E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Bojkoti aksion politik tërësisht artificial

13/01/2010  Demokratët sërish thirrje opozitës të kthehet në Parlament
Kërkesa në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar
Partia Demokratike i ka kërkuar sërish opozitës të lërë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për të dhënë kontributin e saj në reformat, të cilat maxhoranca i konsideron si jetike për vendin. Deputeti demokrat Aldo Bumçi është shprehur dje se bojkoti i grupit parlamentar socialist nuk ka legjitimitet dhe është një aksion politik tërësisht artificial e i pabazuar. Në një intervistë televizive Bumçi tha se mazhoranca i mbetet qëndrimit të saj për të bashkëpunuar me opozitën për çështjet e rëndësishme ligjore të integrimit europian të vendit e për këtë arsye vazhdon t’i drejtojë asaj ftesa që të heqë dorë nga bojkoti. “Opozita duhet t’i japë fund këtij bojkoti të papërligjur të Parlamentit dhe t’i kthehet jetës opozitare. Ky është një bojkot që u bëhet qytetarëve, votuesve të tyre, sepse ata nuk i kanë votuar që të qëndrojnë në rrugë, i kanë votuar që të qëndrojnë në Parlament. Në të njëjtën kohë është edhe një bojkot ndaj rezolutës së Parlamentit Europian, që i kërkon opozitës t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend, aty ku zhvillohet jeta politike e vendit”, - deklaroi ligjvënësi demokrat. Deputeti i PD-së, duke iu referuar oponencës që ka bërë opozita gjatë sesionit të fundit parlamentar, thotë se ka të drejtën e saj të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë, por më parë duhet të jetë pjesë e jetës parlamentare. “Në rastet që mendon se ka shkelje të Kushtetutës, të frymës së saj, atëherë mund ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Por të mos marrësh pjesë në jetën e vendit, aty ku të takon të marrësh pjesë si parti politike, në Parlament, pra aty ku hartohen ligjet e bëhen politikat dhe më pas të tregohesh se je i pranishëm duke e çuar në Gjykatë Kushtetuese, kjo nuk e mbulon dot mungesën e papërligjur të opozitës”, - tha deputeti Bumçi. Sipas tij, aksioni politik (bojkoti i Parlamentit) i ndërmarrë nga opozita nuk mund të mbulojë dot boshllëkun që ka krijuar dhe nuk justifikohet dot para votuesve të saj.
”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›