tij, Shqipëria uli borxhin publik me 16% në një dekadë, kur në vendet e rajonit borxhi publik ka shënuar rritje me rreth 3,2%.

Ministri theksoi se Shqipëria po performon dukshëm me mirë së vendet e rajonit.

“Ulja e borxhit të Shqipërisë, në 10-vjeçarin e fundit është rreth 16 %. Nga mbi 70 % në fund të vitit 2013, ka zbritur në 54,7% e PBB-së në fund të vitit 2024. Nëse do të bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, në këtë 10-vjeçar, në Shqipëri niveli i borxhit është ulur me rreth 16 %, në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi një rritje të borxhit me rreth 3,2 %. Jemi dukshëm duke performuar më mirë se sa vendet e rajonit”, tha ai.

Ministri po ashtu vuri në dukje se forcimi i monedhesë vendase përkundrejt uros dhe dollarit ka pasur një peshë prej rreth 1%.

“Po të analizojmë kompozimin e borxhit, shikojmë se 43 % e borxhit është borxh i huaj, i denominuar në valutë të huaj, ndërkohë mbi 50% e tij është borxh në monedhën vendase. Patjetër që në tre vitet e fundit kursi i këmbimit ka pasur një rol në uljen e borxhit. Për 2024-ën pesha e kursit të këmbimit ka qenë rreth 1%. Por faktorët kryesorë në këtë 10-vjeçar janë rritja ekonomike dhe ruajtja e një balance pozitive primare, që ndikon direkt në uljen e nivelit të borxhit”, u shpreh ministri Malaj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›