Topi emëron dy gjyqtarë në Apelin e Tiranës
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka emëruar dy gjyqtarë të rinj në Gjykatën e Apelit të Tiranës, si pasojë e zgjerimit të këtij institucioni me numër më të madh personeli. Kreu i shtetit shqiptar, pas propozimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka dekretuar emërimin e Genti Shalës dhe Astrit Haxhialushit. Zoti Shala ka qenë gjyqtar në Shkodër disa vite më parë, por në 2008-n u emërua anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me propozim të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa z. Astrit Haxhialushi ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë. Kohët e fundit është zhvilluar një lëvizje e madhe emërimesh dhe transferimesh të gjyqtarëve, për t’iu përshtatur nevojës së gjykatave të rretheve të mëdha. Kjo, pasi është rritur mjaft fluksi i çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat e qyteteve kryesore të vendit.
Presidenti emëron gjyqtarët pas propozimit të KLD-së. Kjo e fundit, në mbledhjen e 7 majit votoi për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj të Gjykatave të Apelit në rrethet Tiranë, Durrës dhe Vlorë. KLD-ja vendosi të miratojë emërimin në Apelin e Tiranës për gjyqtarët Artan Broci, Astrit Haxhialushi, Genti Shala, Gramo Levanaj e Ridvan Hado. Sipas vendimit, janë transferuar në detyrë në Apelin e Tiranës gjyqtarët: Edlira Petri, Shkëlqim Miri dhe Valdete Hoxha. Në Gjykatën e Apelit Durrës, ku ishin paraqitur 43 kandidatura, KLD-ja ka vendosur të propozojë për dekretim te Presidenti i Republikës, kandidatin Kliton Spahiu. Po në atë mbledhje, KLD-ja vendosi për transferimin në Gjykatën e Apelit në Durrës edhe dy gjyqtarët Izet Dushaj dhe Petraq Dhimitri. Në Gjykatën e Apelit Vlorë, ku ishin paraqitur 22 kandidatura, është vendosur të propozohen për emërim gjyqtarët: Andi Civici, Hysen Saliko, Skënder Damini.
KLD-ja vendosi transferimin edhe të dy gjyqtarëve, dërgimin në Apelin e Shkodrës Musa Halilin dhe në Apelin e Gjirokastrës Ylli Minkën.
#