E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokracia dhe drejtësia në fokusin e PS-së

13/01/2010  Lidershipi socialist ideon një tjetër mbledhje të AK-së
Rekomandime dhe sugjerime mbi mirëfunksionimin e çështjeve
Partia Socialiste do të rinisë axhendën e saj të punës, të ndërprerë për shkak të përmbytjeve në Veri të vendit, duke thirrur në fundjave Asamblenë Kombëtare të saj. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se do të jetë pikërisht ky afat kohor që do të zhvendosë deri diku vëmendjen e kësaj partie nga situata e rënduar në zonat e përmbytura. Por nga ana tjetër për drejtuesit e PS-së është mjaft e rëndësishme arsyeja për të cilin është thirrur ky forum. Në këtë mënyrë, kriza e demokracisë dhe shteti i së drejtës do të jenë çështjet e radhës që do të diskutojë Partia Socialiste në Asamblenë Kombëtare të saj, pra çështje që përbëjnë shqetësimin kryesor për të cilin socialistët kanë ndërmarrë një sërë protestash gjatë vitit të kaluar dhe që pritet të rimerren edhe gjatë këtij muaji. Por kjo në një kohë të dytë, pas stabilizimit të situatës në Veri të vendit. Në këtë mënyrë, pas Asamblesë Kombëtare të 16 dhjetorit, që iu dedikua tërësisht ekonomisë, pritet që mbledhja Asamblesë e parashikuar të zhvillohet në fund të kësaj jave t’u dedikohet çështjeve ligjore. Dhënia e një përkufizimi konkret se si duhet të funksionojë një shtet ligjor apo se cila do të ishte mënyra më e mirë e funksionimit të marrëdhënieve të institucioneve të drejtësisë me pushtetin politik do të jetë në qendër të ideve që socialistët kanë përpunuar dhe do të vijojnë të punojnë gjatë këtyre ditëve deri në takimin e radhës. Përmes shifrave dhe elementeve të studiuara mirë ekspertët ligjorë të PS-së, të ndihmuar edhe nga ekspertë jashtë partisë, kanë menduar të japin disa rekomandime, madje t’ia paraqesin edhe qeverisë, nëse do t’i dojë, për reformën në fushën e drejtësisë. Vetëm pak kohë më parë PS-ja shpalosi strategjinë e saj për një model të ri zhvillimi për ekonominë shqiptare, ku në thelb ishte implementimi i një modeli të tillë, i cili insiston në kalimin në një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese.
Apeli
PS kërkon dëmshpërblim të menjëhershëm
Socialistët bëjnë thirrje për dëmshpërblim të menjëhershëm të banorëve në Veriperëndim të vendit. “Partia Socialiste e Shqipërisë i bën thirrje edhe një herë Sali Berishës dhe qeverisë së votave të vjedhura që ai drejton të nxjerrin urgjent vendimin për t’i dhënë lekë në dorë çdo familjeje që jeton në zonën e përmbytur, që ka humbur tokën, të mbjellat, bagëtinë dhe burimin e përditshëm të jetesës”, - deklaroi deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni. Sipas saj, shqiptarët e kanë tashmë të qartë se katastrofa e ditëve të para të këtij viti të ri nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm. Për këtë arsye Gjermeni bëri thirrje që “Berisha të lërë propagandën e ditëve të fundit, pasi shkodranët nuk mbijetojnë dot me gënjeshtra, por të mbledhë urgjent qeverinë për të nisur një orë e më parë dëmshpërblimin dhe kompensimin e familjeve të dëmtuara, qindarkë për qindarkë, për çdo dëm”.
Akuza
Kodheli: Prifti shkaktoi katastrofën në Veri
Partia Socialiste akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrin Prifti si përgjegjësin kryesor për katastrofën në Veriperëndim të vendit. Një akuzë e tillë u bë dje e ditur nga deputetja e kësaj partie Mimi Kodheli, e cila gjatë një deklarate për shtyp përjashtoi mundësinë që përmbytjet në Veri të kenë ardhur nga shkaqe natyrore. “Katastrofa që prej më shumë se dhjetë ditësh ka zhytur në ujë Shkodrën, Lezhën dhe komuna të tëra të Veriperëndimit së Shqipërisë, nuk është një katastrofë natyrore, siç përpiqet ta shesë Sali Berisha dhe Dritan Prifti. Jo,vuajtja me të cilën përballen sot shqiptarët e përmbytur ka një përgjegjës Dritan Priftin”, - vlerësoi Kodheli lidhur me këtë çështje. Madje, po në këtë linjë, deputetja socialiste nënvizoi se “prej muajsh Sali Berisha dhe qeveria e tij e votave të vjedhura është përpjekur të fsheh gropën e zezë në buxhetin e shtetit. Përpjekja e tyre më e fundit përveçse e dëshpëruar rezultoi fatale për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›