E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratët votojnë sot kreun e ri të PD, Basha: Rama-Meta, dyshe zullumesh

TIRANË- Demokratët me kartë anëtarësie votojnë sot në mbarë Shqipërinë pasuesin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Rreth 105 mijë anëtarë të kësaj force politike janë thirrur për të zgjedhur liderin e ri për herë të parë përmes parimit “një anëtar-një votë”. Votimi do të nisë në orën 8:00, të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 19:00.

MBYLLJA E FUSHATES, BASHA: RAMA-META, DYSHE ZULLUMESH
Një dita para zgjedhjeve për kreun e ri të PD-së, kandidati Lulëzim Basha ka mbyllur fushatën në një takim me anëtarët e njësive 1,3,4 dhe 11 në kryeqytet. Përpara mbështetësve të tij, Basha premtoi se nëse fiton zgjedhjet e nesërme në PD do gjejë mënyrën për ta ringritur këtë parti, për të fituar beteja të tjera.

“Kjo garë po vërteton se si ne, demokratët në momentet jo më të mira tonat rrezatojmë vlera dhe dinjitet për qytetarët e politikën shqiptare. Falenderoj nga zemra cdo anëtar që u përfshi në këtë proces të jashtëzakonshëm dhe emancipues. Të nisim rrugën tonë drejt rikthimit dhe fitores. Kemi vendosmëri për tu ringritur”, tha ai.

Gjatë këtij takimi Basha lëshoi një thirrje për bashkim mes cdo demokrati. “Në këtë garë, që në momentin e parë kam pasur një thirrje, kërkesa ime e parë, e dytë dhe e tretë ndaj cdo demokrati është që edhe sot të jemi më të bashkuar dhe me afër se kurrë me njëri-tjetrin”. 

Duke u shprehur se është përgjegjësi të kandidosh për kreun e ri të PD-së, Basha tha se nuk pretendon të zëvendësojë Berishën, por kandidon për të mos e lënë të ndalë orën e lirisë.

“Askush nuk e zëvendëson Berishën, ai është lideri historik i PD, por ora e PD nuk mund të ndalë, është ora e lirisë dhe zhvillimit europian. Nuk jam i shtyrë nga ambicija personale, sot marr përgjegjësinë time para cdo demokrati dhe mbështetësi për të ofruar gjithcka nga shpirti, mendja e trupi im", tha ai.

Teksa komentoi rezultatin e 23 qershorit, Basha u shpreh se pas zgjedhjeve të reja brenda PD-së do të bëhet edhe një analizë për të gjetur pikat e forta dhe të dobëta të forcës së djathtë, më të madhe në vend.

“Rezultati nuk ishte ai që prisnim, dëshironim, për të cilin kishim punuar. Këto ditë dhe javë kanë qënë të një reflektimi të thellë. Ky tur takimesh e ditët para tij më kanë dhënë mundësinë të ndjej dhe prek hidhërimin për humbjen të militantëve anë e mbanë vendit. Kam dëgjuar dhe ndjerë tronditje, edhe për dorëheqjen e liderit tonë historik, Sali Berisha”, tha Basha ndërsa shtoi se, “Do bëhet një analizë për humbjen e zgjedhjeve, të evidentojmë pa emocion gjithcka që bëmë në këtë fushatë e vitet pararendëse”, tha ai. 

Sipas Bashës, një nga shkaqet e humbjes ishte mungesa e vëmendjes ndaj bazës, antarëve dhe militantëve të PD. Ai premtoi më tej, se në krye të PD-së do të respektojë vlerat e cdo anëtari, se do dëgjojë zërin e tyre dhe do i bëjë ata pjesë të vendimmarrjes në këtë parti.

“Anëtari i PD është sovran i padiskutueshëm. Zgjedhjet do zhvillohen sipas parimit një anëtar një votë. Nuk ka, nuk shoh asnjë arsye që ky parim të mos jetë në statutin e PD. Unë do kërkoj mendimin e sovranit për cdo veprim, kjo duhet të kthehet në një normë standarde në punën e PD. Të mobilizojmë cdo mendje, e cdo shpirt, cdo anëtar”, tha ai.

Basha nuk nguroi të akuzojë të majtën dhe ti shpallë asaj luftë frontale e ballore, për ta nxjerrë sërish në opozitë.

“Kundërshatri ka komplekse të thella me trashëgiminë dhe identitetin e forcës sonë politike. Në cdo prag zgjedhjes ndryshojnë ngjyrat, bëri mavinë e mashtrimit me ngjyrën tonë. Identitetin e tij nuk arrin ta shqiptojë”, tha Basha ndërsa nënvijëzoi se ata “Vijnë nga një humnerë antivlerash”. 

Kandidati për kreun e PD, tha më tej se është i vendosur të bëjë një opozitë të fortë ndaj mazhorancës së re, të cilën e cilësoi si mazhorancën e zullumit. AI tha se do bëjë cdo gjë për tu përballur me dyshen Rama-Meta. “Gati të bëj opozitë të fortë ndaj dyshes së zullumit Rama-Meta. Gati të përballem me këtë mazhorancë të zullimit”, vijoi ai.

Ai shtoi se PS faktoi edhe nga rinumërimi i Lezhës se ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura.
“PS ka ardhur në pushtet me vjedhjen e votave, këto janë vlerat e tyre, e dëshmon rinumërimi i Lezhës. Kanë vjedhur dhe abuzuar me votën e shqiptarëve, ai bërtiste për votat në 4 vite, ndërsa sot u faktua në Lezhë si hajduti i votave, më i pacipë me mjete banditeske”, shtoi Basha.

Duke iu drejtuar Ramës, ai i kujtoi shprehjen “Kush të ka mundur njëherë është gati të të mundë përsëri”. 

(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Olldashi: Unë mund t’i drejtoj demokratët në këtë sipërmarrje të vështirë Gara për kreun e PD, sondazhi në 'BalkanWeb': 65% e votuesve zgjedhin Bashën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›