Tkurrja e presidentëve
Në kuptimin relativ të fjalës, me presidentin e parë z. R. Alia, kam qenë kundërshtar si student protestues në sheshe dhe rrugë të Tiranës në vitet ‘90. Duke i risjellë ndër mend ngjarjet dhe mbresat e atyre javëve, mund të them se ai ishte i aftë të bënte një lojë të hapur për të gjithë: Të gjitha grupimet shoqërore, të gjitha shtresat dhe prirjet kolektive, pasi dëgjonin presidentin e “tyre”, kujtonin se ora historike kish ardhur pikërisht për ata e jo për të tjerët. Kështu menduam ne të rinjtë studentë, kështu menduan të përndjekurit politikë, kështu menduan komunistët dhe atinkomunistët, kështumenduan ushtarakët, kështu menduan edhe halabakët, kështu menduan intelektualët dhe margjinat e shoqërisë: Kish ardhur, më në fund, “treni” i tyre, nuk duhej humbur ky rast. Secili duhej ta tregonte veten, o sot o kurrë.
Kështu mendonin edhe të rinjtë, edhe veteranët, edhe enveristët, edhe evropianistët, edhe besnikët e regjimit të vjetër, edhe ëndërrimtarët e sistemeve demokratiko-perëndimore. Dhe vetë presidenti, në secilin interval kohe inkurajonte njërën nga palët në konflikt, tërhiqej përkohësisht dhe rikthehej sërish, i butë e babaxhan, për të fikur e kontrolluar ato pasione e zjarre, të cilave vetë u kish fryrë, u kish dhënë krahë e mbështetje. Ka jo pak nga ata që demokracinë e dështuar shqiptare ia atribuojnë R. Alisë e skenarëve të tij.
Unë vetë, duke pasur të njëjtat pikëpamje e dëshira si dikur, ia faturoj dështimin shoqërisë shqiptare, paaftësisë së saj për t’u ndeshur sinqerisht me trashëgiminë e keqe të së kaluarës, për të treguar fajtorët, për të pranuar me minimumin e respektit e të dhembshurisë njerëzore ata që kishin mbijetuar nga burgjet dhe kampet komuniste; dështimin në ndërtimin e një shteti demokratik ia faturoj mungesës së guximit kolektiv për t’u ballafaquar me një sistem të ri vlerash, i cili, para se të sillte të mirat e tij, donte jo më pak punë, jo më pak drejtësi e sakrificë. Përkundrazi.
Pasardhësi i Alisë, Presidenti Berisha, është presidenti më i sulmuar në historinë e Shqipërisë, të paktën për sa i përket shtypit të shkruar dhe lëvizjes civile të konvertuar shkallë-shkallë në lëvizje militariste. Të vjen habi kur sheh se Berisha president nuk u sulmua nga shtresat që e kishin mbështetur të vinte në pushtet, (dhe ai i pati zhgënjyer ato), por nga segmente të privilegjuar ekonomikisht, në rrugë jo publike, të cilët, në një situatë me mungesë shteti, duke shfrytëzuar krizën e firmave rentiere, hodhën në erë çdo gjë. Do të mbahet mend presidenca e Berishës për shkak se, për nga oratoria dhe sipërmarrja, ai paraqitej rregullisht si garant i situatave, si i plotfuqishëm, por ngjarjet dekantuan në mënyrë të atillë që ai dhe shteti i tij kontrollonin vetëm pak kilometra katrorë sipërfaqe, rreth e qark monumentit të Skënderbeut, nga Kryeministria deri te Pallati i Brigadave.
Presidenti i tretë, Rexhep Meidani, erdhi në krye të një shteti që nuk ekzistonte më, praktikisht. Paraqitja e tij publike i demoralizon ata që duan ta sulmojnë a ta akuzojnë z. Meidani, por duhet të shtojmë se ai ishte president në një kohë kur opozita, moralisht dhe politikisht, ishte e çarmatosur dhe e shpartalluar, kur krahu i majtë me shumicë dërrmuese kish marrë me vete në zyrat e larta të shtetit edhe shumë mbeturina të inkriminuara, të cilat i ishin dashur deri në një farë periudhe në rrugën e vështirë anti-berishjane.
Qysh herët ai u sulmua nga krahu i djathtë për çdo mungesë ekuilibri midis pushteteve dhe palëve antagoniste të interesuara, por, në fazën e mbylljes së mandatit, Presidenti Meidani kish humbur edhe mbështetjen e një krahu përfaqësues në familjen e tij të majtë. Kjo u pa kur nuk rikandidoi dot për president, si dhe në garën e humbur për kreun e PS-së. Rasti Meidani nuk shkon me proverbin shqiptar se qengji i urtë pi dy nëna.
Në dy presidencat e fundit, Moisiu, Topi, pa hyrë në analiza personash, mund të themi se protagonistë nuk janë presidentët, por kryeministrat përkatës.