E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët votojnë pro rritjes së akcizës

Fiskale Komisioni i Ekonomisë miraton projektligjin, edhe pse me rezerva për disa taksa

Deputetët demokratë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë votojnë pro ligjit të financave për rritjen e akcizës. Edhe pse një pjesë e mirë e tyre vijnë nga fusha e biznesit apo studiues të fushës ekonomike, presioni politik bëri që të jepnin votën pro një projektligji që nën zë po e kundërshtonin. Bëhet fjalë për rritjen e akcizës për disa nënprodukte karburanti, si dhe lëndët e para në industri, si plastika, qelqi apo ambalazhet e tjera të përziera. Sybi Hida, ish-drejtor i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, aktualisht deputet në Komisionin e Ekonomisë sugjeroi një studim më të gjerë rreth efekteve që mund të japë në ekonomi dhe biznes rritja e taksës së akcizës. Kurse një tjetër anëtar komisioni, ish-zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu, doli kundër disa kategorive për ndryshim takse tek akcizat, duke sugjeruar një rishikim të draftit nga e para. Të tjerë me radhë, si Gjokë Uldedaj që vjen nga fusha e biznesit, shprehu me rezerva për uljen e taksës për parfumet, duke rritur ambalazhet, si dhe Igli Cara kërkoi më shumë shpjegime pse disa artikujve u hiqet taksa, kurse të tjerave, që prekin direkt industrinë, ka një rritje të konsiderueshme. U desh ndërhyrja e kryetarit Edmond Spaho që me takt u “sugjeroi” anëtarëve që ligji tashmë është miratuar nga qeveria dhe kush ka vërejtje ta diskutojë tani që në komision ishte dhe përfaqësuesja e Ministrisë së Financat. Deputetët nuk krijuan më debat dhe në fund zgjatën dorën për miratim pro.

Projektligji

Gazeta “Shqip” ka trajtuar gjerë këto ditë përmbajtjen e projektligjit “Për akcizat”, efektet në ekonomi, vërejtjet e biznesit, si dhe mënyrën jo transparente që kaloi në qeveri. Propozimet e projektligjit, që pritet të finalizohet javën tjetër në seancë plenare, synojnë rritjen e taksave për disa produkte ambalazhi prej qelqi dhe plastike, si dhe të përziera, duke i futur në listën e mallrave të luksit me detyrim ekstra, sikurse është kafeja apo pijet alkoolike. Ndërsa parfumet, produktet kozmetike dhe llambat janë hequr nga lista. Rritje do të ketë edhe për disa nënprodukte të naftës, një pjesë e të cilave përdoren në industrinë e ndërtimit dhe në bujqësisë për serat me ngrohje. Efekti total pozitiv në buxhet do të jetë rreth 45 milionë dollarë, masë kjo shumë e favorshme për financat e shtetit shqiptar, të cilat në muajt e parë të vitit paraqiten me tkurrje.

Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave, referuar treguesve operativë të periudhës janar-prill 2010, flasin për një mosrealizim të planit të vendosur nga qeveria. Fjalë është për taksën akcizë, që si katërmujor rezulton me një realizim në masën 92.17 për qind. Doganat kanë mundur të mbledhin gati 10 miliardë e 348 milionë lekë, kur plani ishte për rreth 11 miliardë e 227 lekë. Për të gjithë vitin 2010, administrata doganore duhet të mbledhë rreth 41 miliardë e 669 milionë lekë nga taksa e akcizës dhe me vendimin e fundit të qeverisë duket se plani do të arrihet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›