E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurët e themelit të ngrehinës

Nëse ka një fenomen, që me ngadalësi të frikshme e absurde po maturohet tek ne, është konsolidimi i institucioneve kushtetuese. Në realitetin tonë hasen rëndom zëra mjeranë, që me mendjelehtësi artikulojnë opinionin disfatist se demokracia shqiptare është e re, e brishtë dhe tejet vulnerabël, ndaj pritshmëria nuk duhet të jetë e lartë. Është fakt se ka një të vërtetë, realisht të hidhur në këtë konstatim të prapë. Teksa bisedoja mbi këtë temë rreth mesit të viteve ’90 në Londër, me një prej njohësve më të mirë të huaj të politikës shqiptare, analistin e BBC-së Gabriel Partosh, ai nënvizoi një fakt: “Gurët e themelit të ngrehinës së demokracisë tuaj, duhet të vendosen mirë, që të shërbejnë si bazë e fortë për konsolidimin e asaj që pason”. Kjo nuk ka ndodhur.

Trashëgimia feudalo-komuniste, mungesa e kulturës demokratike, por edhe e “stofit” qytetar, e klasës politike dhe e shtresës së mesme që e furnizon atë, ka bërë që institucionet të mos identifikohen me “produktin” që projekton Kushtetuta, por thjesht me individin përfaqësues. Komunizmi krijoi kultin e shtetit-individ, duke i zbehur maksimalisht institucionet. Presidenca e parë pluraliste ishte vetëm zgjatim i tij. Pas dështimit të referendumit në ’94-n, kaosit të ’97-s, por dhe miratimit të Kushtetutës, u duk se presidenca filloi të fitojë dimensione e trajta të reja moderniteti, por sërish aspak e pavarur nga korrentet e forta politike që qëndronin pas saj, si dhe nga interesat karrieriste individuale. Dialektika e maturimit reflektoi tek presidencat e radhës, por kurrë mjaftueshmërisht.

Demokracia, si sistem, ofron hapësira shprehëse për gjithkënd që angazhohet në jetën publike, por gjithnjë brenda kornizave të mirëpërcaktuara ligjore. Vlera e individit është jetike, por, asnjëherë posti nuk duhet të shndërrohet në qëllim në vetvete. Tek ne, individi që i përfaqëson, luan rëndom me to për interesa personale, duke harruar se janë detyrimet kushtetuese ato që duhet të shndërrohen në alteregon e angazhimit të tyre. Ndërkohë, duhet nënvizuar se edhe shoqëria ka pritshmëri mediokre, duke e zbehur maksimalisht misionin e saj vigjilues dhe vendosjen nën trysni pozitive.

Mplekjsa e trashëgimisë bizantine dhe e mungesës së kulturës demokratike qëndron në Thelbin e Profilit. Politika jonë infantile, idhnake, klanore dhe primitive; e ngritur mbi interesa kryesisht personale (apo, të një grupimi) dhe e mbarsur me mungesë kulture e qytetarie, bllokon evolucionin. Duket e vështirë që, në këtë vend, individët “t’i ngrenë ato”, apo të “ngrihen mbi vetveten” në respekt të posteve që përfaqësojnë. Demokraci do të thotë, mbi të gjitha, institucione të shëndosha që funksionojnë kushtetueshmërisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›