E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elektra thërret për vlera morale në skenën teatrore

Tragjedia e Sofokliut Elektra ka qenë një tjetër sukses i Teatrit Kombëtar. Trupa e përzgjedhur së bashku me protagonisten kryesore në vepër Luiza Xhuvani kanë rrëmbyer duartrokitjen e publikut. Në rreth një orë e 30 minuta në një skenografi të realizuar nga Fatbardh Marku, që jepte idenë e një tempulli u luajt tragjedia e shpagimit të bijve të Agamemnonit,

e cila po vijon të jepet me sukses në skenën teatrore. Në skenë erdhi një Elektër e interpretuar bukur nga Luiza Xhuvani. E mbytur nga dhimbja për humbjen e të atit, por plot urrejtje për dorën vrasëse nënën e saj Klitemnestra, e cila ktheu në skenë aktoren Roza Anangnosti, ndërkaq Oresti ka qenë për aktorin Laert Vasili. Stafit të aktorëve të Elektrës i bashkëngjiten dhe emra të tjerë të njohur si Bujar Asqeriu, Vasjan Lami, Ahmet Pasham, Elida Janushi, Violeta Trebicka, Monika Lubonja, Ermela Teli, Klea Konomi etj. Tragjedia Elektra vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një pikë referimi, që tërheq vëmendjen dhe grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve dhe regjisorëve. Për vetë regjisorin Adonis Filipi përgatitja e kësaj shfaqjeje ka qenë një përgjegjësi e madhe. Kjo tragjedi ngjiti në skenë shumë artistë të rinj dhe të vjetër, por ajo që bie në sy është rikthimi në Teatrin Kombëtar pas 14 vjetësh i artistes së mirënjohur Roza Anagnosti në rolin e nënës së Elektrës. Nuk mund të mos bjerë në sy edhe aktrimi në rolin kryesor i Luiza Xhuvanit, e cila në një prononcim të saj tregon se edhe pse ajo ka angazhime në politikë ajo kurrë nuk është shkëputur nga teatri. Nuk kam ikur dhe nuk do të rikthehem, unë jam këtu. Unë përshëndes Teatrin Kombëtar që ka marrë vepra të tilla. Garanci suksesi është Sofokliu. Është një provë e madhe dhe ne jemi përpjekur shumë, madje kemi punuar dhe me një teatrologe për këtë pjesë, pohon aktorja e njohur Luzia Xhuvani. Ndërsa regjisori i veprës Adonis Filipi pohon se: Elektra thërret për vlera morale. Është simboli i sfidës njerëzore. "Elektra", shkruar nga legjendari grek, tragjediani Sofokli është konsideruar gjerësisht si një nga tragjeditë më të mëdha greke si një nga perlat e të gjitha kohërave. Vepra vjen me përkthim nga Laert Vasili dhe do të jetë dhe sonte në skenën teatrore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›