E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell: Nuk është punuar mjaft në luftimin e korrupsionit

Ambasadori i SHBA-vë në Kosovë, Christofer Dell në përfundim të mandatit të tij ka thënë se Kosova ka problem me të ardhurat për kokë banori ngase i ka më të ulëtat në rajon dhe se nuk ka punuar mjaft në luftimin e korrupsionit.

Ai ka thënë se nuk duhet hyrë në spekulime për një takim të mundshëm mes Thaçit dhe Daçiqit dhe se, sipas tij, për bisedimet mes dy vendeve duhet të vendos Qeveria ngase janë të zgjedhurit e popullit, ndërsa opozita ka të drejtë ta shprehë mendimin e vetë çfarëdo qoftë ai.

Këto i ka deklaruar në një intervistë në RTK, duke treguar se puna e tij e ardhshme do të jetë një pozite civile, ku do shërbejë si zëvendëskomandant i Forcave të Armatosura të SHBA-vë në Afrikë, megjithëse këtë punë do ta bëjë nga zyra e tij në Shtutgart.

I pyetur se a e sheh të mundshëm një takim mes Thaçit dhe ndonjë përfaqësuesi serb, ai është shprehur se po, por që sipas tij, duhet të kenë një arsye dhe një qëllim.

“Po është i mundur të takohen, duhen takuar. Nuk bëhet takimi sa për takim, duhet të ketë arsye, qëllim apo synim, unë besoj se është e parakohshme të fillohen spekulimet se kur dhe pse. T’i lejomë atyre hapësirë të krijojnë Qeverinë, të shohin cilat janë proceset e mundshme dhe pastaj në bazë të kësaj të gjykojmë se a mund të bëhet një takim i tillë, a mund të bëhet një hap. Është tepër e parakohshme të bëhet spekulim për takimin mes Thaçit dhe Daçiqit si kryeministër, apo Nikoliqit si president. Duhet arsye për ta arritur këtë, duhet ta kuptojmë kontekstin përpara se të fillojmë për zgjidhje dhe takime”, ka thënë ai.

Sa i përket bisedimeve mes dy vendeve dhe kundërshtimit të opozitës, ai ka thënë se opozita ka të drejtë ta mendojë këtë por kur je në pushtet ke përgjegjësi shumë të mëdha, dhe ata që janë në pushtet kanë përgjegjësi të vendosin, për më të mirën e qytetarëve.

Dell ka thënë se për tre vitet e fundit në përgjithësi i duket se ka pasur progres në disa gjëra, si në tejkalimin e krizës me ndërrimin e Presidentëve pastaj përballja e Kushtetutës me krizë dhe tejkalimi i saj.

“Në dy fusha që do duhej të bëhej më shumë është zhvillimi ekonomik, ka shkallë të rritjes por ka të ardhurat më të ulëta në rajon për person, po bëhet punë e mirë por duhet edhe më shumë. Dhe keni çështjen e korrupsionit ku besojë se luftimi i korrupsionit është i rëndësishme sepse gërryen besimin e njerëzve tek institucionet por edhe dëmton vendin, nuk mund të tërhiqet një investitor të huaj në një situatë ku interesat e fuqishme mund të manipulojnë”, ka thënë ai.

Dell ka thënë se nuk brengoset nëse po ndryshon imazhi i Kosovës. Sipas tij, duhet ndryshuar faktet.

“Duhet bërë më shumë, kjo është e qartë. A janë institucionet e Kosovës a EULEX-i, asnjëri nuk kanë bërë mjaftueshëm për luftimin e korrupsionit. Nganjëherë duket që është më së keqi në Kosovë por kjo nuk është e vërtetë. E vetmja mënyrë është t’i sulmoni këta njerëz, duke bërë shembull nëse e hiqni ndjenjën e mosdënueshmërisë, atëherë korrupsioni fillon të zgjidh vetveten sepse të zënit në vepër është shumë dënim më i lartë. Ata duhet kuptuar se ka dënim të madh dhe atëherë do ketë frikë”, ka thënë ai.

Sa i përket pasardhëses së tij në këtë post, ka thënë se është shumë profesionale, por që nuk mund të flet për përshtypjet e saj për Kosovën.

Dell ka thënë se pas Kosovës do të punojë në Shtutgart por do të shërbejë si zëvendëskomandant i Forcave të Armatosura të SHBA-së në Afrikë, një pozitë civile kjo. Por, Dell ka thënë se patjetër do ta vizitojë Kosovën, ngase i është krijuar një dashuri për të.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›