Basha: Fitorja në Islandë, shansi drejt Brazilit
Mesfushori i kombëtares analizon humbjen në Slloveni, por vazhdon të besojë: Duhet të përmirësohemi përpara portës
Migjen Basha ishte një ndër lojtarët më të mirë në fushë ndaj Sllovenisë edhe për kuqezinjtë nuk arritën dot të merrnin rezultat pozitiv. Regjisori i De Biazit në një intervistë për Gazeta e Sportit ka treguar momentet dramatike të takimit dhe prapaskenat pas përfundimit të ndeshjes. Ai ka thënë se fakti që humbën në Slloveni nuk i ul aspak vlerat e kësaj kombëtareje dhe duhet besuar deri sa matematika do ti nxjerrë ata jashtë gare.
Basha gjithashtu ka kërkuar përqendrim maksimal nga shokët e tij për të bërë të pamundurën në Islandë, sepse është shansi i fundit për të prekur ëndrrën dhe për të shkuar në Brazil. E megjithatë ai thotë se në qoftë se fati dhe matematika nuk do ta buzëqeshë këtë herë, në të ardhmen është e sigurt që një ditë do të shkojnë në Botëror ose Evropian sepse kjo kombëtare është rritur shumë dhe mund të fitojë përball çdo kundërshtari.
Migjen. Si është atmosfera në kombëtare pas ndeshjes me Slloveninë duke parë që shumë shpejt vjen Islanda?
Të gjithë jemi të mërzitur sepse meritonim më shumë në Slloveni, por kështu e ka futbolli. Nuk ka kohë për tu mërzitur sepse na pret një tjetër ndeshje akoma më e rëndësishme që përcakton fatin tonë.
Çfarë ndodhi? Luajtëm një nga ndeshjet më të mira në këto eliminatore, por nuk arritëm të merrnim pikë. Mungesë eksperience apo çështje fati?
Mendimi im është që nuk patëm fat. Në këtë ndeshje duhet të fitonim të paktën një pikë por nuk ia dolëm. Krijuam raste pafund dhe nuk arritëm të shënonim.
Cili nga lojtarët e përjetoi më keq humbjen?
Të gjithë pa përjashtim. E dinim që humbëm një ndeshje të cilën duhet ta fitonim prandaj u mërzitëm.
Çfarë detyrash ju dha De Biazi përpara ndeshjes?
E dinim që Sllovenia ka lojtarë të rrezikshëm sidomos në kundërsulm, prandaj na kërkoi që të ruanim ekuilibrin e skuadrës. Në momentin kur pësuam golin u shpërqendruam dhe ata na ndëshkuan vetëm me një goditje në portë.
Po në fund të pjesës së parë?
Na tha që ekipi duhet të ishte më shumë agresivë sepse në fundin e 45 minutëshit Sllovenia u tremb. Duhet të bënim presing më të lartë dhe falë tij ia dolëm të rrezikonim më shumë.
Ekipi në tërësi, por edhe ju humbët shumë raste përpara portës…
Kemi pasur shumë raste, por Sllovenia kishte në portë një supermen që i priti të gjitha goditjet tona. Shpresojmë të shënojmë në Islandë.
Ju jeni përballur edhe herë të tjera me Handanoviçin, e prisnit në këtë formë?
Sigurisht që është portier i madh, por të mos e përqendrojmë vëmendjen vetëm tek portieri kundërshtar, pasi edhe ne duhet të përmirësohemi përpara portës dhe duhet të shënojmë kur në jepet rasti.
Me cilin modul loje ndiheni më mirë?
Kjo gjë i takon trajnerit dhe unë jap gjithmonë maksimumin. Rezultatet më të mira të kombëtares i kemi arritur me modulin 4-4-2. Mendoj që kjo është skema më e përshtatshme për ekipin tonë.
Si u ndiet përkrah një lojtari si Ergys Kaçe?
Është lojtar fantastik. Ai ishte një ndër më të mirët në fushën e lojës, pa i hequr meritat asnjë futbollisti. Sigurisht që të dy duhet të përmirësohemi akoma më shumë.
Pse erdhi zëvendësimi juaj, jeni i dëmtuar?
Jo. Shpenzova shumë energji dhe isha i lodhur në ato momente. U pa e arsyeshme nga trajneri që të zëvendësohesha sepse kërkoheshin forca të reja që ti jepnin freski lojës së kombëtares.
Çfarë ju tha Vullneti pas ndeshjes?
Më tha që kemi luajtur shumë mirë, por fati nuk ishte me ne. Sllovenët u dominuan totalisht, por tani duhet të shohim përpara.
Le ta lëmë pas humbjen dhe ta kujtojmë ndeshjen me Slloveninë si një moment të bukur për lojën që zhvilluam. Cilat janë synimet ndaj Islandës?
Është shumë e thjeshtë. Në këtë moment nuk kemi asgjë për të humbur dhe do të shkojmë në Islandë vetëm për të marrë tre pikët. Nëse Brazili është objektivi ynë atëherë nuk duhet të mendojmë asgjë tjetër, përveç fitores. Situata do të ishte shumë ndryshe nëse ne do të mendonim për tu mbrojtur apo për të fituar vetëm një pikë. Do të ishte e pavlefshme prandaj do të luftojmë për fitore.
Mendoni se kemi akoma shanse për vendin e dytë?
Jo vetëm unë, por të gjithë duhet të besojmë sepse matematika na mban ende në lojë. Kemi zhvilluar ndeshje të shkëlqyera dhe është mëkat nëse nuk arrijmë vendin e dytë. Vazhdoj të them që unë besoj.
Historia ka treguar se pas një humbjeje të tillë, ekipi demoralizohet dhe pastaj nuk e ngre më kokën. I trembeni këtij fakti?
Kjo kombëtare ka dalë kundër historisë shpeshherë dhe shpresoj që të mos ndodhë si më parë. Mendimet e tilla dhe shikimi i historisë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse e dëmtojnë ekipin që kërkon mbështetje në momente të vështira.
Treni i fundit për në Brazil kalon nga Islanda. Si po përgatiteni për këtë ndeshje?
Nuk e di nëse do të jetë apo jo treni i fundit, pasi gjithçka varet nga rezultatet e tjera të grupit. Jemi të qetë dhe po presim të hakmerremi ndaj Islandës. Lojtarët duket se e kanë rikuperuar goditjen psikologjike që morën në Lubjanë dhe tani duan të zbresin në fushë.
Mos ndoshta kjo kombëtare kaq i ka forcat?
Ne po bëjmë maksimumin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Tifozët duhet të jenë të kënaqur sepse ky ekip ka bërë progres të madh. Sigurisht që fakti për të shkuar në Brazil i tundon të gjithë, por do ta provojmë.
Kemi thënë dhe vazhdojmë të themi UNË BESOJ. Deri kur do të vazhdojmë me këtë shprehje?
Po e përsëris edhe një herë që unë vazhdoj të besoj sepse matematika na e lejon këtë. Do të zgjohemi nga ëndrra, kur matematika të mos jetë më në anën tonë.
Cila është thirrja që i bëni tifozëve të kombëtares?
Le të vazhdojnë të jenë të mrekullueshëm siç kanë qenë gjithmonë. Përkrahja e tyre na ndihmon të gjithëve të jemi më të fortë dhe i falënderoj për ato që kanë bërë për ekipin kuqezi.
1 gol ka shënuar Migjen Basha me fanellën e kombëtares kuqezi. Ai e gjeti rrugën e rrjetës në miqësoren e fituar ndaj Lituanisë 4-1
