Elida Janushi: Luiza Miler, roli që më ka falur jetë në teatër
Në 36 vite karrierë në skenën teatrore ajo ka sjellë për publikun karaktere dhe personazhe nga më të ndryshmet, duke u bërë një emër i njohur dhe i vlerësuar. Aktorja Elida Janushi i takon një brezi aktorësh, të cilët janë skalitur në kujtesën e publikut për rolet e veçanta dhe të bukura që kanë sjellë para tij. Edhe pas kaq shumë vitesh kur ajo mori duartrokitjet
e para në skenën teatrore, Elida Janushi e vazhdon punën me po aq pasion dhe dashuri si në kohën kur ajo ishte studente. Një karriere gjatë, e cila i ka falur emocione dhe shumë kënaqësi në profesionin e saj si aktore. Në këtë intervistë për gazetën aktorja na tregon mbi jetën e saj artistike, si nisi ajo dhe emocionet që mori nga roli i parë i saj në skenën teatrore. Vepra me të cilën unë kam mbrojtur diplomën ka qenë vepra e Zisa Cikulit Tymra që pastrojnë, por kuptohet ato ishin vepra skematike, sepse brenda ishte vetë skematizmi i kohës kështu që edhe ato nuk mund të shpëtonin nga kjo, pohon aktorja Janushi. E ndërkohë që ajo së fundi para publikut vjen në shfaqjen Elektra, e cila po shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar. Aktorja bën pjesë tek kori, i cili është konsideruar si më i vështiri nga regjisori i veprës. Ndërkohë që rreth interpretimit të saj në këtë vepër ajo pohon se: Unë jam pjesë e korit tek kjo shfaqje dhe do të thosha që kori është personazh më vete dhe zë vendin pas Elektrës, sepse gjatë gjithë kohës shoqëron të gjithë personazhet. Kjo kishte vështirësitë e veta, sepse fjala është bazuar kryesisht mbi plastikën. Sa i takon jetës së aktores Elida Janushi lindi më 1 gusht 1953 në Devoll. Aktore e Teatrit Kombëtar, në kinematografi interpretoi disa role të rëndësishme, duke filluar nga filmi "Brazdat", por në teatër ajo mbahet mend dhe për interpretimin e saj në komedinë Pallati 176.
-Vini në skenën teatrore në shfaqjen Elektra, një premierë e cila sjell antikitetin në Teatrin Kombëtar. Si ndiheni që jeni pjesë e saj?
Unë jam pjesë e korit tek kjo shfaqje dhe do të thosha që kori është personazh më vete dhe zë vendin pas Elektrës, sepse gjatë gjithë kohës shoqëron të gjithë personazhet. Nga kjo anë unë do të thosha që kjo kishte vështirësitë e veta, sepse fjala është bazuar kryesisht mbi plastikën. Puna në këtë vepër për mua që kam 36 vjet në teatër ishte një eksperiencë që është prekur dhe në vepra të tjera shqiptare, sepse kemi vënë në skenë veprën Kush solli Dorontinën. Normalisht që kjo vepër padiskutim që e donte një trajtim të mirëfilltë nga ana koreografike, prandaj edhe drejtoria u mbështet për të marrë një koreograf që e njeh mirë antikitetin. Pa dyshim që Mariela koreografia greke punoi jashtëzakonisht bukur. Unë ndjehem shumë mirë dhe mendoj që ajo çdo gjë e vuri në funksion të logjikës së veprës.
-Nga regjisori u pohua se kori ka qenë një nga pjesët më të vështira?
Ashtu është, kori ka një specifikë të veçantë, sepse përveç fjalës, fjala e korit është plastika. Ajo që është dhe më e vështirë, sepse fjalën aktori jo se e ka të thjeshtë, por duke qenë se është brenda vetes së tij është shumë më ndryshe. Plastika kërkon një punë të jashtëzakonshme, por me përkushtimin që ne kemi pasur, edhe me përkushtueshmërinë e vetë specialistes mendoj se kemi arritur diçka.
-U bënë 36 vjet karrierë dhe jeni bërë një emër i dashur për publikun, duke sjellë role të shumta në skenën teatrore, por dhe në filma. Si ndiheni nga ky vlerësim?
Ndjehem shumë mirë dhe më vjen mirë që edhe publiku më ka falur shumë duartrokitje gjatë gjithë karrierës sime. Unë vlerësimin e tij e kam prekur që kur isha studente në Akademinë e Arteve. Ne në atë kohë vumë në skenë një pjesë të Janis Ricos, që quhej Mëhallat e botës. Edhe ajo ishte e mbështetur në një punë me plot pasion, normalisht në një miniaturë, jo si kjo vepër sepse kjo ka përmasa të tjera, pasi ka një masë më të gjerë artistike, kështu që nuk duhet të bëhen paralelizma. Por që atëherë është prekur nga ana ime, ndërsa kjo është hera e parë pavarësisht se unë kam interpretuar dhe vepra të tjera të huaja si Luiza Miler, ku kam pasur Luizën, Romeo e Zhuljeta, etj, por që kjo ishte një punë tejet veçantë për mua.
