E Diel, 1 Nëntor 2026

Delina një frymëmarrje e re artistike, që solli një përjetim të bukur

Artistë të njohur të artit vlerësojnë veprën e Zadesë në skenën e TKOB

Mes vegimesh legjendare e dramatike zbriti në skenë e TKOB vepra e Çesk Zadesë, baleti Delina. Me muzikë të artistit të madh Zadeja dhe koreografi nga i njohuri Agron Aliaj, kjo vepër erdhi premierë, ku dirigjimi i veprës iu besua dirigjentit të njohur Bujar Llapaj. Këtë pjesë shqiptare e përcollën solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso e trupa e baletit, ndërsa skenografia

dhe kostumet të përgatitur nga Taulant Pustina. Ky balet u rikthye në skenën shqiptare pas 46 vjetësh. Për herë të parë është shfaqur në skenën e TKOB në vitin 1964 me koreografi të Panajot Kanaçit. Libreti është shkruar po nga Kanaçi, bashkë me Çesk Zadenë. Solistët e parë të këtij baleti kane qenë Agron Aliaj në rolin Arbanit dhe Zoica Haxho në rolin e Delinës. Delina konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar dhe kjo rivënien në skenën e TKOB bëri që publiku të përjetonte emocione të fuqishme, që vetëm nga muzika e Zadesë dhe nga koreografi Agron Aliaj mund ti marrësh. Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e Norës së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës. Libreti është ndërtuar në një ndërthurje te personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore, të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pashlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre.  Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë, Rikthimi i Doruntinës për të mbajtur besën, Nora që lindi vajzë kundër dëshirës së përbetuar të atit, që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Kjo kryevepër shqiptare për suksesin që ajo pati në skenën e TKOB është komentuar dhe vlerësuar dhe nga emra të njohur të artit shqiptar.

Alqi Lepuri: Me Delinën përjetuam emocione të bukura
Dirigjenti i njohur prof. Alqi Lepuri i pyetur rreth veprës shqiptare me muzikë të Çesk Zadesë Delina, e cila erdhi në skenën e TKOB nga koreografi i njohur Agron Aliaj pohon se kjo shfaqje ishte një eveniment i rëndësishëm për skenën shqiptare, e cila për shumë të tjerë solli nostalgji. Baletin Delina unë e konsideroj si një ngjarje shumë të rëndësishme në skenën e TKOB. Rikthimi i saj solli dhe një nostalgji. Këtë vepër e kemi përjetuar me shumë kënaqësi, ishte një muzikë shumë e bukur dhe unë përshëndes TKOB që na solli Delinën e Zadesë, pohon dirigjenti. Më tej ai shton se rivënia e veprave shqiptare sjell shumë emocion dhe kjo vepër ka pasur një histori. Që vihen vepra shqiptare në skenën e TKOB, kjo është një gjë shumë e bukur. Dua të përgëzoj drejtuesit e këtij institucioni, por dhe artistët që sollën këtë vepër me muzikë kaq të bukur. Delina ka pasur një histori dhe rivënia e saj solli emocione dhe nostalgji tek publiku, tregon ndër të tjera dirigjenti Alqi Lepuri.

Llaqi Nako: Delina një realizim profesional
Koreografi i njohur Llaqi Nako tregon se baleti Delina erdhi me një koncept bashkëkohor të realizuar mjaft bukur. Sipas tij kjo rivënie pas 46 vitesh në skenën shqiptare solli një frymë të re, e cila ndikon në fizionominë artistike të veprës së baletit. Vepra e Zadesë Delina ishte një rivënie, një rikonceptim bashkëkohor si nga ana koreografike ashtu dhe nga ajo konceptuale. Rivënia e veprave kombëtare mendoj se sjell një frymëmarrje të re, dhe kjo gjë ndikon në fizionominë artistike të veprës, pohoi koreografi i njohur Nako. Më tej duke folur mbi veprën e baletit ai tregon se këto vepra shqiptare që po rivihen në skenë me shumë mjeshtëri nga emra të njohur të artit shqiptar janë një dhuratë e madhe për publikun. Është gjë shumë emirë që TKOB po jep me sukses vepra të huaj, të cilat janë realizuar me vlera artiske, por profili dhe identiteti jonë i vënë me mjeshtëri në skenën e TKOB nga Agron Aliaj është një dhuratë madhe, cilëson ndër të tjera koreografi Nako.

Aleksandër Peçi: Suksesi i veprës, falë punës profesionale të TKOB
Kompozitori i njohur prof. Aleksandër Peçi i pyetur rreth veprës Delina tregon se suksesi i saj erdhi falë punë së drejtuesve të këtij institucioni. E ndoqa me emocion rivënien e baletit Delina me një muzikë shumë të mirë të profesorit tim Çesk Zadeja dhe koreografi të realizuar të mjeshtrit Agron Aliaj. Ishte një vepër e mirë menduar nga ana e drejtorit të TKOB Zhani Ciko, për ta sjellë këtë vepër mbas një mungese tepër të gjatë gati gjysëm shekullore. Delina e Zadesë dhe Aliajt është një vepër me muzikë profesionalisht të shkruar mirë të frymëzuar e që ka mjaft momente kompozicionale të realizuara bukur e me një koreografi mjeshtërore të Aliaj, pohon kompozitori ndërsa më tej ai shton se: ishte një punë mjaft e kujdesshme profesionale të orkestrës së TKOB nën kujdesin mjeshtëror të Bujar Llapaj solistëve trupës së baletit e solistëve që pasuron repertorin nacional të TKOB. Edhe një herë urime, urime autorëve solistëve, kolektivave dirigjentit dhe zotit Ciko, i cili tregon impenjimin e domosdoshëm edhe ndaj veprave të repertorit nacional.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›