E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmet e pariparueshme

Shoqëria civile alarmon se me ndërprerjen e marrëveshjes së FMN-së, Kosova nuk ka humbur thjesht një përkrahje financiare, por shumë më tepër. Rrezikohet anëtarësimi edhe në institucione të tjera financiare si BERZH, humbja e investimeve të jashtme, por edhe njohjet e mëtutjeshme ndërkombëtare Nga Ismail Gashi më 08 qershor 2011 në ora 10:15

Shkëputja e marrëveshjes “stand-by” me FMN-në, nga shoqëria civile është vlerësuar shumë e dëmshme për Kosovën. Me këtë, Kosova nuk ka humbur thjesht një përkrahje financiare, por shumë më tepër. Rrezikohet anëtarësimi edhe në institucione të tjera financiare si BERZH, humbja e investimeve të jashtme, por edhe njohjet e mëtutjeshme ndërkombëtare.

Drejtori ekzekutiv i Institutit ‘Riinvest’, Lumir Abdixhiku thotë se relacioni më i ri i krijuar mes FMN-së dhe Qeverisë së Kosovës është goditja më e rëndë ekonomike që ka pësuar Kosova që nga viti 1999. Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në FMN me të drejtë është konsideruar si një arritje e madhe e Kosovës në planin ndërkombëtar. Kosova kishte kaluar më shpejt se vendet e tjera në një shkallë më të avancuar në FMN, nga një program monitorues në një program përfitues.

“Shpresa e fundit se Kosova do të rikuperonte gabimet u shua në letrën e fundit të bërë publike javën e kaluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”.

Abdixhiku thekson se, që nga java e kaluar, raportet e Kosovës me FMN-në nga një pozitë e avancuar të një marrëveshjeje SBA, zbresin një shkallë më poshtë, në një program monitorimi. “Nga një marrëveshje formale përfituese, kemi zbritur në një program joformal jopërfitues”.

SBA është një formë e financimit të vendeve, me qëllim të tejkalimit të krizave afatshkurtra. Kosova kishte nënshkruar një program të tillë dhe për këtë i ishin premtuar 110 milionë euro.

Sipas Abdixhikut, marrëdhëniet e Kosovës kanë zbritur nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në Washington në nivelin e përfaqësuesit rezident lokal të FMN-së në Prishtinë.
Edhe programi i ri monitorues i FMN-së, sipas tij, nënkupton edhe disa kushte të tjera. Kosovës i duhet të qartësojë qëndrimin e saj edhe për tri çështje, si Ligji për vlerat e luftës, Ligji për të burgosurit politikë dhe mënyra e financimit të autostradës. “Pa një qartësim të këtyre tri kushteve, nuk do të kemi as program monitorues me FMN-në. Përveç pasojave negative në aspektin ekonomik, Kosovës do t’i kushtojë edhe në planin politik, anëtarësimin në organizmat e tjerë financiarë, në njohjet ndërkombëtare, por edhe në ardhjen e investitorëve të huaj”.

Abdixhiku konsideron se mungesa e mbi 150 milionë eurove për buxhetin e vitit 2011 do ta lë deficitin e pambuluar. “Bilanci në fund të vitit duhet t’i drejtohet rezervës fiskale, e krijuar gjatë këtyre viteve, e cila është bërë e qartë nga FMN-ja se nuk guxon të preket. Dhe, nëse ky vit mbyllet disi me shfrytëzimin e rezervës buxhetore, e më 2012, me shitjen e PTK-së, është shumë e paqartë se çka do të ndodhë tutje me stabilitetin makrofiskal të vendit”.

Abdixhiku i bën thirrje Parlamentit që të kalojë dallimet partiake dhe të reflektojë mbi ndryshimet e bëra dhe të marrë në konsideratë rekomandimet e FMN-së.

Mustafa kritikon edhe ndërkombëtarët
Lidhur me gjendjen e krijuar, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka fajësuar jo vetëm Qeverinë, por edhe faktorin ndërkombëtar, që është treguar indiferent ndaj premtimeve të qeveritarëve për rritjen e pagave deri në 50% në sektorin publik. “Nuk ndodh në asnjë vend që të rriten përnjëherë pagat për 50%, nëse nuk ke të hyra të jashtëzakonshme ose nuk ke probleme të jashtëzakonshme, të cilat duhet të zbuten përmes rritjes së pagave. Ne nuk kishim inflacion të tepruar, në të vërtetë ka qenë nën nivelin e vendeve të BE-së, por inflacioni filloi të rritet kur u premtua rritja e pagave”.
Sipas Mustafës, kjo u bë me qëllim që të blihen votat, sepse rritja e pagave u shpall gjatë procesit elektoral. Duke kritikuar faktorin ndërkombëtar që, sipas Mustafës, u tregua indiferent ndaj Qeverisë për premtimet pa mbulesë, ai ka theksuar se ata e lanë Qeverinë që të blihen votat me premtimet për rritjen e pagave. “Pastaj, kur u pa se pasojat do t’i bartim të gjithë ne, filloi reagimi i tyre për ngritjen e pagave. Përgjigja ime është se marrëveshja u sakrifikua për të blerë votat, e jo për të ruajtur standardin e qytetarëve. Rritja e pagave nuk është ajo çfarë është premtuar dhe përmirësimi i standardit të qytetarëve nuk ka ndodhur”.
Pasojat, sipas kreut të LDK-së, janë të mëdha. Pasoja e parë është humbja e kredibilitetit shtetëror të Kosovës, “sepse vendi ynë nuk po i respekton marrëveshjet e nënshkruara dhe e dyta është se me Kosovën qeverisin ata që i kanë vjedhur votat”.
Mustafa konsideron se nuk duhet qëndruar indiferentë ndaj gjendjes së krijuar. “Domosdo duhet të bëhet rishikimi i konsumit buxhetor sa më shpejt, në mënyrë që Qeveria të heqë dorë prej një pjese të shpenzimeve”.

Pasoja për të gjithë
Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ajo që ka ngjarë me FMN-në nuk është humbje e pozitës apo fitore e opozitës, por është humbje e Republikës së Kosovës, pasojat e së cilës, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë në atë politik, do t’i bartim të gjithë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›