KQZ: Procesi zgjedhor po ecën pa probleme

Drejtues të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në konferencën e parë për media të dielën kanë bërë të ditur se me përjashtim të dy qendrave të votimit në Prizren, të gjitha qendrat e tjera në këtë komunë dhe atë të Lipjanit janë hapur me kohë dhe se procesi zgjedhor po ecën pa probleme.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë në ora 7.00, me përjashtim të dy qendrave të votimit në vendbanimet me serbë në Prizren.
“Sipas informatave që ka pranuar KQZ-ja nga komisionet komunale të zgjedhjeve, të gjitha vendvotimet janë hapur përveç në komunën e Prizrenit. Dy vendvotime, të banuar me komunitetin serb këto janë Novak dhe Sreck do të kenë mundësinë të shërbehen nga ekipet mobiluese. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka krijuar ekipe monitoruese, të cilat do të jenë në terren dhe do të mbikëqyrin procesin zgjedhor në këto dy komuna” tha Lushta.
Qytetarët e komunës së Prizrenit dhe Lipjanit iu janë drejtuar sot për të tretën herë vendvotimeve brenda tre muajve të fundit, për të zgjedhur kryetarin e komunës, pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për rivotim, për shkak të parregullsive të konstatuara në garën e balotazhit, më 13 dhjetor.
Në Lipjan janë 48.084 qytetarë me të drejtë vote, të cilët po votojnë në 26 qendra votimi, derisa në Prizren janë 137.849 qytetarë me të drejtë vote në gjithsej 60 qendra votimi.
Në garën për të parin e Prizrenit janë Ramadan Muja, kandidat i PDK-së, njëherësh kryetar i komunës dhe Hanefi Muharremi nga LDK-ja, ndërsa në komunën e Lipjanit garojnë Shukri Buja, kandidat i PDK-së dhe kryetar aktual i komunës, i cili për kundër kandidat ka Imri Ahmetin e LDK-së.
Për komunën e Gjilanit, ku gjithashtu janë shënuar parregullsi në raundin e dytë, ende nuk është marrë vendim, pasi që çështja është proceduar në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në ora 13.00. (Kosovapress)