E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmi i padrejtësisë

Fefzi Kamenica nga rrethina e Ferizajt ka mbajtur gjashtë muaj paraburgim si i dyshuar për një vrasje të rëndë.

Ai është akuzuar nga gjykata se ka qenë i implikuar në këtë vrasje dhe pas gjashtë muajsh është vërtetuar se si Kamenica nuk ka pasur të bëjë fare me atë vrasje.

Kamenica pas kësaj periudhe është liruar si i pafajshëm dhe më këtë rast Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kompensuar me para ditët e mbajtura në paraburgim.

Për Fefzi Kamenicën, nuk është i rëndësishëm dëmi material, që i është bërë me këtë rast, por imazhi i familjes, të cilin ai thotë se i ka ndryshuar që prej se ka qenë në burg.

“Jam dëmtuar moralisht, unë dhe familja ime. Unë nuk e kam dëgjuar zërin e fëmijës tim për sa kam qëndruar në burg. A nuk është kjo humbje e madhe për mua! Ma mirë është të vdesë. Me të shti në burg pa bërë asgjë, për një vrasje që mua as që më ka shkuar në mend ta bëj, është shumë e rëndë për mua“, rrëfen për rastin e tij, Fefzi Kamenica.

Sipas tij, përgjegjësinë për burgosen e tij e kanë Policia dhe Prokuroria. Ai shpjegon se është akuzuar për vrasje, mirëpo pasi që lënda e tij është dërguar në ekzaminim jashtë vendit, në Zagreb, ka rezultuar se ai nuk është fajtor për veprën e lartpërmendur.

“M’kanë burgos vetëm pse kam qëlluar në vendin e ngjarjes. Fajtor janë policia dhe prokurori. Prokurori ka ardhë në polici, s’më kujtohet emri i tij. Unë kam kërkuar të shkojë në vendin e ngjarjes dhe s’kam pa asgjë, qysh kanë thënë ata në raportin që ma ka sjellë avokati për m’e lexuar, në burg”, shpjegoi për Express, Kamenica.

Por jo vetëm Fefzi Kamenica e ka pasur një fat të tillë, raste kur njerëzit mbahen në paraburgim me muaj të tërë dhe në fund lirohen si të pafajshëm, ka mjaft.

Të paktën kjo shihet në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili ua bën kompensimin material personave vetëm pasi që të vërtetohet se nuk kanë qenë të involvuar në ndonjë vepër penale.

Vetëm në vitin 2009, janë 43 persona, të cilët si kompensim, për dëmin material kanë marrë një shumë parash.

Në mesin e 43 personave që KGJK-ja i ka kompensuar me para, janë 42 shqiptarë dhe një austriak.

Të dhënat flasin se për vitin 2010, e deri më tani, janë zgjidhur 30 kërkesa, prej tyre 26 shqiptarë dhe 4 serbë. I gjithë kompensimi material bëhet sipas kritereve të përgjithshme për kompensimin e dëmit të personave të dënuar ose të arrestuar pa arsye.

Por Fevzi Kamenica mendon që kompensimi material është i pamjaftueshëm, kur merret parasysh dëmi që i është bërë.

“Me m’i dhënë edhe 50 mijë euro, edhe 100 milonë euro mua, nuk munden me ma paguar atë që ma kanë bërë”, përfundon rrëfimin e tij.

Sidoqoftë, edhe prokurori Gëzim Llollumi mendon që në raste të shkeljeve në procedurat paraprake, kur kemi të bëjmë me dilema, shkohet zakonisht në favor të të pandeurit.

“Ka shkelje, ndonjëherë”, për shkak të numrit të vogël të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo është arsye dhe çështje që nuk mund të detajizohet, sepse je në pozicion që as s’mund ta lirosh, as ta mbash në paraburgim”, tha për Expressin prokurori Llollumi.

Një fakt të tillë e pohon edhe avokati Nik Shala, i cili thotë se shkelja e procedurave paraprake, gjatë caktimit të masës së paraburgimit, është pasojë e analeve të gjyqësisë sonë.

“Ka ndodhur që gjatë zhvillimit të hetimeve është dëshmuar se nuk manifestohen veprimet inkriminuese të përsonit, të cilat policia në procedurat paraprake gjatë provave të siguruara, ia ka prezantuar Prokurorisë me kallëzim penal”, tha avokati Nik Shala.

Megjithatë, pavarësisht arsyeve të lartpërmendura nga prokurori, qytetarit në këtë rast i merret liria në mënyrë të padrejtë dhe kjo bie direkt ndesh më Kodin e Procedurës Penale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kompensimet për personat që lirohen si të pafajshëm:

Për paraburgim:

6 euro për dëmin material
6 euro për dëmin jomaterial
50 euro për pako dhe vizita familjare për një muaj
120 euro për avokat që merret me përpilimin e kërkesës për kompensim dëmi dhe përfaqësimin në seancë

Për arrest shtëpiak:

6 euro për dëmin material
4 euro për dëmin jomaterial
120 euro për avokat për kërkesë dhe përfaqësim në seancë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›