Demokracia radikale
Depërtimi i demokracisë në këto hapësira më vete, solli edhe fjalë të reja, më moderne. Njëra nga ato që përdoret dendur, vend e pavend është edhe fjala shumëkuptimshme “president”. Disa ekspertë gjuhësorë kanë konstatuar se ekzistojnë më se 13 konotacione të kësaj fjale. Kjo larmi kuptimesh të ndryshme të këtij nocioni ka të bëjë edhe me aspektet psikologjike të njeriut, me dëshirën, shpeshherë të pakontrolluar të tij për protagonizëm, me dëshirën normale për ta veçuar veten nga të tjerët. Shpeshherë ndodh që kjo fjalë e humb kuptimin. Kjo ndodh, ose për shkak tëkeqpërdorimit të kësaj fjale, ose për shkak të ngushtimit të kompetencave të bartësit të këtij institucioni, i cili në vend t’i shërbejë atdheut, pranon t’i shërbejë partisë së tij.
Në gjuhën shqipe, fjala “president” përputhet plotësisht me fjalën, “kryetar”. Por, pas demokratizimit të shoqërive shqiptare, nocioni i periudhës demokratike,“president”, pak nga pak ia merr anën fjalës shqipe “kryetar”, jo për shkaqe gjuhësore, por për shkak të nevojës së njeriut që të dallohet prej tjetrit, të jetë mbi të tjerët. Këto elemente psikologjike kanë ndikuar që fjala “president” të përdoret për çfarëdo posti në shoqëri, prej atij të kryetarit të shtetit deri te shefi i një shoqate të gjahtarëve. Kjo situatë, ku nocioni “president” (keq)përdoret në varësi nga ambiciet e individëve, ka krijuar një konfuzion qesharak, që vështirë mund të kontrollohet, ose të ndalohet, veçmas edhe nga fakti se shqiptarët ende nuk kanë formuar një komision mbarëkombëtar për ruajtje të gjuhës shqipe nga huazimet bastarduese.
Në hapësirat shqiptare tashmë është ngulitur tendenca që, për postin e kryetarit të shtetit, të përdoret fjala “president”. Por, nëse nga aspekti gjuhësor punët janë më të lehta, nga aspekti politik dhe juridik ato janë më të komplikuara. Beteja zhvillohet rreth përkufizimit të kompetencave, ingerencave të institucionit të presidentit. E gjithë kjo është e lidhur me fenomenin e vlerave demokratike, që janë pranuar nga shoqëritë, shtetet jodemokratike, atë të ish-kampit socialist.
Përkufizimin e këtij lloji të demokracisë, në mënyrë shumë të qartë e ka dhënë filozofi gjerman, J. Habermas, i cili, duke iu përgjigjur pyetjes së intelektualit polak, Adam Mihnjik lidhur me rezultatet e bindjeve idealiste për liri të viteve të gjashtëdhjetave, ai deklaron shkurt: (rezultati është) demokracia radikale. Ky është, mbase, njëri nga përkufizimet më të sakta të konceptit të demokracisë që praktikohet në shtetet e ish-bllokut socialist.
Shqiptarët, kudo që jetojnë, ku kanë krijuar parti politike, vuajnë nga ky koncept i demokracisë radikale, të debateve të pafundme, rrënuese për demokracinë, ngaqë krijohet një përçarje vertikale e shoqërisë, zhvillohet një bindje e rrejshme se demokracia vetë i zgjidhë problemet. Demokracia, në parim nuk zgjidh asnjë problem, përveç se parandalon instalimin e diktaturës në shoqëri, ose, si thotë A. Mihnjik, demokracia për subjekt e ka njeriun dhe jo idetë.
Aktualisht, në botë shfaqen dy lloj tendencash paradoksale, ajo e relativizimit të demokracisë, por tipike për shoqëritë perëndimore me tradita dhe radikalizmi i demokracisë në shtetet e reja demokratike.
