E Diel, 1 Nëntor 2026

Demaliaj: Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”, qendër ekselence

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Drejtoresha e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj u shpreh sot se pak vite më parë u hodh guri i themelit i projektit për transformimin e këtij spitali, ndërsa sot qytetarët gjejnë një institucion tërësisht të modernizuar, të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore.

Në ceremoninë e inaugurimit të ambienteve të reja të këtij materniteti, ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, Demaliaj tha se ky spital sot është i transformuar, modern dhe dinjitoz.

“Ky është një investim gjigant në shërbim të grave, nënave, foshnjave dhe familjeve shqiptare”, tha Demaliaj.

Ajo theksoi se investimi krijon kushte shumë më të mira si për pacientët, ashtu edhe për stafin mjekësor.

“Kjo vepër që inaugurojmë sot ofron kushte më të mira për pacientët tanë, por edhe për mjekët, infermierët, mamitë dhe të gjithë profesionistët që çdo ditë kujdesen për lindjen e jetës”, u shpreh ajo.

Sipas Demaliajt, transformimi do ta kthejë maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në një qendër ekselence për shërbimet obstetriko-gjinekologjike, por edhe një shkollë e rëndësishme për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetësisë”.

Demaliaj shtoi se standardet e reja të spitalit janë të krahasueshme me ato ndërkombëtare dhe do ta bëjnë këtë institucion një qendër tërheqëse jo vetëm për mjekët e rinj shqiptarë, por edhe për profesionistë nga vende të tjera.

“Transformimi që ka ndodhur në pak vite në këtë spital, krahasuar me atë që ishte më parë, është pasqyra më e mirë e zhvillimit dhe investimeve që janë bërë në sistemin shëndetësor”, përfundoi Demaliaj.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›