E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratë! Përbuzni... për t'u ringritur!

Pas humbjes së rëndë të 23 qershorit është koha për një analizë të plotë, të gjatë, të thellë, pa dorashka e pa dilema brenda strukturave të Partisë Demokratike. Humbja është e patolerueshme e, për pasojë, edhe analiza duhet të jetë shumë serioze dhe e pakompromis. E pa kompromis me të keqen, jashtë kalkulimeve dhe interesave të çastit, përtej kornizave të pushtetit, siç nuk është bërë kurrë më parë. Analiza duhet të përfshijë këdo dhe gjithçka, në të gjitha përmasat deri në detaje dhe me tolerancë zero ndaj çdo fenomeni dhe individi përgjegjës për humbjen, jo për prerje kokash, aspak, por për të kuruar Partinë Demokratike. Dhe të kurosh, duhet para së gjithash të përcaktosh saktë diagnozën e sëmundjes e më pas të përcaktosh mënyrën e duhur të kurimit të saj. Dhe pikërisht për këtë gjë, analiza duhet të bëhet brenda Partisë Demokratike dhe vetëm brenda saj. Sepse vetëm brenda saj gjenden njerëzit që u dhemb në shpirt kjo parti, sepse aty gjenden idealet e tyre, kontributi i tyre, djersa, shpirti, sakrificat deri edhe gjaku i tyre. Komentet dhe gjoja analizat nëpër studio televizive, artikuj, rrjete sociale apo kafene nuk mund, nuk duhet dhe nuk kanë asnjë lidhje me analizën reale (theksoj të Partisë Demokratike) dhe, për pasojë nuk prodhojnë asgjë.

Pseudoanalizat nuk i shërbejnë askujt e aq më pak PD-së. Hapi i parë i çdo lloj platforme, apo çfarëdolloj strategjie (afatshkurtër, afatmesme e aq më tepër afatgjatë) është para së gjithash analiza dhe njohja sa më e saktë e problematikës, drejtimit, fushës për të cilën ajo hartohet dhe mbi të cilën ajo do të mbështetet e do t'i shërbejë. Për të shmangur komentet gjithfarëshe sqaroj se flas për humbjen, parë nga brenda PD-së dhe për shkaqet e saj. Përballjet frekuente politike e për pasojë fitoret dhe humbjet, rrotacionet, koalicionet deri ato me bazë të gjerë, janë thelbi i shoqërive demokratike dhe për pasojë edhe çelësi i suksesit, progresit dhe zhvillimit. Por, kur kjo ndodh duke sjellë në pushtet kasta të ndryshme, pavarësisht mënyrës dhe formës, atëherë është koha për alarm. E para së gjithash është koha për të përgjegjësuar ata që lejuan kapjen e shtetit nga antishteti.

Në titull të këtij shkrimi bëj thirrje për përbuzje! Për të evituar moskuptimin apo keqkuptimin me dashje apo pa dashje të fjalës "përbuz" po sjell këtu definicionin e kësaj fjale sipas fjalorit të gjuhës shqipe: Përbuz - nuk pëlqej diçka, i bëjë buzë; nuk e pranoj diçka, e quaj dikë a diçka krejt të padenjë për ta nderuar, e përçmoj haptas, shpreh neveri e përçmim për të; s'ia kam frikën fare diçkaje; e mposht!
Është koha për përbuzje! Po është koha për ta bërë një gjë të tillë. Pse? Për çfarë dhe kundër kujt? Për të mundësuar një fillim të ri! Për të mos lejuar më përsëritjen e gabimeve dhe fenomeneve të tilla! Për të evituar sharlatanët të na predikojnë, imoralët të na bëjnë moral, hajdutët të akuzojnë duke drejtuar gishtin, mediokritetin të na drejtojë, servilizmin të na vardiset, për të shkërmoqur kalkulimet dhe skemat e së keqes!

Në këto momente të vështira për çdo demokrat, bëj thirrje për përbuzje! Demokratë përbuzni këdo që ju përbuzi këto tetë vjet, përbuzni këdo që ju mashtroi, këdo që ju gënjeu, këdo që ju injoroi dhe u tall me ju deri në përbuzje! Përbuzni këdo që përbuzi kontributin tuaj. Përbuzni cilindo që u tall me votën tuaj. Përbuzni ata që shitën dhe trafikuan pushtetin, ata që nuk patën-nuk pyetën-dhe nuk vunë kurrë rregulla të ndershme loje dhe konkurrence, ata që interesin e vetëm kishin xhepin e tyre. Përbuzni ardhacakët dhe ikanakët, ata që ju braktisën në stuhi dhe ju "deshën" deri në neveritje gjatë viteve të pushtetit vetëm për ta mjelë atë pamëshirë. Përbuzni ata që u katapultuan dhe ju zunë shtëpinë tuaj, ata që erdhën natën si hienat dhe hynë nga dritaret, oxhaqet apo pazaret e pista klanore dhe kurrë nuk u bënë një prej jush, por ju panë gjithmonë me përçmim. Përbuzni sharlatanët që tentuan t'ju tjetërsonin. Përbuzni spiunët, servilët dhe sahanlëpirësit që iu ngjitën pushtetit për ta bjerrë atë në kurriz të gjithçkaje të shenjtë tuajën. Përbuzni ata që përbaltën aspiratat dhe pastërtinë tuaj. Përbuzni hajdutët e mëdhenj dhe të vegjël. Përbuzni paaftësinë dhe mediokritetin. Përbuzni nepotizmin dhe klientelizmin. Përbuzni babëzinë dhe arrogancën. Përbuzni autoritarizmin, diktatin dhe dhunën. Përbuzni korrupsionin dhe sekserët e tij! Përbuzni me të gjitha mënyrat! Me heshtje, votë, deri me revoltë të gjithë ata individë, zyrtarë, drejtues që jua servirën gjithçka thashë më lart në emrin tuaj, falë votës suaj, falë kontributit tuaj. Është më tepër se kurrë koha të mos e shpërdoroni besimin, votën, kontributin, ëndrrën dhe idealet tuaja. Është më tepër se kurrë momenti për një reflektim të pastër dhe të sinqertë! Është koha për t'u shëruar plotësisht! Demokratët nuk kanë nevojë të mëshirohen nga askush dhe nuk duhet të mëshirojnë askënd e aq më tepër të keqen. Vetëm refuzimi i së keqes është garancia për t'u ringritur fuqishëm!

Kjo humbje është mbyllja e një cikli. Tani është koha për një fillim të ri. Fillimi i ri duhet të mbështetet te idealistët e pakompromis, tek anëtarët dhe militantët e kësaj partie, tek ata që nuk e braktisën asnjëherë dhe për asgjë, studentët e dhjetorit '90 që e lindën dhe e rritën duke i dhënë gjithçka pa kërkuar dhe pa marrë asgjë prej saj, tek intelektualët me formim dhe vizion perëndimor dhe pa lidhje me intelektualët parafabrikat të së kaluarës komuniste, te të persekutuarit dhe pronarët si bërthama dhe garancia e një të djathte reale si dhe te rinia shqiptare, aleatja e përhershme e progresit dhe ndryshimit. PD-ja i ka të gjitha forcat dhe potencialet për ta bërë një gjë të tillë! Por, pa paragjykime, pa barriera, pa mure dhe duke u mbështetur në vlerat më të mira. Është koha për aleancë vlerash dhe refuzim të antivlerave!
Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›