E Diel, 1 Nëntor 2026

Interesat e bondeve greke rriten sërish

Bisedimet

Bondet e Greqisë të tregtuara gjatë ditës së djeshme shënuan një rekord të ri negativ që nga koha kur vendi u anëtarësua në eurozonë 12 vjet më parë. Interesat e bondeve dhjetëvjeçare u rritën me 42 pikë bazë dhe shitën për 8.28 për qind për shkak të pikëpyetjeve në rritje në lidhje me programin e shpëtimit që po negociohet mes Athinës dhe Bashkimit Europian e FMN-së. Edhe Portugalia po vuan nën hijen e krizës greke. Interesat e borxhit të emetuara nga Lisbona u rritën me 21 pikë bazë dhe u shitën për 4.82 për qind. Investitorët po largohen me shpejtësi nga tregjet e borxheve të këtyre vendeve, pasi mësuan se Athina pret një marrëveshje të arrihet jo më herët se 15 maji, ndërsa Greqia ka nevojë për financime urgjente para 19 majit. “Punët nuk duken mirë”, komentoi një analiste ndërkombëtare. “Tregjet duken të painteresuara për financimin e Greqisë, pasi duan të dinë më parë nëse ky vend do të hyjë apo jo në një proces ristrukturimi borxhi”. Për investitorët, ministri i Financave i Greqisë ka ndërruar disa herë qëndrimin e vet në lidhje me problemin e borxhit dhe në këto kushte, nuk është më i besueshëm.

Bursa e Athinës në indeksin e 20 kompanive më të mëdha humbi 1.6 për qind të vlerës së përgjithshme tregtare dje, ndërsa kompanitë financiare humbën 2.5 për qind. E njëjta gjë ndodhi edhe në bursën e Lisbonës. Euro humbi 0.5 për qind kundrejt dollarit, paundit dhe jenit japonez. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi se Greqia përbën një rrezik për të gjithë ekonominë botërore. “Në muajt e ardhshëm rreziku më i madh është që nëse nuk trajtohet siç duhet, shqetësimi i tregjeve në lidhje me krizën greke mund të kthehet në një krizë të përgjithshme të borxheve sovrane që do të përhapet në shumë vende”, deklaroi FMN në opinionin e vet mbi gjendjen e ekonomisë botërore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›