Demo: Mbi 1200 vizitorë në një muaj e gjysmë pas rihapjes së Muzeut Etnografik të Beratit

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Muzeu Etnografik i Beratit ka tërhequr mbi 1200 vizitorë në vetëm një muaj e gjysmë nga rihapja e tij, ndërsa më shumë se 80% e tyre janë turistë të huaj nga të gjitha kontinentet.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, vlerësoi rëndësinë e këtij institucioni si një nga pikat kryesore të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.
“Ka vende që nuk vizitohen thjesht për t’u parë, por për t’u ndjerë. Muzeu Etnografik i Beratit është një prej tyre. Vetëm një muaj e gjysmë nga rihapja e tij, ai ka mirëpritur mbi 1200 vizitorë, ku mbi 80% janë turistë të huaj nga të gjitha kontinentet. Çdo vizitor që kalon pragun e këtij muzeu zbulon një pjesë të shpirtit të Beratit, traditat, mikpritjen, kulturën dhe historinë që kemi trashëguar brez pas brezi”, u shpreh Demo.
Sipas tij, interesi i lartë i turistëve konfirmon vlerën që ka trashëgimia kulturore shqiptare në promovimin e vendit si destinacion turistik.
“Berati nuk është vetëm një qytet i bukur, është një histori që vazhdon të jetojë në çdo rrugicë me kalldrëm, në çdo shtëpi karakteristike dhe në çdo objekt që ruhet me kujdes në Muzeun Etnografik”, theksoi ministri Demo.
Ai nënvizoi se ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet një element i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit dhe për forcimin e identitetit historik e kulturor të vendit.
/e.xh/a.f/r.e/