E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e pensioneve ose skema e re piramidale

pensionetNga Enkelejd Musabelliu

Ndërkohë që opinioni publik shqiptar ishte përfshirë krejtësisht në debatet rreth veshit (!), qeveria Berisha përgatiti pa shumë debate (!) një reformë në pensione, të cilën e kish bërë gati qysh në vitin e largët 1995. Këtë radhë pasionit të Berishës për të privatizuar gjithçka, nuk po i shpëton as sistemi i pensioneve. Që sistemi ynë i pensioneve ka shumë probleme e duhet reformuar, është një fakt i njohur, por puna është se reforma në fjalë jo vetëm që nuk zgjidh asnjë nga problemet aktuale, por krijon edhe shumë probleme të tjera, akoma edhe më të mprehta.

Skema e tanishme e pensioneve ka hyrë në fuqi në vitin 1993 dhe është një skeme me benefite të përcaktuara që do të thotë se pensioni mujor përcaktohet si funksion i historisë së kontributeve të individit. Kjo skemë është publike universale dhe financohet në bazë të solidaritetit ndër-brezor ku kontribuuesit e sotëm paguajnë për pensionistët e sotëm. Në këtë mënyrë, risku është i shpërndarë në gjithë popullatën ekonomikisht aktive dhe shteti, si menaxhuesi i sistemit, është përgjegjësi i vetëm që garanton që pensionistët të mund të përballojnë jetesën e tyre.

Gjatë këtyre viteve kjo skemë ka hasur në probleme serioze në lidhje me financimin, e kjo për shkak numrit të ulët të kontribuuesve, faktit që shumica e të punësuarve në firmat private fshehin pagën e tyre reale dhe paguajnë kontribute vetëm për pagën minimale, dhe kapaciteteve të ulëta të administratës tonë publike për të mbledhur kontributet. Si rezultat, buxheti i shtetit është detyruar të mbulojë deficitet e përvitshme të skemës, çka e ka vënë në dyshim qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Por reforma e propozuar, përveç faktit që po kalon sërish paratë publike tek firmat private, nuk adreson asnjë nga këto probleme. Sistemi i propozuar i pensioneve është gatuar në laboratorin neoliberal të Kilit të Pinoçetit më 1980 dhe që atëherë është bërë i njohur si skema tri-kolonëshe. Në kolonën e parë qëndron skema aktuale e menaxhuar nga shteti, por e reduktuar në një pension minimal, në nivelin e minimumit jetik. Kleçka qëndron tek kolona e dytë, e cila është private dhe e detyrueshme. Një pjesë e kontributeve që aktualisht derdhen në skemën shtetërore do të kalojnë tek kompanitë private të pensioneve. Kolona e tretë është përsëri private por vullnetare, pra individët mund të derdhin kontribute edhe në këtë kolonë në rast se duan një pension më të madh në të ardhmen. Kësodore, Shqipëria lëviz nga një skeme me benefite të përcaktuara drejt një skeme me kontribute të përcaktuara  që do të thotë se pensioni mujor tani do të përcaktohet nga vlera e aseteve të akumuluara. Me fjalë të tjera, kompanitë private do të mbledhin kontributet e qytetarëve dhe do ti investojnë ato, dhe pensioni mujor do të varet nga performanca e këtyre investimeve.

Problemet që burojnë nga privatizimi i pensioneve janë të shumta. Pikësëpari, është çështja e përgjegjësisë. Me këtë reformë shteti heq dorë nga çdo përgjegjësi duke ia kaluar ato individit. Çështë e vërteta nëse fondet e akumuluara që do investohen nga firmat private korrin sukses pensionistët do të kenë një pension më të lartë mujor. Por, në rast se këto fonde investohen keq apo rezultojnë investime të dështuara atëherë pensionistët do marrin një pension shumë të ulët me të cilin zor se mund të përballojnë jetesën, duke i ngrysur ditët në varfëri absolute. Ta detyrosh një individ  të investojë pensionin e tij në një firmë private pa i lënë në dorë asnjë mjet për të kontrolluar portofolin e tij dhe pa i dhënë asnjë garanci është absurde.

Problemi i dytë ka të bëjë me faktin se ku do të investohen fondet e akumuluara. Fakti që në Shqipëri tregjet financiare janë shumë pak ose aspak të zhvilluara i kufizon shumë mundësitë e investimit të fondeve. Në rast se do të ndodhë ajo që ndodhi në Maqedoni kur kjo privatizoi pensionet, ku 80% e aseteve u investuan në bono qeveritare, atëherë do të shumëfishohej ekspozimin ndaj riskut. Kjo për arsye se në qoftë se vlera e bonove do të binte në të ardhmen atëherë një gjeneratë i tërë pensionistësh do merrnin një pension minimal, çka do të rezultonte në një fatkeqësi kombëtare.

Së treti, është problemi i kostos administrative që do të ketë skema private. Siç dihet, firma private që do merret me mbledhjen dhe investimin e kontributeve do ta kryejë këtë shërbim kundrejt një shume të caktuar, e cila sërish do të paguhet nga individi. Një llogaritje e thjeshtë nxjerr se nqs firmës private do ti paguhej një tarifë vjetore prej 1% të fondeve të akumuluara atëherë fondi total i akumuluar do të reduktohej me 20% kur individi do të dalë në pension. Pra, një e pesta e pensionin mujor do ti paguhej firmës private për shërbimin e ofruar.

Problemi i katërt lidhet me rregullimin e firmave private. Në qoftë se menaxhimi i pensioneve do tu lihet në dorëzim firmave private fitimprurëse duhet domosdoshmërisht që të krijohet një institucion shumë i fuqishëm që do të mbikëqyrte operacionet e tyre. Për këtë nevojitet një administratë me aftësi shumë të sofistikuara, por kur administrata jonë nuk është në gjendje të mbledhë kontributet e të punësuarve, a do ishte ajo në gjendje të ndalonte abuzimet e mundshme të këtyre firmave private? Përvoja e këtyre viteve tregon të kundërtën.

Së pesti, është ai që njihet si problemi i barrës së dyfishtë mbi gjeneratën tranzitore. Reforma e propozuar kërkon që çdo i punësuar mbi 35 vjeç të kontribuojë në skemën e re private. Kësisoj, i bie që për disa dekada klasa punëtore të financojë pensionin e vet privat e në të njëjtën kohë të financojë edhe pensionet e pensionistëve të sotëm si edhe të të gjithë atyre mbi 35 vjeç që do të dalin në pension në të ardhmen të cilët e kanë këtë të drejtë nga sistemi aktual i pensioneve. Përveç se është e padrejtë kjo gjë do të vendoste në vështirësi të mëdha ekonomike punëtorët aktualë. Nga ana tjetër, nëse kjo kosto do të përballohej nga shteti atëherë ky i fundit do duhej të paguante për dekada me radhë më shumë seç paguan sot për të mbuluar deficitet e skemës aktuale. Atëherë, përse duhet kjo reformë?!

Së gjashti, është problemi i skemave paralele rurale e urbane. Nëse në skemën urbane numri i kontribuuesve është mjaftueshëm i lartë, në skemën rurale shumica dërrmuese nuk kontribuon fare, dhe edhe ata pak që kontribuojnë paguajnë vetëm një shumë të vogël kurse pjesën tjetër e paguan qeveria. Si do veprohet me këtë skemë? Nëse do të privatizohet edhe kjo skeme atëherë pjesa dërrmuese e popullsisë rurale, të cilët nuk kontribuojnë, do mbeten pa pension. Nëse qeveria do merrte përsipër të kontribuonte për ta, atëherë kostot e reformës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›