E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Demo: Me largimin nga kryetar i bashkisë Berat mbyll një kapitull të rëndësishëm

TIRANË, 12 mars/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ka bërë sot kërkesën për largimin nga detyra, pasi është kandidat në listën e Partisë Socialiste për deputet i qarkut të Beratit në zgjedhjet e 11 majit. Në një postim në rrjetet sociale, Demo tha se “sot me kërkesën për largimin si Kryetar Bashkie, një vendim aspak i lehtë, që sjell mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të jetës time jo vetëm profesionale, por edhe personale, ndjej të ndaj me ju disa fjalë zemre. Të qenit në krye të Bashkisë së Beratit, të qytetit tim të dashur, ishte për mua një privilegj dhe një mision që u bë i mundur falë besimit tuaj. Jam munduar çdo ditë, në 6 vitet e fundit t’i qëndroj besnik ambicies dhe ëndrrave që unë bashkë me ju kemi për Beratin e magjishëm”. “Sot, Berati falë transformimit të jashtëzakonshëm, është gati të ngrihet në lartësi të paimagjinuara më parë. Kjo ëndërr vazhdon dhe unë bashkë me ju do punojmë edhe më fort që ta bëjmë realitet. Jam i lumtur që ky kapitull i ri profesional dhe personal do më mbajë të lidhur fort me Beratin si qytet dhe qarkun e Beratit i cili ka një potencial të jashtëzakonshëm. Jam krenar për të gjitha investimet transformuese që ne vumë në jetë dhe lista është shumë e gjatë. Jam krenar për çdo shërbim rrënjësisht të përmirësuar, duke filluar me kopshtet dhe shkollat’, theksoi Demo. Demo u shpreh se “i gjithë ky transformim nuk mund të ishte bërë i mundur pa mbështetjen e kryeministrit Edi Rama, i cili Beratin e ktheu në një prioritet dhe bëri të mundur kthimin e tij në një destinacion që në 2024-ën ka pritur rreth 1 milion vizitorë. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë partnerët tanë të huaj të cilët janë shumë, por nuk mund të lë pa përmendur Komisionin Europian, Ambasadën Gjermane dhe KFW, Ambasadën Zvicerane dhe SEICO, Ambasadën Suedeze, Bankën Botërore, BERZH dhe shumë të tjerë, të cilët kanë qenë vendimtarë në transformimin e Beratit”. “Faleminderit FSHZH dhe gjithë stafit me të cilët kemi bashkëpunuar fort në implementimin e projekteve. Faleminderit çdo bashkëpunëtori që ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi 6-vjeçar me shumë sfida dhe arritje. Faleminderit të gjithë sipërmarrësve që çdo ditë, me përkushtimin e tyre, e bëjnë Beratin më të mirë. Faleminderit Ju, qytetarët e Beratit që më keni mbështetur dhe motivuar që të bëjmë gjithmonë zgjedhjet e duhura, sado të vështira. Ëndrra vazhdon…! E them me bindje se Berati magjishëm ditët më të mira i ka përpara”, tha Demo. /k.s//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›