Hakmarrje politike

Hakmarrje politike. Ky është vlerësimi i 43 punëtorëve të larguar nga puna në Kuvendin Komunal të Kamenicës, një ditë pasi kryetari Shaip Surdulli, ka marrë vendim për largimin e tyre.
Të gjithë punëtorët e larguar, tashmë kanë përgatitur ankesat e tyre në Komisionin për Ankesa të Kuvendit Komunal të Kamenicës, por ata besojnë pak se do të ketë ndonjë ndryshim pozitiv, meqë sipas tyre ky komision është nën urdhrat e kryetarit Shaip Surdulli.
Përveç ankesave në komision, punëtorët e larguar do të ankohen edhe në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës.
Për t`i mbrojtur interesat e tyre dhe për të folur në emër të punëtorëve të larguar, ata kanë caktuar Bajram Morinën, i cili do të merret me këtë çështje, gjithmonë duke ndjekur rrugën ligjore.
Disa nga punëtorët e larguar kanë thënë për Express se menjëherë pas marrjes së mandatit, kryetari Surdulli ka nisur të përgatisë terrenin për largimin e tyre.
Ata thonë se para se të largohen, kanë pasur shantazhe dhe kërcënime prej më të ndryshmeve.
Ish-Kryesuesi i Kuvendit, Bajram Morina, thotë se me vendimin e kryetarit Surdulli janë shkelur të gjitha të drejtat elementare të njeriut.
“Kjo është kryekëput e ngjyrosur politikisht. Largimet e tilla kanë ndodhur vetëm para dhjetë apo dymbëdhjetë vjetësh”, thotë Morina.
Të larguarit thonë se sikur të kishte respektim të ligjit, një gjë e tillë nuk do të ndodhte. “Në Kosovë nuk ka sundim të ligjit. Ne do të ankohemi në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës dhe të shikojmë se çfarë do të ndodhë”, thotë Morina.
Në rast se ankesat e punëtorëve të larguar nuk do të merren parasysh , ata do të ngrenë padi edhe ndaj kryetarit Shaip Surdulli.
“Edhe në Gjykatën e Strasburgut do të shkojmë”, thotë Bajram Morina
Në arsyetimin e tij për largimin nga puna e 43 punëtorëve, Surdulli, i cili vjen nga radhët e LDK, ka thënë se shumica nga të larguarit janë punësuar pa konkurs, në kohën kur ka qeverisur ish-kryetari Begzad Sinani i PDK`së.
Por një gjë të tillë e mohojnë punëtorët e larguar.
Shefqet Rexha, tashmë i larguar, ka punuar zyrtar ligjor në Komunë.
Ai tregon se është pranuar në mënyrë të rregullt, pasi ka konkurruar në konkursin që ishte shpallur në fillim të vitit 2008.
Ai thotë se shumica e punëtorëve të larguar janë pranuar me konkurs, e jo siç thotë kryetari, me kontratë mbi vepër.
Ai thotë se të gjithë të larguarit kanë qenë të përfshirë në listë ne pagave, kanë pasur kontrata dhe po ashtu kanë pasur performancën e punës që i është bërë atyre me urdhër të kryetarit të Komunës.
Nëse kryetari ka menduar se ka pasur parregullsi gjatë pranimit në punë, ai është dashur të formojë një komision për të hetuar këtë, e jo menjëherë të largojë 43 veta nga puna. “Kjo çka ka bërë ka ndodhur vetëm në kohën e Jugosllavisë. 43 familjeve iu është ndalë buka e gojës. Për këtë vendim të kryetarit, është dashur të respektohen shumë procedura, por ai nuk i ka përfillur. Është dashur të formohet komision, meqë sipas tij paska pasur parregullsi gjatë pranimit në punë dhe fundi i fundit këto ‘parregullsi’ i ka miratuar menaxheri i personelit, i cili ka qenë i caktuar nga vetë kryetari Shaip Surdulli”, thotë Shefqet Rexha.
Ky ish-zyrtar ligjor i Komunës thotë se disa prej tyre e kanë ditur se kryetari nga radhët e LDK-së do ta largojë dikë nga puna, por shton se nuk ia ka marrë mendja se 43 punëtorë do të largoheshin përnjëherë.
“Tendencat e tij për largim nga puna janë vërejtur menjëherë pasi ka fituar zgjedhjet”, thotë ai.
Kryetari aktual i Komunës, përveç që ka larguar 43 punëtorë komunalë, ka akuzuar edhe ish-kryetarin nga radhët e PDK-së, Begzad Sinani.
“Nga të larguarit, 17 veta janë me kontratë mbi vepër dhe 27 të punësuar, pa përfillur procedurat e konkursit. Të gjitha këto punësime janë bërë gjatë mandatit të ish-kryetarit Sinani”, ka thënë Surdulli.
Sipas kryetarit të ri, një numër i këtyre të punësuarve nuk kanë qenë as në listën e pagave, por janë paguar nga të hyrat komunale dhe nga mallrat dhe shërbimet.
“Të gjithë këta janë liruar nga detyra pas datës 31 janar 2010. Buxheti i Komunës nuk mund të bartë barrën e tepërt të punëtorëve administrativë të pranuar në punë, pa ndonjë kriter, ndërsa për disa vende të punëve do të shpallen konkurse dhe ata punëtorë të larguar mund të konkurrojnë për vende të reja të punës, nëse i plotësojnë kushtet”, ka thënë ai.