“Demokracia në Veprim” prezantoi raportin e parë

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka vlerësuar se procesi zgjedhor në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, po zhvillohet pa probleme, me përjashtim të disa vonesave të vogla në hapjen e disa vendvotimeve, mungesës në disa rasteve të disa komisionarëve, si dhe problemeve teknike.
Drejtues të këtij koalicioni thanë të dielën në konferencën e parë për media se bazuar në raportet e vëzhguesve të “Demokracisë në Veprim” për zgjedhjet e raundit të tretë për zgjedhjet lokale në Prizren dhe Lipjan, deri në orën 10:00, në përgjithësi, procesi i votimit është zhvilluar i rregullt.
Sipas “DV”-së, deri në orën 10:00, vonesa deri në 45 minuta në Komunën e Prizrenit ka pasur në disa vendvotime si në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” - 2004a, “Gjon Buzuku” -2005a, “Mustafa Bakia” -2005x, fshatin Kushnin -2050a për shkak të kushteve të rënda atmosferike, Zym, -2024a ku ka pasur probleme me ngjyrën për vula të fletëvotimeve, Hoqë e Qytetit-vendvotimi 2026a/03, Lugishtë e Hasit - 2030a, shkolla fillore “Gani Qavdërbasha”- vendvotimi 2042a/09, “Lekë Dukagjini”- vendvotimi 2007a/01, për shkak të mungesës së ngjyrës për vulë të fletëvotimeve.
Qendra e votimeve në fshatin Novakë, vendbanim i banuar me serbë, nuk është hapur fare, derisa në fshatin Randobravë është raportuar se vëzhguesit e partive politike kanë asistuar votuesit, si dhe menaxheri i qendrës ka insistuar që një votuesi t’i lejohet votimi me kopje të letërnjoftimit.
Në Komunën e Lipjanit janë raportuar vonesa në qendrën e votimit në Ruvc të Ri - 1323E. Ndryshe, “Demokracia në Veprim” ka të angazhuar rreth 300 vëzhgues për zgjedhjet e raundit të tretë në Komunën e Prizrenit dhe Lipjanit. /kosovapress/