E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokraci e mundur, pa Berishën nëpër këmbë

F. Pazoku/qytetar 

-Liberalizimi i vizave për një popull emigrant, ku një e treta e moshës aktive tashmë janë me viza të liberalizuara, për arsye sepse jetojnë e punojnë në vendet e zonës “Shengen” dhe më gjerë, nuk duhej të bëhej shkak për Qeverinë që të “harronte” të punonte dhe qeveriste vendin me standarde të reja. Kështu do të "liberalizoheshin" vizat për në Shqipëri. 

Premtimi solemn do të ishte se, do të bëjmë të mundur kthimin e shqiptarëve për në Shqipëri dhe jo e kundërta, premtimin e largimit edhe të shqiptarëve të fundit. Z. Berisha premton me pompozitet, sikur po premton parajsën, tanimë kur do duhej të jepte llogari para shqiptarëve për pengesat e proceseve demokratike në Shqipëri. Kur thuhet do të futet Shqipëria në BE, duhet kuptuar që shqiptarët në vend që të rrinë në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA e kudo, të kthehen po me kaq dëshirë në Atdheun e tyre, pasi arritja e standardeve nuk ka për qëllim përzënien edhe të atyre shqiptarëve që kanë mbetur në Shqipëri, por përkundrazi, thithjen e atyre të larguarve. Detyrimet janë të shumta dhe nis me standardet për turp të zgjedhjeve që ka organizuar dhe organizon z. Berisha në Shqipëri dhe jo të plotësohen pyetësorët në letër e të bëhen lobime false të arritjeve, por "pyetësorët" të shkruhen në praktikën e jetës së përditshme të qytetarëve të Republikës. Deri tanimë, dhe jo pak, por 8 vite në qeverisje, z. Berisha faktoi se nuk është njeriu i duhur që të mund të inspirojë demokracinë Perëndimore në Shqipëri. Tashmë këtë e dinë të gjithë. Edhe ndërkombëtarët e dinë. Natyrisht, premtimi piramidal politik i z. Berisha për liberalizimin e vizave me SHBA. tregon paaftësinë për të realizuar demokracinë në Shqipëri, realizim i cili do realizohet në fakt nga shqiptarët pa e patur nëpër këmbë z. Berisha dhe shpurën e tij antidemokratike, si pengues të mëdhenj të progresit demokratik. Shqiptarët janë aq të zgjuar këtë herë që t’i thonë “STOP” pseudemokratëve me votën e tyre më 23 Qershor.

 

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›