E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo: Reforma territoriale do të jetë e bazuar në të dhëna transparente dhe gjithëpërfshirëse

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi sot se reforma territoriale që është në proces hartimi duhet të jetë e bazuar në të dhëna, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

Në një konferencë për shtyp, Demo theksoi rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme ndaj reformës.

“Ne nuk kemi një qasje sa i përket numrit të bashkive, por dua të nënvizoj faktin se ajo që është e rëndësishme është të kuptojmë që një reformë territoriale, edhe nga pikëpamja e ndërlikimit real që sjell, sa i përket performancës së bashkive nesër, lidhet me funksionet e bashkive dhe kjo kërkon një punë të kujdesshme, qoftë nga komisioni, por edhe gjithë aktorët e tjerë, për ta bërë këtë reformë që t’i rezistojë faktorit kohë”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se reforma nuk duhet të shihet si një ndërhyrje tërësore pa lidhje me realitetin, por si një proces që do ti përgjigjet më së miri sfidave që priten qoftë ato që vijnë si rrjedhojë e integrimit në BE, apo sfidat që bashkitë kanë në kuadrin aktual, por edhe sfidat dhe kërkesat që vijnë si rrjedhojë e nevojave që qytetarët kanë.

Demo vuri në dukje se reforma territoriale ka rëndësi të madhe.

“Vetvetiu krijon një kuadër shoqëror dhe krijon kushtet që sfidave në nivel lokal t’u përgjigjen më mirë, duke fuqizuar bashkitë për të dhënë shërbime më të mira për qytetarët”, shtoi ai.

Ministri shtoi se shërbimet lokale, veçanërisht arsimi parashkollor dhe parauniversitar, kanë përfituar nga roli i bashkive në dekadën e fundit.

Ai shprehu bindjen se ka shumë funksione të tjera që duhen kaluar te pushteti vendor.

“Nuk dua të ndalem në funksione specifike, por unë jam i bindur se, ashtu siç e kemi eksploruar më parë, ka funksione në fushën e arsimit dhe shërbimeve sociale që realisht bëjnë shumë sens, ku bashkitë mund të marrin rol më të madh lokal për të garantuar funksionimin e infrastrukturës lokale dhe në të njëjtën kohë ofrimin e shërbimeve brenda standardeve dhe në kohë për qytetarët. Duhet të kuptojmë se që nga viti 2015, bashkitë morën rol ku arsimi parashkollor kaloi në përgjegjësi të bashkive dhe një rol i përafërt, sidomos për infrastrukturën për arsimin parauniversitar, gjithashtu iu kalua bashkive. Unë mund të them me bindje se ka qenë një sukses. Sot shërbimet në fushën e arsimit, si ato parashkollore dhe parauniversitare, janë shumë më të mira si rrjedhojë e rolit që bashkia luan në territor”, deklaroi Demo. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›