E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do shitet rruga Durrës-Kukës?

Nuk ka dyshim se një sistem modern rrugësh është thelbësor për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Nevojën për një korridor rrugor e dallova qartë gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri. Nuk duhej të ishe gjeni ta kuptoje këtë.


Rruga Durrës-Morinë do të bëhet një barrë e rëndë ekonomike për një periudhë të shkurtër pasi po hap një gropë të madhe në buxhetin shqiptar.


Dhe problemet ekonomike që shoqërojnë këtë janë rezultat i shkeljeve dhe moskompetencës së S.Berishës, të cilin, e paraprin prej kohësh reputacioni për gjykim të dobët. Te shifra 1.5 miliardë USD (që ende duket në ngritje), problemi i parë që bie në sy është trefishimi i parashikimit fillestar të kostos. Dhe kostoja do të vazhdojë të ngrihet sepse megjithë hup-lalanë e Berishës projekti është larg përfundimit.


Shqipëria që tani është e detyruar të paguajë 50 milionë dollarë në vit për borxhin e krijuar nga shpenzimet e pamatura të Berishës. Për ta krahasuar: Autostrada e shtetit të Nju Jorkut (The Neë York State Thruëay) është 1,030 km e gjatë dhe ka një kosto financimi prej 163 milionë dollarë në vit - ose 158,000 dollarë për kilometër rrugë.


Rruga Durrës-Morinë është vetëm 170 km dhe ka një kosto financimi prej 50 milionë dollarësh. Dmth një rrugë sa 1/8 e asaj në Nju Jork ka kosto financiare sa 1/3 e saj. Kostoja për kilometër e rrugës shqiptare është 294,000 dollarë në vit - gati dyfishi i kostos prej 158,000 dollarësh që ka rruga në Nju Jork.


Dhe kjo shifër vlen vetëm duke marrë parasysh që Shqipëria nuk do marrë borxhe të tjera, gjë që duket e vështirë, nëse mbahet parasysh deficiti gjigant i punimeve në Shqipëri dhe gjasat janë që kostoja e përfundimit të rrugës do të vazhdojë të ngrihet.


Mendoni, Berisha që tani e ka zhytur Shqipërinë në një borxh prej 50 milionë dollarësh në vit për këtë rrugë (pa llogaritur kostot e administrimit dhe mirëmbajtjes apo pagesat për shpenzimet operative si elektriciteti i ndriçimit dhe rrogat e forcave të policisë që do ta patrullojnë).


Për ta krahasuar sërish, Autostrada e Nju Jorkut në vitin 2008 kishte një kosto vjetore të operimit prej 400 milionë dollarësh, ose 388,000 dollarë për kilometër. Bazuar në gjatësinë prej 170 km, nëse rruga shqiptare do të kërkonte shërbime të ngjashme kostoja e tyre do të arrijë rreth 66 milionë dollarë në vit. Disa shpenzime në Shqipëri, si rrogat, do të jenë shumë më të ulëta se ato që paguhen në Nju Jork, por kostot e tjera do të jenë në të njëjtat nivele.


Por edhe nëse supozojmë se në Shqipëri autostrada mund të operohet me më pak se gjysmën e kostos së Nju Jorkut, ende na mbetet një kosto prej 30 milionë dollarësh në vit. Nëse ua shtojmë këto 30 milionë dollarë të shpenzimeve operacionale atyre 50 milionëve të kostos së financimit, kemi një total prej 80 milionë dollarë shpenzime vetëm për vitin e parë të përdorimit të rrugës. Si do t'i paguajë Shqipëria këto?


Njëra nga alternativat e para që të vjen ndër mend është që rruga të bëhet me pagesë për ata që zgjedhin të udhëtojnë mbi të. (u sugjeroj atyre që mendonin se do të udhëtonin falas që të zgjohen nga ëndrrat).


Por as pagesa e udhëtarëve nuk e zgjidh problemin. Nëse do supozojmë që popullata e Shqipërisë është rreth 3.5 milionë dhe se 1 në 10 shqiptarë zotëron një makinë kjo d.m.th që ka rreth 350,000 makina në vend, dhe ky është një numër bujar.


Por nëse supozojmë se Shqipëria ka 350,000 makina dhe se pagesa për të përdorur rrugën Durrës - Morinë do të ishte 1 dollar për çdo udhëtim, do të duhej që secila makinë shqiptare të bënte 228 udhëtime Durrës - Morinë në vit - një skenar i pamundur - vetëm për të mbuluar shpenzimet prej 80 milionë dollarësh.

