Elbasan/ Tentoi të vriste me thikë 59-vjeçarin pas një konflikti në lokal, arrestohet autori. Në pranga dhe i plagosuri, nuk kallëzoi ngjarjen

Një konflikt për motive të dobëta i ndodhur në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit ka përfunduar me plagosjen e një 59-vjeçari me mjet prerës.
I plagosuri u paraqit me plagë thike në Spitalin Rajonal të Elbasanit, çfarë ka bërë që policia të niste hetimet dhe të bënte të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Në pranga u vu 43-vjeçari M. A., banues në Elbasan, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë 59-vjeçarin R. B.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ndërsa policia sekuestroi thikën e dyshuar të përdorur gjatë sulmit, në cilësinë e provës materiale.
Policia arrestoi edhe të plagosurin, R. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ai nuk pranoi të japë shpjegime për rrethanat e ngjarjes para grupit hetimor. 59-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/rtsh.al/