Në shtetet e mirëfillta demokratike, me përvojë qindravjeçare demokratike, tashmë është pjekur vetëdija për rrezikun që vjen nga keqpërdorimi i demokracisë për qëllime të ndryshme, etnike, fetare, politike. Demokracia, sidomos në shtetet transitore, prodhon atë tip të partisë apo deputetit, që ofron atë që aspirojnë njerëzit, ndonëse ato premtime nuk janë reale. Mjerisht, nisur nga kjo vetëdije cinike, në shumë vende të botës, përmes shfrytëzimit të pluralizmit dhe të proceseve demokratike arrijnë në poste të larta të zgjidhen demagogë, diktatorë të tipit latino-amerikan, rus, arabetj. Por, kjo nuk është e keqja kryesore. Rreziku më i madh fshihet te fetishizimi i partive politike, i programit dhe i njerëzve, tek autoritarizmi në udhëheqje të partisë apo të shtetit, trashëguar nga periudha e komunizmit, te polarizimi i shoqërisë që krijon atmosferën e luftës së ftohtë brenda një shoqërie.
Shtetet më demokratike të botës, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, tashmë kanë arritur të vënë kontroll mbi abuzime tinëzare të demokracisë. Në këto shtete, pluralizmi, në mënyrë shumë demokratike, është transformuar në monizëm qeverisës. Kur zgjedhjet i fitojnë demokratët, ata nuk kanë nevojë, as detyrim që të hyjnë në qeveri me ndonjë partitë vogël. Fundja, në SHBA, ato as që ekzistojnë. Po kështu veprojnë edhe republikanët. Shpeshherë, në vijë të relativizmit të antagonizmave rrënuese dhe jo qytetëruese partiake, në pozitën e ministrit, angazhojnë ndonjë personalitet të partisë oponente, ose ndonjë personalitet i një partie mbështet kandidatin e partisëtjetër, ashtu si veproi Kolin Pauelli republikan, duke e përkrahur kandidatin demokrat, Obamën. Lufta kundër fetishizmit, autoritarizmit, në këto shoqëri të hapura, ka të njëjtën peshë sa edhe vetë demokracia. Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur gjakrat filluan të nxehen, të mençurit e këtij populli organizuan një mbrëmje gala, ku kandidatët do të paraqiteshin në role komike. Pas kësaj situata u normalizua.
Britanikët kanë gjetur variantin e tyre sesi të ikin nga koncepti i koalicioneve, që qeverisjen e bëjnë joefikase. Në këtë shtet me traditë të gjatë demokratike, qeverinë e formon ajo parti që ka fituar më së shumti vota, pa marrë parasysh faktin se përqindja e votave nuk e kalon pragun mbi 50%. Në këtë mënyrë evitohen një varg problemesh që janë tipike për qeveritë shumëpartiake.
Krahas këtyre koncepteve që qeverisjen e bëjnë më efikase, në shtetet më demokratike të botës përdoren edhe mekanizma të tjerë që pengojnë keqpërdorimin e demokracisë, në rend të parë dukurinë e ndryshimit radikal të administratës, demagogjinë e përfaqësuesve të popullit, të cilët duke u frikësuar nga teket e popullit, krijojnë politikë që nuk merr interesat strategjike të shtetit, por ato meskine, të grupeve të ndryshme të interesit. Me politika të këtilla pengohen reformat e thella ekonomike dhe shoqërore. Së këndejmi, në Unionin Evropian, reformat do të ishin të pamundshme po qe se komisionarët do t’u nënshtroheshin zgjedhjeve të rregullta. Për shkak të efikasitetit në qeverisje dhe reforma, ata nuk zgjidhen, por emërohen dhe, në këtë mënyrë, lirohen nga varshmëria prej elektoratit.
Në SHBA, po ashtu, cikli i emërimit në postet më të rëndësishme, si ai i drejtorit të thesarit të shtetit, nuk përputhet me zgjedhjet për kongres. Disa poste të rëndësishme, sidomos ato të gjyqësorit, të prokurorisë, të avokatit të popullit, nuk u nënshtrohen ritmeve të zgjedhjeve demokratike dhe, në këtë mënyrë, krijohet një balancë politike, e domosdoshme për një shoqëri të shëndoshë. Shpeshherë ndodh që një parti fiton zgjedhjet për president, por i humb ato për kongres. Për këto shoqëri, pushteti absolut është ide e papranueshme.
