Demo: Bashkitë duhet të jenë partnere të biznesit për ta kthyer skemën “Dyfisho sipërmarrjen tënde” në një histori suksesi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u bëri thirrje bashkive të marrin një rol aktiv në zbatimin e skemës sovrane “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, duke theksuar se suksesi i programit do të varet edhe nga angazhimi i pushtetit vendor në mbështetje të sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik lokal. Demo deklaroi se bashkitë duhet të shërbejnë si ndërmjetëse mes qeverisë dhe biznesit, duke ndihmuar sipërmarrjet të përfitojnë nga skemat e financimit.
“Roli i bashkive si aktorë në territor është shumë i rëndësishëm. Nëse ato janë proaktive, mund ta shtyjnë përpara këtë nismë dhe ta bëjnë të suksesshme në territor. Është e rëndësishme që bashkitë të luajnë një rol aktiv, që nisma të kuptohet nga bizneset dhe ato të asistohen me kapacitetet që pushteti vendor ka për ta kthyer këtë program në një histori suksesi, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.
Sipas ministrit, bashkitë po marrin një rol të ri në zhvillimin ekonomik vendor, jo vetëm si administratore të fondeve publike, por edhe si pjesëmarrëse në sipërmarrje që gjenerojnë të ardhura.
“Bashkitë po luajnë një rol të ri në territor, duke menaxhuar të ardhurat vendore dhe grantet që vijnë nga qeveria qendrore, por edhe duke i kthyer ato në aktivitet ekonomik. Ato mund të jenë pjesë e sipërmarrjeve, madje edhe themeluese të tyre, ndërsa bizneset bëhen partnere ose u bashkohen nismave ekzistuese”, tha Demo.
Ai sqaroi se skema parashikon që bashkitë të mos zotërojnë më shumë se 25% të aksioneve në këto sipërmarrje, duke krijuar kështu mundësi të reja për financim dhe zhvillim.
“Nisma parashikon që bashkitë të kenë jo më shumë se 25% të aksioneve në këto sipërmarrje. Në momentin që respektohet ky kriter, ndërmarrjet mund të përfshihen në skemat e financimit, të zhvillojnë aktivitetin dhe të zgjerojnë ndikimin e tyre ekonomik”, deklaroi ministri.
Demo u ndal edhe te Paketa e Maleve, duke theksuar se ajo krijon mundësi të reja për bizneset që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre.
“Ka disa kategori aplikuesish. Janë sipërmarrësit që duan të zgjerojnë aktivitetin që kanë ndërtuar në fusha të ndryshme dhe ta përdorin Paketën e Maleve për të rritur kapacitetet ose për të ndërtuar një objekt të ri pranë investimit ekzistues. Ky është një instrument shtesë që e bën Paketën e Maleve edhe më tërheqëse për investitorët”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se synimi është që bashkitë të zhvillojnë një kulturë sipërmarrëse dhe të ndërmarrin vetë iniciativa për financimin e projekteve që gjenerojnë të ardhura.
“Ne besojmë se bashkitë duhet të kenë një frymë sipërmarrëse. Ato duhet të kenë plane konkrete dhe të shkojnë vetë në bankat e nivelit të dytë për të financuar projekte që janë të vetëfinancueshme, gjenerojnë të ardhura dhe mbulojnë pjesën më të madhe të kostove nga vetë investimi. Këto janë histori suksesi që vënë në funksion asetet e bashkive, i bëjnë ato pjesë të zinxhirit ekonomik dhe krijojnë burime të reja të ardhurash për financat vendore”, tha Demo. Ai shtoi se gjatë vitit 2026 do të zhvillohen fushata sensibilizuese në të gjithë vendin për të informuar bizneset dhe aktorët lokalë mbi mundësitë që ofrojnë skemat e reja të financimit.
/rtsh.al/