Ta dyfishojmë pagesën me 2 dollarë për udhëtim, të gjitha makinave shqiptare do t'u duhej të udhëtonin 114 herë në vit për të mbuluar shpenzimet.. Sërish skenar pa gjasa.
Mund të ketë disa variacione të përllogaritjeve të mia dhe mund të luash me numrat sa të duash, por të jeni të sigurt se sido që ta bësh llogarinë, ky projekt përfaqëson një barrë të rëndë financiare për Shqipërinë, e cila nuk mund të injorohet.


Në fakt, nëse problemi nuk adresohet, këto kosto mund ta falimentojnë Shqipërinë. Por kjo nuk e shqetëson Berishën sepse ai e ka falimentuar atë një herë në 1997.


Pra si do ta zgjidhë Shqipëria katastrofën financiare të shkaktuar? Sigurisht, pagesat për përdorimin e Rrugës mund të ngriheshin deri sa të arrinin një shumë që do të mbulonte kostot financiare të borxhit. Por pagesat e larta për përdorimin e rrugës do të ishin të dëmshme politikisht, dhe në çdo model ekonomik ka një kufi se deri ku mund të ngrihen çmimet, sidomos në një vend të varfër si Shqipëria.


Qeveria mund të ngrejë taksat, por edhe ky mbetet një opsion i dëmshëm politikisht. Një mundësi tjetër është të merret një borxh tjetër, por do të kishte një ndikim negativ të drejtpërdrejtë te kostoja financiare, dhe ndoshta as do të ishte e mundur, duke parë se Shqipëria e pati boll të vështirë sigurimin e borxhit të fundit.


Ka ende një tjetër mundësi, dhe kjo është ajo që Sali Berisha po negocion si pjesë e një marrëveshjeje sekrete. Kjo kërkon privatizimin e autostradës së re, ashtu si Berisha bëri me Albtelecom dhe ARMO.


Paralajmërova kaosin e skemave piramidale; paralajmërova për skandalin e Neë Ëorld Telekom në lidhje me tarifat abuzuese të interkonjeksionit nga Telekomi; ndihmova në zbardhjen e marrëveshjes të paligjshme të armëve nga Fatmir Mediu dhe AEY..


Tani jam duke bërë një tjetër parashikim: nëse Berisha fiton në zgjedhjet e ardhshme, ai do ta shesë autostradën e re të Shqipërisë. Dhe mos u habisni nëse ndërmarrja e cila do të blejë rrugën është e ujdisur nga Argita Berisha, apo nëse ndërmjetës për këtë marrëveshje është Damir Fazliç.


Pjesa më e madhe e kostove të ndërtimit dhe financimit (huadhënies) mund të mbulohen vetëm nga 60 km segment të rrugës Rrëshen-Kalimash, dhe kjo na jep mundësinë të krijojmë përshtypjen se me avancimin e mëtejshëm të projektit situata do të përkeqësohet.


Dhe për sa kohë që Berisha është në pushtet, pavarësisht nga gënjeshtrat e tij të përsëritura, nuk do të ketë transparencë. Padyshim, do të ketë nga ata që do të vënë në dyshim vlerësimet e mia, dhe unë do të jem i pari të pranoj që ato mund të mos jenë të sakta. Disa gjithashtu do të pretendojnë se përfitimet e ekonomisë shqiptare do të tejkalojnë shpenzimet, por kjo është diçka që mbetet për t'u parë.
Për momentin, nuk ka dyshim se ka gjëra që nuk shkojnë si duhet në ekonominë shqiptare, dhe se kjo situatë është krijuar si shkak i keqmenaxhimit dhe shpërdorimeve pa kriter.


Gjithçka mund të ishte evituar nëse Kryeministri do të ishte treguar më i arsyeshëm; gjë që më duket e tepërt të kërkohet prej njeriut i cili u tha shtetasve të vet se paratë e tyre ishin të sigurta në skemat piramidale. Gjetja e zgjidhjeve do të kërkonte një strategji financiare vizionare, e cila nuk mund të hartohet nga një si Berisha apo hajdutët që e rrethojnë atë.


*Shënim i redaktorit: *Një version më i plotë i këtij artikulli është botuar në Shekulli në 25 qershor të këtij viti. Parashikimi për pagesën nga udhëtarët e rrugës, dje u bë realitet. Mbetet të shpresojmë që nuk do bëhet realitet pjesa tjetër e parashikimeve ekonomike të bëra në këtë artikull.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›