Dëmet nga përmbytjet, Prokuroria Durrës nis hetimet! Dyshime për 3 vepra penale

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas përmbytjeve masive të dy ditëve të fundit. Drejtuesja e organit të akuzës, Suela Beluli, në qytetin bregdetar ka urdhëruar nisjen e hetimit për këto vepra penale:
•“Shpërdorimi i detyrës”•“Shkatërrimi i pronës me përmbytje”
•“Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”
Beluli argumenton se situata e krijuar përgjatë dy ditëve për shkak të reshjeve të vazhdueshme ka krijuar problematika reale të dukshme për qytetarë, për mirëqenien e tyre, por edhe dëme të konsiderueshme.
Më tej thuhet se, “gjendja e krijuar ka penguar zhvillimin e aktiviteteve normale arsimore, shtetërore, shëndetësore si dhe ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun në të cilin ushtron juridiksionin territorial dhe lëndor Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës jep të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal”.
Në këto kushte, me qëllim thellimin në shkaqet që kanë çuar në shkaktimin e këtyre pasojave dhe analizimin në mënyrë ezauruese nëse shkaqet kanë qenë tërësisht natyrore apo kanë ardhur si pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore, merret iniciativa për regjistrimin e këtij procedimi penal.
Ndërkohë, hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale.
Po ashtu përmendet edhe vdekja e punonjësit të Ndërmarrjes Komunale të Plazhit.
“Sipas informacioneve rezulton se ky shtetas ka shkuar në zonë për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe vërshimet e ujit. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend. Në kushtet kur rrethanat se si ka ndodhur humbja e jetës së këtij shtetasi, bazuar në rrethanat e marra dijeni deri në këto momente personalisht dhe nëpërmjet medias, rezulton se ka dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, të kryer nga personat përgjegjës për mirëmbajtjen, kontrollin dhe menaxhimin e situatës së krijuar për shkak të reshjeve të shiut, në qytetin e Durrësit”, njofton prokuroria.
“Ka dyshime se nga personat e ngarkuar me funksione, të cilat kanë për detyrë menaxhimin e situatës janë kryer veprime ose mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetasve dhe personave juridikë dhe kanë sjellë edhe pasojat e rënda të evidentueshme dhe të matshme mbi të mirat pasurore si edhe në jetën e një personi i cili ka humbur jetën.
Po kështu, bazuar në dëmet e konsiderueshme të evidentuara deri më tani që janë shkaktuar në infrastrukturën publike si dhe pronën privat, ekzistojnë dyshime të arsyeshme për ekzistencën e veprës penale të “Shkatërrimit të pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” të parashikuar nga neni 153 dhe neni 161 i Kodit Penal”, përfundon Prokuroria Durrës.