E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokracia shqiptare, mbetet deficitare

Raporti Organizata europiane “FRIDE” për Shqipërinë

Një raport i hartuar nga një organizatë europiane kritikon rëndë Shqipërinë për standarde të paarritura të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e lirive njerëzore. Në krye të dokumentit të “FRIDE”, e cila është një organizatë e rëndësishme me qendër në Madrid, e cila punon më Presidencën spanjolle të BE-së theksohet se “dy dekada pas tranzicionit nga komunizmi, demokracia në Shqipëri vazhdon të jetë e brishtë. Si një vend që duhet të marrë hapa formalë për të ecur drejt Europës, deficiti demokratik vazhdon të mbizotërojë në fushat e shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit, zgjedhjet, pavarësia e medias dhe kontrolli ndaj korrupsionit. Politizimi i numërimit të votave ka ndjekur zgjedhjet e qershorit të 2009-s në Shqipëri, proces që drejtohet nga opozita me kontestimin e rezultateve dhe bojkotoi Parlamentin për 6 muaj. E gjithë kjo situatë demonstron në mënyrë të qartë se demokracia në Shqipëri duhet të forcohet akoma më shumë dhe vendi duhet të ndërmarrë progres urgjent në ligje me procesin e reformave. Në lidhje më zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të vitit të shkuar, raporti i FRIDE-s thekson ndër të tjera se: “E gjithë Shqipëria dështoi në arritjen e standardeve që kërkohen nga një vend anëtar i NATO-s. Si OSBE-ja ashtu edhe BE-ja, shprehën shqetësim rreth disa çështjeve procedurale të zgjedhjeve dhe politizimin e procesit të numërimit të votave”. Në lidhje me korrupsionin, raporti thekson se “Shumë çështje korrupsioni janë shtyrë apo pezulluar në mënyrë të dyshimtë. Një ndër shembujt është gjyqi ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me shpërthimin e fabrikës së municioneve në Gërdec në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona. Pavarësisht faktit se zoti Mediu dha dorëheqjen më 17 mars të 2006 dhe iu hoq imuniteti parlamentar, çështja ndaj tij u pezullua pas emërimit si ministër në kabinetin “Berisha” në shtator të 2009, duke luajtur me kartën e imunitetit. Gjykata e Lartë hoqi akuzat kundër Mediut, duke argumentuar se nuk kishte mjaftueshëm prova për t’i kërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit për të dytën herë. Një tjetër proces është ai i ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, në lidhje me korrupsionin në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Kjo çështje u pezullua për shkak procedurash, vendim ky që u kundërshtua nga ekspertët ndërkombëtare, të cilët e cilësuan si mjaft subjektiv”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›