-Meqë po flasim për teatrin, çfarë kujtoni nga komedia Pallati 176 . Mbeten akoma shumë batuta të tij dhe sot është një nga shfaqjet që pëlqehet akoma. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Çdo rol, çdo vepër, ku përfshin të gjithë elementët po nuk u punua me përkushtim dhe me dashuri, apo me mirëkuptimin, aty bazohet edhe suksesi, në të kundërt ajo nuk ka sukses. Unë mendoj që ky përkushtim, që ne kemi tani është risjellë në kohë në përkushtimin që ne kemi pasur ndaj asaj vepre teatrore. Që në fillim nuk mund ta mendonim suksesin asaj vepre megjithëse ne tek ajo vepër kemi qenë një ansambël, pra një e tërë dhe ne plotësonim njëri-tjetrin, ndaj dhe ajo kishte dhe suksesin.
-Një karrierë me 36 vite në skenë, por a ka ndonjë peng?
Pengje aktori ka gjithmonë deri në fund, sepse gjithmonë thotë sikur të bëja këtë rol apo atë rol, megjithëse unë për hir të së vërtetës për arsyet e mia shëndetësore, jo për ndonjë arsye tjetër kam qenë pak si e tërhequr nga skena teatrore. Mendoj se tani këto gjëra kanë kaluar, kështu që tani jam akoma pranë publikut.
-Në kaq vite karrierë si ka qenë jeta juaj artistike mes filmit dhe teatrit, kush ju ka falur më shumë emocione?
Filmi është tjetër gjë, ndërsa teatri ka mbetur dhe është shtrati ku unë fle e qetë. E dua kam bërë role, por ka mbetur tek unë.
-Në karrierën tuaj ju numëroni mbi 100 role, cili ju ka falur më shumë emocione?
Aktori të gjitha rolet i konsideron të rëndësishëm, por unë do të veçoja dy role. Njëri tek vepra Luzia Miler, ku interpretova Luizën dhe vepra është vënën në skenë para 30 vjetësh. Aty është një emocion jashtëzakonisht i madh, por dhe tek vepra Rikardi i tretë roli i mbretëreshë Margaret, e cila ka qenë një rol tejet i vështirë. Ka dhe role të tjera, por këto mua më kanë mbetur në kujtesë si rolet më të veçanta në karrierën time dhe që më kanë falur aq shumë emocione dhe jetë.
-Talenti juaj si aktore ka spikatur si në film ashtu dhe në teatër. Por në karrierën tuaj ju më shumë role keni në teatër, ndërkohë që në film ju jeni më pak?
Them që kjo është çështje preferencash, por dhe zgjedhjeje. Nuk kam dashur shpeshherë, por më janë ofruar dhe role që unë nuk kam dashur që të përsërisë veten. Këtë unë e kam pasur parim në karrierën time, që gjithmonë të kem role që të mos përsëris veten. Dikur më është bërë një ftesë për tek filmi Thirrja, ndërkohë që unë sapo kisha nxjerrë rolin e Lezës dhe profesionalisht nuk pranova.
-E ndërkohë, si e kujtoni rolin tuaj të parë në skenën teatrore?
Vepra me të cilën unë kam mbrojtur diplomën ka qenë vepra e Zisa Cikulit Tymra që pastrojnë, por kuptohet ato ishin vepra skematike, sepse brenda ishte vetë skematizmi i kohës kështu që edhe ato nuk mund të shpëtonin.
-Keni mbi tre dekada që jeni në skenë, por si e shikoni sot brezin e ri të aktorëve?
Këto vajza që unë shikoj tek vepra Elektra janë tepër të përkushtuar në punën e tyre, por mundësitë e teatrit nuk i ofrojnë aq shumë. Janë të pakta këto mundësi edhe të vjen keq, sepse mendoj si për fëmijën tim. Studenti mbaron shkollën dhe do punë që ta ushtrojë profesionin e aktorit, sepse ky profesioni ynë, ashtu si dhe profesione të tjera si ai i sportistit po e le dhe ai të lë, pra duhet stërvitje e përhershme. Edhe po nuk qe prezent në punë një regjisor nuk ka se ku të të shikojë që të të marrë për role. Mua më vjen shumë keq që të rinjtë nuk i kanë ato mundësi që ne kemi pasur dikur. Në kohën tonë ne kemi pasur një emërim, dhe kemi qenë në v