Faleminderit Lampard (video)

Presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter ka thënë se goli ‘fantazmë’ i Frank Lampardit në Kampionatin botëror 2010 luajti rol vendimtar në aprovimin e përdorimit të teknologjisë në vijën e portës.
Bordi Ndërkombëtar i Futbollit votoi unanimisht në favor të teknologjisë të enjten. Blatter tha: “Ai gol i Lampardit ishte kyç dhe më bëri të them ‘Nuk guxojmë që diçka e tillë të ndodhë sërish në Kampionatin e ardhshëm botëror’. Ne mund të themi se kjo është një ditë historike për futbollin ndërkombëtar”.
‘Goli’ i Lampardit erdhi kur Anglia ishte në disavantazh 2-1 në rrethin e dytë kundër Gjermanisë, e në fund humbi 4-1. Së fundmi është shfaqur një tjetër incident i ngjashëm. Gjatë Euro 2012, reprezentuesit ukrainas Marko Devic iu mohua një gol kundër Anglisë në duelin e tyre në kuadër të xhiros së tretë të Grupit D.
Blatter vazhdoi: “Në vjeshtën e vitit 2010, ne i filluam testet dhe tani jemi gati. Jam njeri i lumtur për këtë që kemi bërë. Objektivi është për Botërorin 2014 por ne tani kemi një sistem që është në dispozicion edhe për të tjerët”.
Teknologjia në vijën e portës së pari do të përdoret në dhjetor gjatë Kampionatit botëror të klubeve dhe nëse sjell sukses, edhe në Kupën e Konfederatave më 2013 dhe Kampionatin botëror 2014. Kurse, Premierliga angleze ka njoftuar se e dëshiron “sa më parë që është e mundur” duke filluar nga mesi i sezonit të ardhshëm. Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se ky ishte një hap pozitiv.
Presidenti i UEFA-së, Michel Platini ka thënë se teknologjia do të sjell “PlayStation futboll”. Por, Blatter është i bindur se francezi do ta ndryshojë mendjen. “Ai është më tepër i frikësuar se pas inkuadrimit të teknologjisë do të vazhdojë nga vija e portës në zonën e penalltisë e tutje. Por, jam i sigurt se ky vendim unanim nga bordi ndërkombëtar edhe ai do të jetë në favor të tij. Ai nuk mund të shkojë kundër historisë dhe kjo është historia e re. Jam i sigurt se ai është i mençur për të kuptuar se diçka e re po ndodhë në futboll”, theksoi zvicerani.
Ish sulmuesi anglez Sie Geoff Hurst i cili shënoi het-trik derisa Anglia mposhti Gjermaninë Perëndimore në finalen e Kampionatit botëror 1966 ka kaluar vite duke iu përgjigjur pyetjeve nëse topi kishte kaluar vijën te goli i tij i dytë. “Teknologjia do ta kishte treguar se topi e kaloi gjithë vijën dhe atë për gati një metër. Por, edhe nëse nuk do të ishte brenda, ne prapë do të kishim fituar 3-2. Nuk ka dallim”, u shpreh ai për BBC Sport.