Në shtetet e reja demokratike, krahas fenomenit të demokracisë radikale, shfaqet fenomeni i inzhieringut etnik (në shoqëritë shumetnike), apo ai i inzhinieringut partiak,si dhe tendenca e posedimit absolut të pushtetit, në qeveri, kuvend, presidencë, gjyqësor, prokurori etj. Në vijë të realizimit të këtij interesi bëhen ndryshime të shpeshta të ligjeve, që ato të krijojnë mundësi për pushtet absolut. E gjithë kjo realizohet me një procedurë formale-juridike. Por kjo nuk është demokraci, por surrogati cinik i saj.
Popujt që kanë një traditë të gjatë demokratike, kanë krijuar mekanizma që pengojnë instalimin e pushtetit, kontrollit absolut mbi çdo institucion ngaqë, nga përvojat e hidhura të deritashme, kanë konstatuar se një fenomen i tillë shpie drejt dështimit, keqpërdorimit, privatizimit absolut të pushtetit. Në këtë rrugë të kontrollit absolut të pushtetit është Rusia e sotme e Putinit, i cili do të ndërrojë ligjet, kushtetutën, do të rikthejë procesin historik në kohën e Luftës së Ftohtë, vetëm e vetëm që të ketë pushtet absolut. Në raste të këtilla nuk dihet se cili motiv është dominues, ai personal apo ai shoqëror.
Në pjesët e botës me tradita të cekëta demokratike, kemi një varg luftash qytetare, sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve “demokratike”. Shkak për këto konflikte janë kryesisht tendencat për fitore absolute në zgjedhje, përkatësisht për pushtet absolut.
Interes vital i çdo populli të qytetëruar, rrjedhimisht edhe i popullit shqiptar, është që të mos lejohet pushteti absolut i çfarëdo partie, qoftë në shoqëri apo në vetë partinë. Është e natyrshme që edhe në Shqipërinë tonë, me përvojë të madhe të qeverisjes autoritare, absolutiste dhe me traditë të cekët demokratike, të shfaqen tendenca për kontroll absolut mbi institucionet. Hëpërhë, rezistimi kundër kësaj shfaqet si akt moral i individit, qoftë ai president, gjykatës, prokuror, deputet, ministër, drejtor i institucionit etj. Këto akte morale të rezistimit të bartësve të ndryshëm të pushtetit ndaj instrumentalizimit të tyre për interesa parc(t)iale, nuk flet për tradhtinë e tyre ndaj partisë, ndaj një pjesëze të shoqërisë, por për luajalitetin e tyre ndaj tërësisë-atdheut.
Deri më tani këto akte të oponencës, të shtendosjes së klimës politike, kanë qenë fryt i konstitucionit moral, i vetëdijes kombëtare të individëve. Nëse këto akte morale të drejtuesve të institucioneve nuk do të shndërrohen në normë shoqërore, madje edhe kushtetuese, shoqëria shqiptare, fare kot, do të polarizohet gjithnjë e më tepërdhe nuk do të arrijë ta vendosë balancën në shoqëri, pa të cilën ardhmëria jonë do të jetë e zymtë.
Radikalizmi demokratik krijon antagonizma ekstreme në shoqëri, që mund të përfundojnë me luftë qytetare. Mendësia patriarkale prodhon autoritarizmin në udhëheqje, si dhe aspiratën për pushtet absolut. Kundër kësaj nuk mund të luftohet vetëm me ligje, nene, por me vetëdije se shteti, atdheu, është mbi të gjitha dhe se, përfundimisht, luajaliteti ndaj atdheut nuk mund të ketë alternativë.
Roli i presidentit të shtetit në normalizimin e raporteve ndërnjerëzore, që në periudhën e kaluar të demokracisë radikale u përkeqësua, është i madh dhe i domosdoshëm. Posti i tij i jep hapësirë për një mision të këtillë. Mbase ka ardhur koha që ta kthejmë në përdorim sërish nocionin e ngrohtë të gjuhës shqipe “kryetar”, në vend të atij të ftohtë, “president”, që u përvodh në periudhën e parë të demokracisë. Më duket se nocioni “kryetar” ngërthen në vete dhembshurinë për atdheun. Më duket se z. Bamir Topi i ka hije të jetë kryetar.