Demo: Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo deklaroi sot se dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të së drejtës për të protestuar.
Përmes një videomesazhi, Demo u shpreh se ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese.
“Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve”, u shpreh ai.
Demo shprehu shqetësimin për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uron të gjithëve shërim të shpejtë. Ai theksoi se institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.
Po ashtu, ministri i Brendshëm dënoi pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private.
“Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore”, shtoi Demo.
Demo theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Në këtë drejtim, ai u shpreh se efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre.
Njëkohësisht, Demo theksoi se çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional.
“Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet. Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo”, u shpreh ai.
Po ashtu, Demo tha se përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. “Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij”, shtoi ai.
Demo u ka kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore.
“Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri. Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme”, tha Demo.
/a.f/r.e/