E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia, Shqipëria bën gati lëvizje ambasadorësh

Ndryshime në përfaqësitë kryesore, në Europë dhe SHBA

Diplomacia shqiptare përfshihet nga ndryshime në përfaqësimin e vet jashtë vendit. Përfundimi i misioneve nga disa ambasadorë ka vënë në lëvizje procedurat e zëvendësimit që prekin një sërë vendesh me rëndësi për marrëdhëniet e Shqipërinë me Europën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqia, Austria, Bosnjë-Hercegovina, India, Hungaria, Bullgaria, Rumania dhe çekia janë adresat e ndryshimeve në përfaqësim. Shumica prej tyre presin tanimë firmën e kreut të shtetit, Bamir Topi, për të filluar punën. Në këtë kuadër edhe dje, Komisioni Parlamentar i Punëve të Jashtme ka zhvilluar një seancë dëgjimore me dy kandidatët për ambasadorë në Greqi dhe Bosnjë-Hercegovinë, respektivisht Dashnor Dervishi dhe Flamur Gashi. Dy emrat lënë pas një vend vakant në Bukuresht, si dhe postin e drejtorit të Diasporës në Ministrinë e Jashtme që krijojnë kështu nevojën e plotësimit. Ndryshimi i përfaqësimit në Athinë është me rëndësi, pasi ambasadori i tanishëm, Vili Minarolli, i ardhur nga politika shkon në Austri për t’i lënë vendin një diplomati karriere. Ndërkaq, lëvizjet në diplomaci do të përfshijnë edhe ambasadën tonë në Uashington, ku aktualisht në detyrë është Aleksandër Sallabanda, i dekretuar në këtë post si një kandidaturë politike.

Vendin e tij pritet ta zërë diplomati i njohur, ish-ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Spiro Koçi, i dëgjuar në seancë nga Komisioni Parlamentar i Jashtëm më 22 janar të këtij viti. Më tej, zgjerimi i përfaqësimit në Azi, ka sjellë qarkullimin e emrave dhe për postin e ambasadorit në Indi, ku duket se Fatos Kërçiku do të jetë në krye të misionit shqiptar për 3 vitet e ardhshme. Emrat e sipërpërmendur mund të konsiderohen në fazën përmbyllëse të emërimit për shkak se procedura standarde për këtë gjë ka nisur. Ndërkohë, në pritje të zëvendësimit janë edhe përfaqësitë shqiptare në Budapest, Bukuresht dhe Pragë, për të cilat emrat e ambasadorëve janë ende në fazën e diskutimit informal. Gjithsesi duket, se për një detyrë të tillë në disa prej këtyre vendeve ka kandidatura edhe nga administrata e Ministrisë së Jashtme krahas atyre të diplomatëve aktivë jashtë vendit. Në kuadër të masave për zëvendësimin procedural të përfaqësive tona jashtë, mediat njoftuan dje edhe për emërimin e pritshëm në Bruksel, të Ilir Tepelenës, një kandidaturë e ardhur sërish nga administrata e dikasterit.

Kjo kandidaturë lidhet në fakt me hapjen e ambasadës e Shqipërisë në Belgjikë, në një hap që flet për rritje të nivelit të përfaqësimit të mbajtur deri më tani si misione. Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se hapja e ambasadës në Belgjikë i paraprin marrjes prej këtij vendit të Presidencës së Bashkimit Europian. Në pikëpamje procedurale, emrat e lakuar presin dekretimin nga Presidenti i Republikës që është autoriteti shtetëror që i jep firmën definitive emërimit në trupin diplomatik.
Lidhur me këtë të fundit, një arsye që pritet të vërë në lëvizje emra të rinj është edhe projekti i qeverisë për zgjerim të përfaqësimit në disa vende që deri më tani mbuloheshin nga ambasadorët prezentë në vende fqinj. Kështu, Lindja e Mesme është një prej destinacioneve ku Shqipëria synon të shtrijë rrjetin e ambasadave apo edhe misioneve diplomatike, ç’ka hap rrugën e angazhimit të burimeve njerëzore shtesë. Një element që ka rëndësi për t’u nënvizuar është edhe e drejta që iu dha Italisë për përfaqësimin e vendit tonë në ato shtete ku Tirana zyrtare nuk është prezente përmes misioneve diplomatike; një praktikë që dëshmon edhe për marrëdhëniet dypalëshe me Romën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›