Demiri dhe Ismailoviq s‘mund të ekstradohen në Maqedoni

Dy të akuzuarit në procesin gjyqësor “Monstra”, Halil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, nuk do të ekstradohen, me shumë gjasë, në Maqedoni, për shkak se që të dy posedojnë shtetësi të Kosovës.
Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë në një prononcim për SETimes, se Kosova nuk i ekstradon shtetasit e saj.
“Bëhet fjalë për shtetas kosovarë, krahas shtetësisë së tyre të Maqedonisë. Aktualisht, është gjyqësori kosovar ai që po merret me të dy personat në fjalë”, citohet të ketë thënë Kuçi për SETimes.
Demiri dhe Ismailoviq janë të akuzuarit kryesorë në procesin “Monstra”, transmeton qik.
Ata ngarkohen nga Prokuroria e Maqedonisë se janë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e vrasjes së pesëfishtë, në afërsi të Liqenit të Smillkovcës.
Dy shqiptarët akuzohen në Kosovë për armëmbajtje pa leje./Indeksonline/