Na u bënë pajë!
Tek ecja ne mesditë me nxitim, nga xhami i hapur i një makine të stacionuar, ndoshta taksi, nuk e pashë me vëmendje, dëgjohej zëri i kryeministrit, i lartë me atë mënyrën e të kënduarit të fjalës në fund të fjalisë tipike dialekt verior. Përveç faktit se në këtë kohë të afërt me zgjedhjet e radhës i dëgjojmë shumë politikanët në përgjithësi të flasin përpara turmave, kryeministrin e kemi dëgjuar në total më shumë nga të gjithë, që prej 1992 e deri sot pa pushim. Madje edhe 8 vjetët e qeverisjes i kaloi më së shumti nëpër rrugë me një billboard me vete Shqipëria po ndryshon duke thirrur për suksese, që lidheshin kryesisht me ndërtim rrugësh e ngaqë u përsërit shumë i doli kallaji e tani po përhapen gjithandej barsoleta.
Kështu, nën zhurmën e makinave e tymit mbytës që ato nxjerrin, nën stresin e përditshëm, qytetarëve, duke u përplasur me njeri- tjetrin në trotuar, secili për të shkuar në drejtime të ndryshme, u lexohet një padurim, një bezdi, ndonëse pranvera me pemët e gjelbra në kryeqytet duket e qeshur, ai zëri që vinte prej xhamit u duk se shkaktonte rrudhje sysh në formë padurimi apo bezdie, dhe në krahun tim të majtë një grua që ecte me dy trasta në duar duke më parë krejt rastësisht tha si gjysmë me vete, por edhe të dëgjohej një çikë: çna u bënë pajë . Menjëherë më erdhi një e qeshur për momentin sepse këtë shprehje gati e kisha harruar fare dhe kuptimi i saj më bëri të qesh më shumë, sepse paja dikur për vajzat që do të ndërronin status ka qenë një preokupim i madh qoftë për arsye ekonomike qoftë edhe si angazhim dhe sigurisht që nuk mbaronte puna me përfundimin e saj, mbasi paketohej, shqetësimi vazhdonte sepse ajo (paja) do të shkonte pas nuses dhe sigurisht ishte një shqetësim më vete.
Prandaj kjo shprehja çmu bëre pajë tregon një gjendje shqetësimi për njeriun që e thotë.
Po në fakt të dëgjosh një njeri 22 vjet rresht sa hap televizorin duke thërritur, sharë, mallkuar, fyer, shpifur për të gjallë e të vdekur, madje për çdo gojë kritike e ka gati një shpifje (ai njeri duket se më shumë ka punuar me skedime individësh, për tua përdorur në rastin më të parë) është një zhurmë që lë pasoja të mëdha në gjendjen emocionale të njeriut.
Dikur në kohën e Diktaturës së Proletariatit propaganda paraprinte gjithë ndryshimet në zhvillimet ekonomike apo sociale, por Enver Hoxha nuk fliste çdo dite vetë ai dilte rrallë dhe madje edhe ata që nuk e donin, me kujdes të madh dëgjonin çdo fjalë të tij, sepse ai nuk fliste kot kur dilte në publik dhe më të interesuarit ishin shtresat e persekutuara për ta dëgjuar. Më kujtohet mirë qysh fëmijë sesi im atë ulej pranë radios dhe ne shtëpi kishte heshtje të plotë, pasi nuk duhej ti shpëtonte asnjë fjalë, sepse midis fjalëve mund të kuptoje nëntekste dhe ndoshta prej një fjale të vetme shfaqej një rreze shprese si p.sh, zigzagja e luftës së klasave që herë ashpërsohej e herë zbutej dhe në këtë të dytën zhvillohej biseda në familje për mënyrën se si mund të përfitonim.
Nuk jam duk e kujtuar me nostalgji atë kohë, përkundrazi, përderisa kam qenë viktimë e asaj politike klasore, por e kam gjithmonë në mendje sa pak dilte diktatori në publik sepse gjithë superstruktura e shtetit që ai kish ndërtuar punonte çdo ditë sipas vijës politike të përcaktuar.
Ndërsa pas rënies së asaj diktature (disa thonë se e rrëzuan) njerëzit prisnin shumë më shumë sesa fjalime të përditshme të një kryeministri. Më kujtohet më shtator 1994, kur u ktheva pas një qëndrimi disavjeçar në një vend të Europës, sapo hyra në shtëpi, gjëja e parë që bëra, hapa TV dhe menjëherë mu shfaq fytyra e Sali Berishës në aeroport tek po nisej për një vizitë në Kosovë, ndërsa në ato ditë gjithë Europa ziente nga diskutimet mbi idenë e Zhirinovskit për mundësinë e Një luftë të tretë Botërore. Fjalori i gazetarëve shumë i cekët dhe plot me gabime gramatikore, të cilat për fat të keq vazhdojnë të jenë shqetësim.
Që prej asaj dite më duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht zhvillimeve në media ato janë ngërthyer tek lajmet mbi politikën, mbledhjet e qeverise kanë 8 vjet rresht që mblidhen në prani të kamerave, në mbrëmje emisionet janë përherë me fokus politikën, analistë të ndryshëm shpesh diskutojnë si në një bisedë private në kafe dhe thelbi i analizës nuk është çfarë bëhet keq dhe mirë dhe në fund nuk ka një përfundim si duhet të përmirësohet, përkundrazi ajo zhvillohet rreth personash, kandidatësh, taktikash, strategjish dhe në fund sipas mendimit dhe preferencave kush do ta fitojë. Sikur bëhet fjalë për një ndeshje futbolli dhe jo për jetë e fate njerëzish. Madje kur fitorja del si parashikimi i p.sh, Henri Çilit ai me një gëzim të përmbajtur cazë thotë: -e thashë unë që PD do fitonte sepse është ajo lëvizja e pllakave tektonike… po ka edhe të tjerë si Andi Bushati që edhe pse vendi ka mbërritur në këtë pikë sikur duket se gjithçka ka ngrirë, ai vetë nuk e ndjen kështu, por e rrotullon analizën sikur kritikon Doktorin e pastaj nuk jep ndonjë zgjidhje sepse opozita jonë nuk është perfekt sipas tij, sepse kuti i Bushatit për të matur performancën e opozitës është i ndryshëm nga ai që mat performancën e qeverisjes aktuale.
Atëherë fushata vazhdon, liderët kontaktojnë me masat sepse më së shumti opozita shpreson se duke ardhur aty në miting njerëz që nuk janë fort të bindur ngaqë në mbrëmje dëgjojnë Bushatin e Çilin do të përfshihen natyrshëm në ato që dëgjojnë nga lideri i opozitës dhe fillojnë edhe e duartrokasin atë.
Ndërsa në kampin e pushtetmbajtësve thuhet se njerëzit atje shkojnë pa dëshirë, por nën presionin e drejtuesve të administratës dhe drejtorëve të shkollave.
Gjithsesi po ti krahasosh dy kampet, ajo që na është lodhur jo vetëm këto tetë vjet, por edhe gjatë gjashtë vjetëve president (edhe atëherë rrinte gjithë ditën në televizor) vetvetiu të del nga shpirti: çna u bë pajë ky njeri!
